Kompania e njohur amerikane e kozmetikës e.l.f. Beauty ka njoftuar zyrtarisht blerjen e markës së famshme të bukurisë Rhode, të themeluar nga modelja dhe sipërmarrësja Hailey Bieber, për një shumë totale që mund të arrijë në 1 miliard dollarë.
Marrëveshja përfshin një pagesë prej 800 milionë dollarësh në para dhe aksione, ndërsa pjesa tjetër prej 200 milionë dollarësh është e lidhur me objektiva të performancës që marka pritet të arrijë në të ardhmen.
“Rhode e diversifikon më tej portofolin tonë me një markë që rritet shpejt dhe e bën luksin të arritshëm,” – u shpreh Tarang Amin, CEO i e.l.f. Beauty.
E themeluar në vitin 2022, Rhode është bërë një nga markat më të përfolura në rrjetet sociale, me produkte virale si “peptide lip treatment” që shiten për 18 dollarë. Suksesi i saj është mbështetur kryesisht te ndikimi i Hailey Bieber në platforma si TikTok dhe Instagram.
Për dallim nga e.l.f., Rhode ka operuar deri më tani vetëm përmes shitjeve online dhe pop-up dyqaneve. Por pas kësaj marrëveshjeje, marka planifikon të zgjerohet ndërkombëtarisht dhe të hyjë në rrjete prestigjioze si Sephora në SHBA, Kanada dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar.
Hailey Bieber nuk do të largohet nga marka që krijoi. Ajo do të mbajë rolin e saj si themeluese dhe këshilltare strategjike, duke ndihmuar në drejtimin e mëtejshëm të Rhode pas përfundimit të marrëveshjes, i cili pritet të ndodhë në tremujorin e dytë të vitit fiskal 2026.
“Ky partneritet me e.l.f. është një mundësi e jashtëzakonshme për të sjellë produktet tona novatore tek një audiencë edhe më e gjerë, në shkallë globale,” – deklaroi Bieber.
@tetovanews
@tn.lajmelokale