Nga Xhelal Zejneli
Jasunari Kavabata (Yasunari Kawabata, 1899-1972 është shkrimtar japonez. Në vitin 1968, gjatë kremtimit të restaurimit të Meijit, Jasunari Kavabata u bë i pari shkrimtar japonez që e mori çmimin “Nobel për letërsi. Çmimi iu dha “për mjeshtërinë tregimtare e cila me ndjeshmëri të madhe e shpreh thelbin e frymës japoneze”. Është një prej shkrimtarëve japonezë më të respektuar dhe më të përkthyer. Njeri i cili e çmonte vetminë, i cili vërtet jetonte vetë dhe në distancë, madje edhe në çastet më të rënda, Kavabata shumë më parë fliste për pavlefshmërinë dhe kotësinë e famës. Megjithëkëtë, merrte pjesë në të gjitha ceremonitë, pritjet dhe nderimet që mbaheshin për nder të tij. Me t’u kthyer nga Stokholmi, disa herë udhëtoi jashtë vendit për të mbajtur ligjërata apo për të marrë pjesë në simpoziumet letrare. Në vitin 1971 zhvilloi një fushatë aktive për mikun i cili ishte kandiduar për guvernator në Tokio. Bëri vetëvrasje në studion e ve afër Kamakurës, në prill të vitit 1972, pa lënë ndonjë shënim apo sqarim.
* * *
Kavabata lindi në Osakë në vitin 1899. Prindërit i vdiqën kur ishte dy vjeç. Pas tyre i vdiqën gjyshja dhe motra e vetme. Kur ishte katërmbëdhjetë vjeç i vdiq gjyshi me të cilin jetonte prej moshës shtatëvjeçare. Vdekja e prindërve dhe e të afërmeve të tjerë la gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kavabatës dhe të krijimtarisë letrare të tij.
Vepra e parë e dalluar e tij është ditari i shkruar në moshën 15-vjeçare dhe i botuar pak më vonë me titullin “Ditari i një pesëmbëdhjetëvjeçari”. Në këtë vepër Kavabata tregon kuptim letrar tashmë të zhvilluar, duke i përshkruar në mënyrë tronditëse ditët e fundit të gjyshit të vet. Përshkrimet i karakterizohen me realizëm, pothuajse të pabesueshëm për një moshë aq të re. Ditari e nxori në shesh talentin e tij të jashtëzakonshëm, tregoi ndjenjën e tij të thellë për të bukurën dhe vuri në dukje aftësinë e këtij shkrimtari të ri për të krijuar vepra me vlera të pakapërcyeshme.
Pas vdekjes së gjyshit jetoi në internatin e një shkolle të mesme, derisa nuk u largua prej Osake për t’u regjistruar në Gjimnazin e parë elitar të Tokios. Studio në Tokio letërsinë angleze dhe japoneze. Karrierën letrare e filloi para se të diplomonte në Universitetin Perandorak të Tokios në vitin 1924.
Iu bashkua grupit të shkrimtarëve japonezë të rinj të cilët mbronin lëvizjen letrare – neosenzualizmin, duke iu kundërvënë realizmit, prozës rrëfimtare apo narrative në formë të romanit “në vetën e parë” (Ich-roman) dhe të letërsisë proletare të viteve ’20 të shekullit XX. Me udhëheqësin e kësaj lëvizjeje R. Jokomicu (R. Yokomitsu) mori pjesë në themelimin e revistës “Bungei jidai” (1924), në të cilën ishin paraqitur poetikat avangarde të letërsisë botërore – dadaizmi, surrealizmi, futurizmi, ekspresionizmi.
Kavabata i shfrytëzonte përvojat e surrealistëve francezë dhe me forcën e sugjestionit dhe të simbolikës e orienton gjuhën kah lëvizja e lirë e figurave pa një kontroll logjik të theksuar.
Shpejt u bë i njohur me krijimet e vogla që i quajti “Një grusht tregime” dhe me romanin gjysmë-autobiografik “Vallëzuesja nga gadishulli Izu” (Izu no odoriko, 1926/1927) me të cilin u afirmua. Ky roman është ekranizuar disa herë. Me stilin e vet të jashtëzakonshëm, me shprehjen e kursyer dhe me ndjenjat e buta, ky tregim i solli Kavabatës famë të hershme. Në të Kavabata i gjallëron ndodhitë e rinisë së tij të hershme me theks pikëllues dhe ndjeshmëri senzuale të subtile. Këto veçanti do t’i përshkojnë edhe veprat e mëvonshme të tij.
* * *
Gjatë studimit të letërsisë japoneze, prej vitit 1920 Kavabata i botonte krijimet e veta në revista të ndryshme: Shinshicho, Bungei shunju etj. Pas diplomimit në vitin 1924, iu bashkua grupit të shkrimtarëve të rinj të cilët ishin për një drejtim letrar të ri të quajtur “neoimpresionizëm” ose “neosenzualizëm” ose “neopercepcionizëm”. Organ i këtij grupi shkrimtarësh të rinj dhe të talentuar ishte revista e sapothemeluar Bungei gjidai rreth të cilës tuboheshin shkrimtarët Riiqi Jokomicu (Riichi Yokomitsu), Tepei Kataoka, Kameo Chiga, Taramako Ito, Kanesaku Ishihama, Shigesaku Sasaki, Mitsuzo Sasaki, Jasunari Kavabata etj.
Teoricien kryesor i këtij drejtimi ishte Riiqi Jokomicu, kurse burim frymëzimi i kësaj lëvizjeje ka qenë krijimtaria e shkrimtarëve evropianë modernë, sidomos e tregimtarit dhe romancierit francez Pol Moran (Paul Morand, 1888-1976) dhe vepra e njohur e tij “Hapur gjatë tërë natës” (Ouvert la nuit, 1921). Idetë e këtyre shkrimtarëve të rinj janë shprehur në disa ese teorike, njërën prej të cilave e ka shkruar edhe vetë Kavabata. Eseja mban titullin “Përpjekje të reja të shkrimtarëve avangardë”, botuar në vitin 1925.
Në këto ese shfaqen pikëpamje të reja, rekomandohen ndjeshmëri të rafinuara, teknikë e re e të shprehurit dhe stili i ri. Anëtarët e grupit konsideronin se shprehja letrare e re duhet të jetë e freskët dhe ta ndriçojë në mënyrë poetike thelbin e ndjenjave të shprehura; ndjenjat duhet të jenë tejet perceptuese dhe senzuale; realitetin duhet shprehur me ndjenja subtile (të holla), me sugjestivitet (ndjellësi) dhe me simbole të rafinuara, asisoj që të shprehet artistikisht rëndësia e jetës së brendshme; arti duhet të ketë karakter të pashmangshëm, kurse shprehjet të kenë ritëm poetik dhe ndjeshmëri të gjallë, perceptimi duhet të jetë i stërholluar (i rafinuar) deri në një gjendje morbide dhe dekadente, por duhet të ketë elemente intelektuale.
Por kishte rrezik që përpjekjet e tyre të ndahen prej forcës jetësore themelore dhe të shndërrohen në një lloj argëtimi dekadent. Sidoqoftë, ata predikonin “jetë të re” dhe “art letrar të ri”. Idetë e tyre janë të lidhura ngushtësisht edhe me paraqitjen e dadaizmit, të ekspresionizmit, të surrealizmit dhe të drejtimeve avangarde të tjera. Mund të thuhet se kjo lëvizje lindi edhe si reaksion ndaj drejtimeve realiste në letërsinë japoneze, sidomos ndaj paraqitjes së letërsisë revolucionare proletare. Ata predikonin një art dinamik – me synimin kryesor për ta sqaruar aftësinë e vetë shkrimtarit, ndërsa krijimtaria e tyre ishte e ngjyrosur me një dozë nihilizmi.
Stili i të shkruarit i Kavabatës dhe periudha e paraluftës – Kavabata dallohet dukshëm nga rrjedha kryesore e këtij grupi, duke vënë theksin mbi stilin klasik; dallohet për nga vetmia e vet e përkorë dhe toni elegjiak (i trishtuar, i përvajshëm); për nga theksimi i një bote të veçantë ndjeshmërie të butë dhe subtile, sugjestiviteti metaforik, mbresash të thella dhe simbolizmi. Ai përqendrohet kryesisht në theksimin e nevojës për lindjen e një gjuhe të re e cila do ta zëvendësonte gjuhën ekzistuese tregimtare objektive anemike. Kavabata konsideron se në vend të fjalive gramatikisht të përkryera, shkrimtari duhet të përdorë fjali fragmentare, ndonjëherë të papërfunduara, duke e paraqitur në mënyrë më të plotë personazhin e përshkruar, botën e tij dhe konceptimin dinamik të jetës prej tij. Me fjalë të tjera, Kavabata angazhohet për unitetin e subjektit dhe të objektit, për integrimin e botës, të njeriut dhe të artit. Në frymën e “neopercepcionizmit” Kavabata shkroi rreth dhjetë vjet. Vepra më të njohura të kësaj periudhe janë: “Eksperti për varrime” (Kaiso no meijin, 1923), “Fryma e trëndafilit” (1927), “Grupi Kurenai prej Asakuse” (Asakusa Kurenai-dan, 1929), “Gjilpëra, qelqi dhe bretkosa” (1930), “Fantazia e kristaltë” (1931) etj.
Por, vepër më e rëndësishme e fazës së paraluftës e krijimtarisë së Kavabatës është proza lirike “Tokë dëbore” (Yukiguni, 1935-47). Pas saj, deri në fillim të Luftës II Botërore shkroi edhe “Shpendët grabitqarë dhe bishat e egra” (Kinju, 1933). Në veprën “Tokë dëbore” erdhën në shprehje të plotë konceptet e Kavabatës mbi letërsinë dhe artin. Këto koncepte Kavabata i përmblodhi në esenë “Bukuria e Japonisë dhe unë” të shkruar me rastin e marrjes së çmimit “Nobel”. Aty i paraqet parimet e veta themelore mbi artin. Edhe pse kjo ese nuk është një diskutim i hollësishëm për vlerat artistike, në të Kavabata e pasqyron zgjedhjen e parimeve të caktuara të cilat kanë pasur për të rëndësi të jashtëzakonshme. Shumë prej tyre kanë qenë të ndërlidhura me zen-budizmin. I pari prej këtyre parimeve ka qenë asimetria. Kavabata thekson aranzhimin e luleve dhe kopshtarinë (hortikulturën) si dy veprimtari artistike të cilat më së miri e zbulojnë përdorimin e sugjestivitetit.
„Në krahasim me kopshtet në Perëndim shumica e të cilëve janë mbjellë në mënyrë simetrike, kopshtet japoneze kryesisht janë asimetrike për arsye se asimetria, më shumë se simetria ka forcën për ta shprehur në mënyrë simbolike shumicën dhe hapësirën e gjerë. Kuptohet, kjo asimetri e gjen baraspeshën e vet në ndjeshmërinë delikate të japonezëve”.
Asimetria dhe sugjestiviteti që buron prej saj bëjnë të mundur që prej një gjëje të vogël të evokohet e tërë bota. Strukturat e mbyllura, të sistemuara në mënyrë harmonike, vetëm e përkufizojnë vetveten. Por Kavabata thekson se asimetria nuk është natyrore dhe spontane, por lind nga disiplina e krijuar nga “baraspesha e imponuar prej ndjeshmërisë delikate”. Në fund të esesë Kavabata i cek fjalët e një poeti mesjetar japonez për një bashkëkohës të tij të madh Saigyõ Hõshi (1118-1190), njërit prej poetëve japonezë më të mirë, idealet letrare dhe poetike të cilit kanë qenë transcendentale dhe në njëfarë dore edhe religjioze.
„Saigyõ shpesh vinte për të folur për poezinë. Pikëpamja e tij për poezinë ishte shumë larg të qenit e zakonshme. Sythat e qershisë, qyqja, hëna bora: të ballafaquara me format e llojllojshme të natyrës, sytë dhe veshët e tij ishin të mbushur me boshllëk. Dhe a nuk ishin fjalët që i tha, fjalë të vërteta? Kur këndonte për sythat, ai nuk mendonte për sythat; kur këndonte për hënën, nuk e kishte mendjen te hëna. Kur i vinte rasti për këtë, kur ndihej i frymëzuar, atëherë shkruante poezi. Ylberi i kuq në qiell ishte si një lule që po merrte ngjyrë. Drita e bardhë e diellit ishte si qielli që ndriçohej. Megjithatë, një qiell i zbrazët, për nga natyra e vet, nuk ka nevojë të ndriçohet. As nuk mund të ngjyroset. Me shpirtin si një qiell i zbrazët ai u jepte ngjyrë të gjitha skenave, edhe pse asgjë prej tyre nuk mbetej tek ai. Në një poezi të tillë gjejmë Budën, manifestimin e së vërtetës përfundimtare.”
Arti i Saigyos përbëhej prej sugjerimit të së vërtetës së përgjithshme dhe jo nga deklarimi i saj. Ndjeshmëria e Kavabatës e shtyri atë të mbrojë të njëjtin qëndrim dhe shumë metoda të njëjta në krijimet e tij të prozës artistike. Por, ndjeshmëria e tillë është rezultat i ushtrimit këmbëngulës dhe rigoroz. Kavabata krenohej me tekstet letrare klasike të së kaluarës japoneze dhe gjithmonë i përdorte ato si modele letrare.
Parimi i dytë kryesor i Kavabatës është e bukura. Në një ese tjetër që është ligjëruar në vitin 1969 në Universitetin e Harvardit, e që është botuar me titullin “Ekzistimi dhe zbulimi i së bukurës”, Kavabata citon poezinë haiku të poetit japonez Kobajashi Isa (Kobayshi Issa, 1763-1827/28). Issa është nofkë e tij që do të thotë “filxhan çaji.”: “Çfarë bukurie! Qielli në natën e mbarimit të vitit.
* * *
Duke komentuar mendimin e Kjorait se “elegante është ajo që buron prej rrethanave të veçanta”, Kavabata vjen në përfundim:
“Me rastin e zbulimit të asaj që është elegante, d.m.th. të së bukurës që ekziston, me rastin e ndijimit të së bukurës që e kemi zbuluar, madje edhe me rastin e krijimit të së bukurës që e kemi ndjerë, rrethanat e posaçme të asaj që ekziston natyrshëm në ato rrethana, vërtet janë të rëndësishme dhe mund të thuhet se ato janë bukuri e qiellit. Po qe se arrijmë të vërtetojmë se këto rrethana të posaçme janë të vërteta, atëherë mund të themi se kjo është një dhuratë e Perëndisë së bukurisë”.
* * *
Pas Luftës II Botërore, romani i parë që shkroi Kavabata ishte “Njëmijë kojrrilë” (Senba-zuru, 1949-51). Në këtë roman dhe në romanin “Tokë dëbore” (Yukiguni, 1935-47) Kavabata u prezantua si përfaqësues i estetizmit dhe stilist subtil (i hollë) i cili personazhet i krijon asisoj që dashuria e tyre në fund mbetet e parealizuar. Këtë temë e përdor pothuajse në të gjitha veprat prej të cilave shpërthen ndjenja e fortë e vetmisë dhe e pikëllimit. Shpesh flet për vdekjen dhe për botën e të vdekurve.
Gjatë luftës shkroi shumë pak. U tërhoq në heshtje të përkohshme dhe iu përkushtua kryesisht studimit të letërsisë japoneze klasike. Për dashurinë e vet ndaj letërsisë japoneze klasike flet në shumë vende. Në esenë “Bukuria e Japonisë dhe unë” thotë: “Në poezi, në shekullin X të hershëm, paraqitet e para antologji të cilën e kanë porositur perandorët, ‘Përmbledhje e poezive të vjetra dhe të reja’ (Kokinshiju), kurse në prozë ‘Histori për Isenë’. Pas kësaj pasojnë kryeveprat e jashtëzakonshme të prozës japoneze klasike – ‘Histori për Gengjin’, e shkrimtares dhe damës së oborrit Murasaki dhe ‘Libri për kokën e shtratit” i shkrimtares Sei Shonagon. Të dyja këto shkrimtare kanë jetuar kah fundi i shekullit X deri në gjysmën e shekullit XI. Kështu u krijua tradita e cila ndikoi, madje edhe e orientoi letërsinë japoneze gjatë tetëqind vjetëve. Sidomos “Histori për Gengjin” paraqet arritjen më të lartë të letërsisë japoneze. As sot në Japoni nuk ekziston prozë artistike që do të mund të krahasohej me këtë. Është për t’u habitur se si një vepër aq moderne të jetë shkruar në shekullin XI. Ajo njihet edhe kudo në botë. Kjo vepër ka qenë burim i gjerë dhe i thellë i inspirimit për poezinë, për artet e bukura, për artizanatet dhe për artin e kopshtarisë së peizazhit”.
Pas luftës Kavabata shkroi edhe një sërë romanësh të jashtëzakonshme. Prej tyre dallohen: “Tingulli i malit” (1953), romani “Liqeni” (Mizuumi, 1954), “Ditë pranvere” (1954), “Rruga dytësore” (1954), “Njeriu nga Tokio” (1954), “Mendime të një bashkëshorteje” (1954), “Në mes të lindjes së një njeriu” (1955), “Shtrirja e trishtimit” (1955), “Gruaja në makinë” (1955).
Në vitet në vijim botoi libra me tregime dhe romane: “Ai vend, ky vend” (1956), “Luani dhe çupa” (1956), “Të jesh grua” (1956), “Skuqja në mbrëmje” (1957), “Një ditë” (1957), “Qyteti Hiura” (1958), “Avenyja e drurëve” (1958), “Evropa” (1958), “ajo që nuk e bëjnë meshkujt” (1958).
Kavabata është mjeshtër i penës letrare dhe krijuesi i mendimeve të fuqishme. Ka shkruar mbi njëqind tregime të shkurtra, disa faqesh. Ato i ka konsideruar si më të pëlqyera. Shumicën prej tyre i kas shkruar në të njëzetat e jetës. Ajo ka qenë “poezia rinore” e tij për të cilën ka thënë: “Shkrimtarët në rini kryesisht shkruajnë poezi, kurse unë në vend të poezisë i kam shkruar këto vinjeta (vizatime zbukurimi në një libër)”. Vazhdoi të shkruante tregime të shkurtra deri në vitet e tij më produktive pas Luftës II Botërore. Në këto tregime të shkurtra rrëfimesh mund t’i gjejmë jo vetëm elementet e njohura të botës letrare të Kavabatës në kuptimin e gjerë të fjalës – raportin e ndjenjave njerëzore dhe të bukurisë së natyrës – por edhe temat serioze të kryeveprave të tij të mëvonshme, siç janë vetëdija për një epokë të re, për vështirësitë dhe disfatat dhe pajtimi i qetë, i hidhët dhe i ëmbël me vetminë, pleqërinë dhe vdekjen e pashmangshme.
* * *
Në dhjetë vitet e fundit të jetës së vet Kavabata botoi një sërë tregimesh dhe novelash. “Poeti i madh që synon largësinë” (1959), “Bukuroshet e fjetura” (Nemureru bijo, 1960), “Bukuria dhe pikëllimi” (Utsukushisa to kanashimi to, 1961), “Qyteti i vjetër” (1961), “Përroi i petaleve të rëna” (1962), “Midis njerëzve” (1963), “Tamajura” (1965), tregimi surrealist “Një dorë” (Kataude, 1964-65) e të tjera.
Sipas prozatorit dhe dramaturgut japonez Jukio Mishima (Yukio Mishima, 1925-1870), kryevepër e Kavabatës është proza bizare-erotike “Bukuroshet e fjetura” (Nemureru bijo, 1960).
Kavabata ishte një kaligraf i shkëlqyer gjë që është shumë e rëndësishme për stilin dhe gjuhën e tij ngase elementi vizual në ideogramet japoneze ka rëndësi të veçantë. Faqet e veprave të tij janë të mbushura me përshkrime piktoreske të detajeve të parëndësishme. Syri i Kavabatës vëren detaje nga natyra dhe jeta që i mbushin veprat e tij me larmi kaleidoskopike, megjithëse të përmbajtura dhe kryesisht të përqendruara në një detaj të dallueshëm me të cilin ai ndonjëherë e ngjall të tërën si një poet haiku. Elementet më të bukura të poezisë haiku dhe të prozës klasike japoneze, në veprën letrare të tij kanë gjetur jehonë bashkëkohore. Ai e ruajti më të mirën e letërsisë së vjetër japoneze duke i dhënë asaj forma të reja dhe duke u marrë me tema bashkëkohore si dhe me problemet e njeriut modern. Idealet estetike të letërsisë klasike japoneze vazhdojnë të jetojnë edhe në veprën e Kavabatës. Termat mono no avara ose “bukuri e patregueshme dhe e trishtueshme”, wabi ose “vetmi e përmbajtur”, sabi ose “varfëri modeste”, hosomi ose “dobësi”, karumi “lehtësi shpirtërore”, okashimi ose “komedi e matur” jetojnë në faqet e veprave të Kavabatës më shumë sesa në veprat e çdo shkrimtari tjetër bashkëkohor japonez.
* * *
Ai gjithmonë e ka hedhur poshtë vetëvrasjen si një mundësi për të dalë prej problemeve jetësore. Në esenë “Ëndrra në çastet e fundit të jetës” shkruan: “Sado që njeriu të jetë i tjetërsuar nga bota, vetëvrasja nuk është akt qytetërues. Sado krenar të jetë për arritjet e veta, po qe se bën vetëvrasje, ai është larg të qenit i shenjtë dhe i urtë”.
Temën e vetëvrasjes e prek edhe në esenë “Bukuria e Japonisë dhe unë” ku thotë: “
“Nuk çuditem shumë dhe nuk shprehi dhembshuri me vetëvrasjet e tilla siç janë Akutagawa, shkrimtari i pasluftës Osamu Dazai (1909-1948) dhe të tjerë. Por kam pasur një shok i cili vdiq i ri. Qe një nga piktorët avangardë japonezë i cili po ashtu kishte menduar një kohë të gjatë për vetëvrasje. Në të njëjtën ese shkrova për të: ‘Më duket se tashmë kjo i ishte bërë shprehi. Vazhdimisht përsëriste se nuk ka art më të madh se vdekja; të vdesësh do të thotë të jetosh në kuptimin e vërtetë të fjalës’. Megjithatë, supozoja se për të, i lindur në një tempull budist dhe i arsimuar në një shkollë budiste, koncepti i vdekjes ishte krejt ndryshe nga ai në Perëndim. ‘Prej atyre që mendojnë për gjërat, a ka ndonjë që ende nuk ka menduar për vetëvrasje?’
* * *
Jeta dhe rruga krijuese e këtij mjeshtri të madh të penës përfundoi me vetëvrasje. Ai mbeti i padepërtueshëm si në veprat e tij të jashtëzakonshme, ashtu edhe në aktin e tij të fundit – atë të vetëvrasjes. Në historinë e letërsisë japoneze do të mbetet si një shkrimtar i madh i cili ndërtoi ura midis të kaluarës dhe të tashmes, kombinoi traditën dhe modernen dhe u përball me të gjitha problemet e mprehta që e shqyenin njeriun modern. La pas vetes një citadelë kryeveprash.
@tetovanews
@tn.lajmelokale