Ballina Aktualitet Kuvendi, dështim pas dështimi! Opozita i kërkon Albin Kurtit të reflektojë për...

Kuvendi, dështim pas dështimi! Opozita i kërkon Albin Kurtit të reflektojë për zgjidhjen e krizës

Deputetët e Kosovës nuk arritën as në përpjekjen e 21-të këtë të dielë, të konstituojnë Kuvendin.

Dështimi për të bërë funksional parlamentin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Dështimet e njëpasnjëshme vijojnë njësoj pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.

“Kosova dhe institucionet e saj vazhdojnë të mbesin peng i kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë, deputetit Albin Kurti. Edhe nga kjo konferencë këtu i bëjmë thirrje, i bëjmë ftesë që të reflektojë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, qytetarët e Kosovës kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja, të cilat do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë. Fatkeqësisht asgjë nuk është duke ndodhur. I bëjmë edhe një herë apel që të reflektojë në mënyrë që të ecim tutje”, tha Vlora Çitaku, deputete PDK.

Edhe në seancën e kësaj të diele, deputetët refuzuan formimin e komisionit për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Votimi i fshehtë i cili është propozuar nga Lëvizja vetëvendosje kundërshtohet nga partitë e tjera me argumentin se është antiligjor.  Lidhur me këtë çështje pritet të vendos gjykata kushtetuese pas një kërkese dërguar disa javë më parë.

Seanca e radhës do të vazhdojë të martën e 27 majit. Nga ana tjetër janë shtuar zërat për një koalicion të mundshëm mes Lëvizjes Vetëvendosjes dhe partisë demokratike të Kosovës.

Numrat e LVV dhe PDK së bashku do të zgjidhnin ngërçin e Kuvendit dhe do të ishin mjaftueshëm gjithashtu edhe për formimin e qeverisë së re.

LEXO:
VIDEO bonus:
@tetovanews
@tn.lajmelokale