Policia në kryeqytetin e Irlandës së Veriut ka ngritur alarmin për zhdukjen e një të mituri shqiptar. Autoritetet në Belfast përmes postimeve në rrjetet sociale kërkojnë ndihmë për të gjetur 16-vjeçarin shqiptar, Marvin Gjuzi, i cili rezulton i zhdukur prej 5 ditësh.
Autoritetet kanë bërë publike të dhënat e Marvin Gjuzit dhe një foto të tij, ndërsa bëjnë me dije se për herë të fundit ai është parë më 1 maj, rreth orës 13:00, duke lëvizur në drejtim të Monagh Bypass.
Policia e vendos theksin te shqetësimi për sigurinë e të riut dhe u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informacion mbi vendndodhjen e tij, të kontaktojnë policinë në numrin 101 dhe të përmendin referencën 1569 – 01/05/25.
Njoftimi i plotë i policisë së Belfast-it:
“Jemi të shqetësuar për Marvin Gjuzin, 16 vjeç, i cili është raportuar i zhdukur. Ai është parë për herë të fundit duke ecur drejt Monagh Bypass në orën 13:00 më 01/05/2025. Nëse e keni parë Marvinin ose keni ndonjë informacion në lidhje me vendndodhjen e tij, ju lutemi të kontaktoni 101 dhe të citoni referencën 1569 – 01/05/25.”
Njoftime të tilla si ky i sotmi i policisë së Belfast-it janë publikuar edhe më parë nga forcat policore në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat shpesh kërkojnë ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të miturve shqiptarë që janë marrë nën kujdesin e shërbimeve sociale pas mbërritjes në territorin britanik.
Sipas raportimeve të mëhershme, shumë prej këtyre minorenëve, të cilët konsiderohen “të zhdukur”, zgjedhin të largohen nga kujdesi shtetëror para se të mbushin 18 vjeç, për të shmangur dëbimin drejt Shqipërisë që parashihet nga ligji, duke u fshehur brenda komunitetit shqiptar në vend.
@tetovanews
@tn.lajmelokale