Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se sot ka nisur zyrtarisht përdorimi i 100 trotinetëve të rinj elektrikë në qytet, në bashkëpunim me kompaninë AR-Holding dhe platformën TROTI.mk.
Kjo nismë e re synon të përmirësojë transportin urban, duke ofruar një alternativë moderne, të qetë dhe miqësore me mjedisin.
“Po fillojmë një epokë të re të lëvizjes urbane – pa zhurmë, pa ndotje, me stil dhe përgjegjësi,” deklaroi Kasami, duke theksuar se ky është vetëm fillimi për një Tetovë më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme.
Përdorimi i trotinetëve bëhet përmes një aplikacioni të thjeshtë dhe kushton vetëm 6 denarë për minutë. Përdoruesit duhet të jenë mbi 13 vjeç, ndërsa në kushte të caktuara kërkohet përdorimi i helmetës dhe jelekut reflektues. Shpejtësia maksimale e lejuar është 25 km/h.
Për arsye sigurie, ndalohet vozitja me më shumë se një person, heqja e duarve nga timoni, si dhe transporti i sendeve me trotinet.
Ky projekt përkon me vizionin e Komunës për të ndërtuar një qytet modern, me infrastrukturë të zgjuar dhe alternativa të qëndrueshme për lëvizje.
@tetovanews
@tn.lajmelokale