Me rritjen e temperaturave ditët e fundit, ekspertët e shëndetit po ngrenë alarmin për rreziqet që sjell ekspozimi i zgjatur në diell dhe mbinxehja.
Mjekët këshillojnë që të gjithë të jenë të vëmendshëm ndaj simptomave të goditjes nga nxehtësia – veçanërisht atyre më pak të njohura, të cilat shpesh neglizhohen.
Dr. Donald Grant, mjek i përgjithshëm dhe këshilltar klinik pranë “The Independent Pharmacy”, thekson se përveç shenjave të zakonshme si temperatura e lartë e trupit (mbi 40°C) dhe lëkura e kuqe, e nxehtë dhe e thatë, një tregues i hershëm dhe i rëndësishëm është ndryshimi i sjelljes – që mund të shfaqet me konfuzion, të folur të paqartë ose nervozizëm të papritur.
Nëse nuk merren masa në kohë, goditja nga nxehtësia mund të çojë në dështim të organeve dhe, në raste ekstreme, edhe në humbje jete
Si të mbroheni?
-Shmangni diellin direkt gjatë orëve më të nxehta të ditës.
–Pini shumë ujë dhe shmangni dehidratimin.
-Vishni rroba të lehta, të gjera dhe me ngjyra të çelëta, që ndihmojnë trupin të ruajë freskinë.
–Përdorni krem mbrojtës ndaj diellit, duke e riaplikuar çdo dy orë.
-Mbani syze dielli dhe kapelë, për të mbrojtur kokën dhe sytë nga rrezet UV.
-Kërkoni hije dhe pushoni shpesh në ambiente të freskëta.
Ai shton se simptomat e dehidratimit, si marramendja, goja e thatë, etja e shtuar dhe urina e errët, janë paralajmërues që nuk duhen injoruar.
Nëse nuk trajtohet në kohë, lodhja nga nxehtësia mund të përparojë në goditje të rrezikshme nga nxehtësia.
Në rast se dikush shfaq shenja të lodhjes ose goditjes nga nxehtësia, është thelbësore që të zhvendoset menjëherë në një vend të freskët, të hidratohet dhe të qëndrojë në pushim deri në stabilizim./ TAR
@tetovanews
@tn.lajmelokale