Në Afrikë ekziston një shtet me emrin: “Republika Qendrore Afrikane”, i cili më parë (deri në vitin 1976) është quajtur: “Mbretëria Qendrore Afrikane”, prandaj emërtimi i një shteti evropian dhe ballkanik sipas këtij modeli, nuk do të ishte precedent
Nga Agim VINCA
Kontestit midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit duket se po i vjen fundi. Shqiptarët, natyrisht, nuk mund të jenë indiferentë ndaj emrit të vendit në të cilin jetojnë (fjala është për shqiptarët në Maqedoni), ndonëse as shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk do të duhej të jenë të painteresuar për emrin e shtetit në të cilin jeton një pjesë e konsiderueshme e bashkëkombësve të tyre.
Propozimi i fundit nga pala maqedonase, i bërë nga kryeministri Zaev në samitin e Sofjes: “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, të cilin dikush nga shqiptarët u kujtua pa përkthente si “Ilinditase” (?!), po refuzohet nga Greqia, por lidhur me të pati reagime, sado të vakëta, edhe nga shqiptarët, kryesisht nga disa intelektualë të paktë dhe ndonjë politikan.
Meqenëse pala greke, sipas lajmeve më të reja, nuk po e pranon këtë propozim, mbetet në opsion propozimi i mëparshëm, i bërë para tij: “Republika Gorna Makedonija”, në gjuhën maqedonase, kurse në anglisht: “Upper Republic of Macedonia”. Po në shqip? “Republika Maqedonia e Epërme”. Megjithëse ky propozim ka pasur njëfarë përkrahjeje, aty-këtu edhe nga ndonjë analist me emër (V. Surroi), as ky emërtim nuk na duket i përshtatshëm, madje jo vetëm nga prizmi shqiptar. Sepse, nëse paska “Maqedoni të Epërme”, a do të thotë se ka edhe një Maqedoni “të poshtme” dhe “të mesme”? Së këndejmi, ky propozim hap dilema të panevojshme. Pastaj, banorët e shtetit me këtë emër si do që quheshin: “Gornomakedonci”? Në gjuhën shqipe një emërtim si ky është jo vetëm i papërkthyeshëm, por edhe i pakuptimtë. Rrjedhimisht, emërtimi “Republika Gorna Makedonija”, së paku për shqiptarët, është dhe do të duhej të jetë i papranueshëm.
Shumë më i mirë se këto dy propozime do të ishte ai i para disa viteve: “Republika e Maqedonisë (Shkupi)”, të cilin me sa di e pati propozuar Athina zyrtare, kurse Shkupi zyrtar i atëhershëm, “radikal”, e pati refuzuar me pretekstin se cenon identitetin historik të vendit, sado që ky arsyetim nuk qëndron aspak.
Nuk është dëgjuar deri më sot një propozim, për të cilin kam menduar kaherë ta hedh në opinion dhe i cili do të ishte i pranueshëm besoj për të gjitha palët: edhe për grekët, edhe për shqiptarët, edhe për ndërkombëtarët e, pse jo, edhe për vetë maqedonasit: “REPUBLIKA QENDRORE E BALLKANIT” ose “REPUBLIKA QENDRORE BALLKANIKE”.
Ky emërtim reflekton pozitën gjeografike të shtetit dhe strukturën etnike të tij. Maqedonia shtrihet në qendër të Ballkanit, midis Shqipërisë, Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Kosovës, me të cilat kufizohet, kurse popullsia e saj përbëhet nga: maqedonasit sllavë dhe shqiptarët etnikë, që paraqesin dy bashkësitë kryesore etnike të vendit, por ka edhe turq, vllehë, romë, boshnjakë, serbë, grekë, bullgarë etj.
Emërtimi “REPUBLIKA QENDRORE E BALLKANIT” ose “REPUBLIKA QENDRORE BALLKANIKE” i sintetizon të gjitha karakteristikat gjeopolitike, etnike dhe, madje, edhe kulturo-historike të këtij vendi ballkanik, sikurse edhe rregullimin e tij shtetëror si republikë.
Në Afrikë ekziston një shtet me emrin: “Republika Qendrore Afrikane”, i cili më parë (deri në vitin 1976) është quajtur: “Mbretëria Qendrore Afrikane”, prandaj emërtimi i një shteti evropian dhe ballkanik sipas këtij modeli, nuk do të ishte precedent.
Përndryshe, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, e shpallur shtet i pavarur që nga viti 1991, do të vazhdojë udhëtimin e saj nëpër botë si FYROM, ashtu si po ndodh për gati tri dekada. (koha.mk)