Dhoma të mbushura përplot me violina, të vendosura sa në dollapë, në tarracë, apo edhe të tjera që janë në proces pune. Ambienti të befason kur shikon ato instrumente të rralla kur dimë se jemi në apartament të kombinuar me një punishte.
Kjo është një punishte e violinave dhe e ka një mjeshtër: është Refet Shabani, 67-vjeçari nga Tetova që i është përkushtuar me pasion punimit të instrumenteve me harqe.Kishte migruar në vitin 1985 në Zvicër, si të gjithë mërgimtarët tjerë për një jetë më të mirë. Kishte lëvizur poshtë lartë si i ri për të gjetur punë herë në Kroaci, Austri dhe së fundi në Zvicër. Këtu kishte punuar për 27 vite në të njëjtën firmë, ku edhe ishte pensionuar.
Shabani punonte në ndërtimtari të ulët: rrugë, kanale, asfalt etj. Edhe pse pa diplomë, ai kishte treguar se ka shkathtësi në zanate të ndryshme duke punuar gjithçka, mes tjerash edhe instrumente muzikore.Brenda këtyre mureve të apartamentit në katin e katërt në Niedergösgen AG, ai po e jetëson një zanat të vjetër.
Sharkisë së parë ia kishte mësyrë në moshën 13 vjeçare, jo për ta punuar si instrument por për të ekzekutuar në këtë instrument të famshëm popullor shqiptar.I rritur mes rapsodëve, sharkinë e parë e punon si 17 vjeçar. U rrit mes rapsodëve të asaj ane të Pollogut dhe mrekullohej prej tyre. Dhe kështu filloi t’i binte me mjeshtëri çiftelisë dhe sharkisë. Madje ishte ftuar edhe nëpër dasma për të argëtuar dasmorët. “Këndonim këngë patriotike, edhe pse punoja gjithë ditën në ndërtimtari”, evokon pasionin e asaj kohe.
Kujton me nostalgji se si i erdhi ideja ta bënte vetë një instrument të tillë ngase i ati i tij nuk kishte mundësi t’ia siguronte, edhe pse kishte shumë dëshirë. Ishte vetëm 17 vjeçar kur e bëri instrumentin e parë, dhe prej asaj kohe kishte bërë me qindra çifteli dhe sharki, që në të shumtën e rasteve i kishte falur.
Nuk mban mend sa çifteli e sharki ka bërë deri tani. Shtëpinë e mbushur përplot me instrumente e ka edhe në Tetovë, madje disa i ka bërë me dru panje nga Tetova.
Për të sprovuar veten, ai tashmë për 10 vite është duke punuar në punimin e violinave dhe sipas tij kur një mjeshtër arrin të punojë një violinë kjo është e arritura e tij më e lartë. Madje ka shndërruar edhe apartamentin në katin e katërt si ambient mjeshtërie, po edhe bodrumin e përdor për gëdhendjen e tyre.
Pensionisti tetovar i akordon edhe notat e violinës që nuk është punë e lehtë. Vlerësimet për akordimin e instrumentit po i merr nga nipi i tij në Maqedoni, i cili është muzikanti i vetëm në familjen Shabani.
Jo çdo dru “pranon” të bëhet violinë
Mjeshtri i violinave duhet të zgjedhë edhe drurin që përdoret për të prodhuar violina. “Druri duhet të jetë i fortë dhe më masiv. Pjesa e përparme duhet të jetë nga pisha, që është rritur ngadalë. Është si dru ahu por nuk është ah….”, tregon tetovari për materialin që përdor për punimin e instrumenteve. Në punishten e tij, Refet Shabani, gdhend për çdo ditë violina, por në të njëjtën kohë ka mësuar edhe të ekzekutojë “mbretëreshën e instrumenteve”, siç e quan ai.
Në këtë punishte në katin e katërt janë prodhuar dhjetëra violina. Pjesët tjera përbërëse, ai i blen në shitore të instrumenteve muzikore.Tashmë nipi i tij që është muzikant i shkolluar i bie violinës së prodhuar prej tij, por Refeti thotë se çiftelia për të lëshon tinguj të veçantë. Ai ka një metodë më specifike për punimin e tyre, proces që zgjat shumë deri në përfundim. “Nuk kam ndonjë zanat, e as nuk e kemi askënd në familje që ka një prirje të tillë, por ja mua më lindi ky pasion”.
Kur puna mbaron në punëtorinë e improvizuar ai kthehet sërish te instrumentet e gëdhendura për t’i dëgjuar tingujt e tyre.