Kryetari i BFI, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi ka patur ftesë për iftarin e shtruar nga kryetari Gjorgje Ivanov, por nuk ka marrë pjesë.
Nga BFIM kanë dhënë shpjegimin e tyre.
“Na është bërë ftesa zyrtare nga kabineti i Ivanovit, por përgjigja e Reisit ka qenë se një person që nuk ma njeh dhe nuk ma respekton gjuhën nuk ka çka kërkon në një tavolinë apo shoqërim me mua, theksuan për INA nga BFIM.
Mosprania e kreut të Komunitetit mysliman në këtë iftar ka qenë shuplakë për Ivanovin.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në Klubin e deputetëve në Shkup, ka organizuar sofër iftari me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku të pranishëm ishin mysafirë të ndryshëm të përkatësisë fetare islame, por edhe të tjerë.
Nga shërbimi për informim i presidentit theksuan se në sofrën e iftarit morën pjesë ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, ambasadori i Iranit në Shkup, Hossein Karimi, ambasadorja e Bosnje e Hercegovinës në Shkup, Lepa Babiq, kreu i Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) për Ballkanin dhe Evropën Juglindore, Mahmut Çevik, përfaqësues të institucioneve turke në vend, duke përfshirë nga TIKA, Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre”, Fondacioni Maarif, Oda ekonomike turko-maqedonase (MATTO), si dhe figura të shumta nga jeta publike, politike e nga komuniteti i biznesit.
Në fjalën drejtuar mysafirëve të pranishëm në sofrën e iftarit, presidenti Ivanov theksoi se kjo është hera e nëntë që ai dhe kabineti i tij organizojnë sofër iftari, duke shtuar se kjo është një shprehje e respektit për muslimanët në Maqedoni.(INA)