Ballina Aktualitet Lajme TOSHTA LËSHOHET NË BURGIM SHTËPIAK

TOSHTA LËSHOHET NË BURGIM SHTËPIAK

Pasi u alivanos dhe me ndihmë të shpejtë u dërgua në Kardiologji, i akuzuari për tentimvrasje ndaj Ziadin Selës, Aleksandar Janevski-Toshta lëshohet në burgim shtëpiak. Prokuroria Themelore në një kumtesë për mediat, ka shkruar se i ka kërkuar gjykatës që ta lirojë Toshtën pasi realisht nuk ka rrezik që ai të arratistet.

Prokurori ka vlerësuar se edhe me masa më të buta të kujdesit, Toshta do sigurohej gjatë gjykimit. Toshta gjatë javës së kaluar, në seancën e rregullt gjyqësore u irritua nga vendimi i prokurorit për të vazhduar ta kualifikojë veprën e tij në Kuvend si tentim për vrasje të Selës, dhe e pyeti nëse këtë vendim e ka me porosi politike pasi është anëtarë i VMRO-së. Në momentin kur gjykatësja deshi ta largojë Toshtën nga salla e gjykatës shkaku se nuk qetësohej, ai ra me shpinë në tokë pa vetëdije dhe menjëherë u dërgua në spital me ndihmë të shpejtë.

Ndërkohë në kumtesë, prokuroria paralajmëroi se po vazhdon ende me hetimet për të zbuluar edhe persona të tjerë që janë të përfshirë në tentimin për vrasjen e Selës që nënkupton se ky rast ka gjasa që të zgjerohet në numër edhe më të madh të të akuzuarve. /SHENJA/