Propozimi i ri për emrin e shtetit “Republika e Maqedonisë së veriut”, që erdhi si rezultat I bisedimeve mes Greqisë dhe Maqedonisë, paraqet një moment të ri pozitiv në gjetjen e zgjidhjes së përhershme të kontestit të emrit mes dy shteteve, që hap rrugë drejt integrimit të vendit në strukturat Euro-atlantike.
Ky propozimi është një emërtim i pranueshëm për të gjithë dhe nuk e dëmton realitetin multietnik të Maqedonisë, për dallim nga propozimi paraprak i Qeverisë madje i promovuar nga BDI, që shteti të mbajë një emër me karakter historik dhe fetar.
Aleanca për Shqiptarët, në parim e përkrah këtë emër dhe shpreh gatishmëri për ta ratifikuar në Kuvendin e RM-së, si dhe për t’i thënë po Referendumit, përmes së cilit qytetarët do ta japin fjalën e fundit.
Shfrytëzojmë rastin t’i falënderojmë të gjithë kontribuesit që dhanë ndihmesën e çmueshme për zgjidhjen e kësaj çështje, me theks të veçantë faktorit ndërkombëtar, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për rolin e tyre të rëndësishëm në këtë proces të gjatë për t’i bindur palët për gjetjen e një kompromisi të pranueshëm për të dyja palët, si dhe për ta ruajtur kohezionin e brendshëm politik të orientimit pro perëndimor të qytetarëve të saj.
Ky është vlerësimi fillestar i Aleancës për Shqiptarët, sa i përket vetëm propozimit të emrit të ri të Maqedonisë, ndërsa për detajet e brendshme të marrëveshjes, që tani për tani janë dhënë vetëm në formë deklarative, do të prononcohemi pasi ta kemi në dorë marrëveshjen me të gjitha detajet që do ta rregullojnë edhe çështjen e shtetësisë dhe përkatësisë kombëtare të shqiptarëve dhe të tjerëve.