Qytetarët ankohen se heqin “të zitë e ullirit” nga numri i madh i mushkonjave të pranishme si në ambientet e hapura ashtu edhe në ambientet shtëpiake. Ata thonë se zakonisht kanë probleme pasi pickohen nga mushkonjat. Të anketuarit deri tani nuk kanë pasur probleme serioze.
“Deri vitin e kaluar nuk kam pasur shumë probleme me mushkonjat. Ka mushkonja, nuk di çfarë të them më shumë. Tani e vërej që kam më shumë problem. Këtë vit po më sulmojnë, përndryshe mushkonjat ikin nga unë. Këtë vit kafshojnë, janë më të rrezikshme.”
“Po kemi nga pak probleme. Jo aq shumë por përsëri ka mushkonja. Ka mesatarisht, edhe vitet e kaluara kishte por edhe tash ka. Nuk kemi pasur raste me infeksione për fat të mirë.”
Mjekët thonë se pavarësisht spërkatjes së vonuar kundër mushkonjave, deri tani nuk janë paraqitur probleme të komplikuara tek qytetarët nga prekja e mushkonjave. Mjekja Vesna Nedellkovska thotë që të mos vihet deri tek këto probleme qytetarët duhet të përdorin produkte natyrore por edhe preparate artificiale për mbrojtje nga mushkonjat.
Për fat të mirë këtë vit nuk kemi pasur ndonjë rast më serioz që vjen si pasojë e prekjes nga mushkonjat. Në përgjithësi prekja nga mushkonjat nuk është ndonjë problem serioz përveç në raste të veçanta kur ka reaksione alergjike ose nëse mushkonjat bartin ndonjë sëmundje. Në Maqedoni fatmirësisht këtë vit ende nuk është regjistruar ndonjë sëmundje që është pasojë e prekjes nga mushkonjat. Eventualisht si ndihmë e parë duhet të freskohet vendi duke përdorur gjëra natyrore që secili i ka në shtëpi si liman, akull. Tu vendosim rrjete dritareve, të përdorim preparate që t’i parandalojnë mushkonjat – deklaroi Vesna Nedellkovska, mjeke.
Nga Qyteti i Shkupit kanë lajmëruar se sot gjatë orëve të hershme të mëngjesit ka filluar faza e parë e spërkatjes nga qielli kundër mushkonjave. Nga atje njoftojnë se aksioni i spërkatjes do vazhdojë edhe sonte në rast se e mundësojnë kushtet klimatike. Afati i parë i spërkatjes i dhënë nga Qyteti i Shkupit ishte 3 korriku por pastaj u shty. Për shtyrjen e afateve Kreu i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov një ditë më parë u arsyetua me kushtet klimatike të papërshtatshme. Gjatë viteve të kaluara, në këtë periudhë realizohej faza e dytë e spërkatjes.
Elmedina Aliji