Enver Bytyçi
Si sot tetë vite më parë në Hagë të Holandës Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e saj këshilldhënës për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryetari i kësaj gjykate, japonezi Hisashi Oëada, deklaroi se sipas këtij vendimi “deklarata e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se kjo deklaratë gjtihashtu “nuk është në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”!
Ishte hera e parë në historinë e kësaj gjykate, kur asaj iu desh bazuar në një kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të tetorit 2008 të merrte një vendim për çeshtje të tillë. Kërkesa e Asamblesë ishte produkt i këmbnguljes së ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq.
Vendimi i GJND për të legalizuar dhe legjitimuar pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj u mor me 10 vota pro e katër kundër. Në përgjithësi kundër votuan gjyqtarë që vinin nga vendet, të cilat deri aso kohe nuk e kishin njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Për të realizuar aksionin e tij kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj Beogradi zyrtar zhvilloi një diplomaci agresive në të gjitha vendet, të cilat besohej se do të ndikonin në këtë vendim. Vendet kryesore, ku ministri serb, Jeremiq, u mbështet ishin ato që Xhorxh Ë. Bush i konsideronte si “Aksi i të keqes”, si Irani. Shqipëria nga ana e saj punoi fort me vendet e tjera, por pa bujë, dhe procesin e konsideroi si një sfidë të radhës.
Vendimi GJND u duk se i dha fund kontestimeve dhe diskutimeve për aktin e shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri në Europë. Pas këtij vendimi diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë besuan se njohjet do të shtoheshin, madje se kapitulli i njohjes do të mbyllej tashmë. Por nuk ndodhi kështu. Diplomacia e Beogradit e konsideroi vendimin e Hagës thjesht si një opinion dhe jo si akt përfundimtar të njohjes së shtetësisë së Kosovës. Politikanët serbe u angazhuan për rifillimin e një procesi të ri të diskutimeve. Ban Ki-Moon, sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, shpalli platformën e tij për bisedime për çeshtje teknike midis Prishtinës dhe Beogradit. BE shpalli qëndrimin e saj politik se “ishte e gatshme të lehtësonte këtë dialog”!
Kështu nisi një etapë e re për Kosovën. Bisedimet teknike pas disa muajsh morën karakter të theksuar politik, derisa më 19 prill 2013 u nënshkrua marrëveshja kornizë, në të cilën u parapa krijimi i Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë ose një “Republikë Srpska”, me qëllim imponimin e vendimmarrjes në vend, madje dhe krijimin e kushteve për autonomi të zgjeruar territoriale. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq ishte dhe mbetet themeli i konfliktit të brendshëm politik në Kosovë si dhe një shqetësim permanent për qytetarët e saj. Ndaj gjykata kushtetuese e vendit e anulloi atë.
Pavarësisht kësaj, lidershipi serb ka mundur që ta avancojë interesin e saj për Kosovën. Sipas Beogradit “Kosova është një punë e pakryer” e për pasojë do të duhet “një konferencë ndërkombëtare për përmbylljen e procesit”! Qëllimi është që për statusin e pavarësisë së Kosovës të nisë procesi nga e para. Fatkeqësisht kreu i Grupit Negociator të Kosovës, Hashim Thaçi, me rekomandim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e ka pranuar këtë skemë diversioniste të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kësaj skeme i është bashkuar edhe “mikesha” italo-europiane, Frederica Mogherini, duke nxitur zgjidhje, të cilat zhvleftësojnë pavarësinë e vendit, integritetin e sovranitetin territorial të tij e për pasojë i jep një goditje të rëndë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të datës 22 korrik 2010 në Hagë.
Atë që nuk mundi ta bëjë asokohe diplomacia serbe e Jeremiq, po e bën tani Hashim Thaçi dhe Edi Rama, madje me një përkushtim të spikatur dhe me mjete më radikale sesa ato të ish-shefit të diplomacisë serbe të vitit 2010. Ndarja e Kosovës ishte opsion i Tadiq, por jo edhe i Jeremiq. Ky projekt ishte hartuar nga Dobrica Qosiq në Beograd dhe përkrahur fort nga Rexhep Qosja i Kosovës. Më pas ndarja u projektua nga i ndjeri Xhnixhiç dhe u përkrah nga Hashim Thaçi, me kushtin që ky i fundit të ndihëmohet prej Beogradit për të ardhur në pushtet e për ta mundur Ibrahim Rugovën.
Meqenëse Xhinxhiç nuk pati jetë të implementonte projektin e ndarjes, Hashim Thaçi në bashkëveprim me Koshtunicën improvizuan ngjarjet e 17-18 marsit 2004, me qëllim që diplomacia serbe të merrte fuqi më të madhe dhe të imponohej në bisedimet për statusin e Kosovës. Kësisoj ndihmonte edhe ardhjen e Thaçit në pushtet. Ideja fikse e Hashim Thaçit ishte se “Ibrahim Rugova nuk duhej të sillte pavarësinë”! Madje sllogani i tij që u përhap e shpallte hapur këtë ide. Sipas atij sllogani “Nëse pavarësia vjen prej Rugoës, atëherë mos ardhtë kurrë, ne jemi gati të pranojmë Serbinë, mjafton që autor i pavarësisë të mos jetë Rugova”!
Dikush mund të habitet, por ky është mentaliteti arkaik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ndoqi modelin politik të së majtës së Shqipërisë, nxitoi të grabitë pronat e Kosovës, me qëllim grumbullimin e parave të paligjshme dhe në këtë mënyrë ta merrte pushtetin me manipulime, dhunë, grabistje, shitblerje të votës, njësoj si në Shqipëri. Nuk u ndal para asgjëje, mjafton që ta likuidonte rivalin e tij të pakontestueshëm, Dr. Ibrahim Rugovën, i cili nuk nguronte që t’u bënte thirrje qytetarëve që “t’i japin vota edhe Hashimit”!
Sot Hashim Thaçi duke përdorur pushtetin e ka thërmuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, sepse ka pranuar që procesi i pavarësisë të ridiskutohet, madje që edhe integriteti dhe sovraniteti i Kosovës të vihen në pazar. Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë, ashtu si Rezoluta 1244 e kanë njohur njëkohësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Rezoluta e KS të OKB-së e vendosi Kosovën jo nën Serbi, siç thuhet shpesh, por maksimumi nën Jugosllavinë. Shkëputja e Malit të Zi i dha fund të ashtuquajturës Jugosllavi e për pasojë Kosova nuk kishte asnjë detyrim ligjor ndërkombëtar të pranonte sovranitetin serb. Grupi i Kontaktit, përfshirë Rusinë, vendosi që gjatë bisedimeve për statusin të ndalohej kthimi në situatën e para 10 qershorit 1999, si dhe të ndalohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ky grup nuk ndaloi pavarësimin e Kosovës. Madje rikonfirmoi ruajtjen e integritetit territorial të vendit. Vetëm Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq janë për shkatërrimin e integritetit territorial të saj. Natyrisht të mbështetur fort nga Edi Rama i Tiranës.
Kosova duhet t’i thotë jo këtij funerali për Kosovën. Për interesat e Hashim Thaçit dhe të Edi Ramës nuk mund të cënohet territori i Kosovës. Cënimi i territorit do ta shkatërronte vetë pavarësinë, do të shkaktonte luftë dhe konflikt të ri në Ballkan, do të sillte në vëmendje rikthimin e çeshtjeve të pazgjidhura në Maqedoni, Greqi me Çamërinë, në Bosnjë-Hercegovinë, Vojvodinë, Sanxhak e ndoshta edhe në Mal të Zi. Presheva do të riniste një pranverë tjetër si ajo e vitit 2000 e kështu me radhë! Kush do të fitojë?! Në një luftë të dytë fitues real nuk do jetë askush, por Serbia shpreson se do bëjë realitet ëndërrën e saj shoviniste në Ballkan. Ndihmës në këtë mision ajo ka tashmë Hashim Thaçin dhe Edi Ramën, pa përmendur shërbëtorët e tjerë politikë e mediatikë.
Tiranë, më 22 korrik 2018