KOMUNIKATË
Sipas parashikimeve të meteorologëve, cikloni Andrea i cili karakterizohet me reshje intenzive të shiut, erëra të forta dhe stuhi pritet ta kaplojë edhe vendin tonë në 48 orët e ardhshme. Për këtë arsye komuna e Tetovës dhe SPB Tetovë, kanë formuar shtabin e emergjencës i cili do të ndjek situatën dhe do të marrë aktivitetet e nevojshme në drejtim të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.
Komuna e Tetovës njofton qytetarët se në bazë të informacioneve nga Shërbimi Kombëtar Hidrometeorologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, për gjendjen aktuale me motin dhe mundësinë e reshjeve intenzive, janë vënë në shkallë të gatishmërisë së plotë të gjitha ekipet mobile të NPK Tetovës dhe Njësisë Teritoriale Kundër Zjarrit (NJKTZ).
Këto grupe janë tashmë në teren dhe punojnë intenzivisht në pastrimin e kanaleve dhe në territorin e komunës me të gjitha kapacitetet e disponueshme, si mekanike ashtu edhe njerëzore.
Gjatë ditës së djeshme dhe sot janë pastruar rrjeti i kanalizimit dhe shahtet tek kazerma e qytetit, rreth rrotullimi tek Agrokalishta, Bloku 70, Rruga K.R Drnc, Lagja Drenovec, nënkalimi i rrugës për në fshatin Falish, si dhe lokacione të tjera që në të kaluarën janë evidentuar si pika kritike. Gjithashtu një muaj më parë është bërë edhe pastrimi i shtretërve të lumejve në fshatrat Poroj dhe Reçicë e Madhe.
Apelojmë kompanitë ndërtimore të bëjnë çkyçjen e pompave në gropat e ndërtimit, kurse qytetarët luten të mos i parkojnë automjetet e tyre mbi shahtet e kanalizimit apo në afërsi të drunjëve, me qëllim që të mundësohet interevenim i shpejtë dhe në kohë i grupeve mobile në teren. Gjithashtu bëjmë thirrje deri tek qytetarët që në rast të zbrazjeve elektrike atmosferike të mos qëndrojnë në vende të hapura apo në afërsi të drunjëve.
Poashtu apelojmë që brenda këtyre 48 orëve qytetarët të evitojnë qarkullimin e panevojshëm, në këmbë apo me automjetet e tyre.
Në rast të paraqitjes së reshjeve intenzive dhe vërshimeve për asistencë dhe ndihmë qytetarët mund të drejtohen në numrin e telefonit 193 (NJKTZ Tetovë – Brigada për shpëtim), si dhe numrin 072 798 910 – Qendra për Informim dhe Koordinim pranë SPB Tetovë, dhe numrin e kujdestarisë 072 798 911!