Ballina Aktualitet Opinione Një Imam i urtë në kujtimet e mia, Hafiz Taxhuddin Shehabi

Një Imam i urtë në kujtimet e mia, Hafiz Taxhuddin Shehabi

Hafiz Metin Izeti

Isha një hafiz I ri trembëdhjetëvjeçarë kur pata vajtur për të mësuar gramatikën e gjuhës arabe sipas metodave klasike pranë hoxhës të njohur të Tetovës Garib Efendiut. Hoxha efendiu mësimet me ne i zhvillonte pas namazit të drekës. Shkova te xhamia e Çarshisë së Epërme në Tetovë të fali namazin e drekës dhe më pas të filloj me mësimet e gjuhës arabe pranë Garib Efendiut. Isha ulur në safin e tretë në xhami kur muezzin filloi me ikametin dhe përnjëherë para syve të mi u paraqit një njeri shtatlartë dhe fytyrndritur i cili me hapa të rëndë, siç ishte edhe vetë ai, eci drejt mihrabit të xhamisë. Imagjinata ime përnjëherë eci në kohë, here prapa e here para, dhe e përjetova imazhin e një personi të thellë, me qëndrim krenarë përplot me modesti të imamit të xhamisë.

Ishte hera e pare që e shihja, edhe pse kisha dëgjuar prej gjyshit tim, rahmet paste, për të si dhe për babain e tij Sulejman Efendiun, të cilin tetovarët e vjetër e kishin emërtuar Hoxha me fustan, për shkak se e kishte pasur traditë të veshë galabi të bardhë e të gjatë nën xhuben e tij. Që atëherë zemra ime u dridh me një dashuri fëmijërore, si ajo që përjetohet ndaj prindit, ndaj imamit të nderuar të xhamisë së çarshisë së epërme Hafiz Taxhuddin efendiut. Pasi e përfunduam namazin e drekës iu afrova për t’ia puthur dorën i emocionuar tej mase. Hafizi më përqafoi dhe më pyeti se i kujt isha. I tregova kush jam dhe atëherë më përqafoi edhe njëherë dhe i rrodhën lot prej syve. Ai nuk më kishte takuar më parë, por e dinte se prej cilës familje jam dhe se isha jetim. Ndoshta lotët e tij rrodhën për shkak të këtij fakti, ose për shkak se pas një kohe të gjatë prej një familjeje të zakonshme tetovare dilte një hafiz i ri në Tetovë. Ta them të drejtën, si fëmijë, u habita se pse i rrodhën lot prej syve asokohe, por tash e kuptoj qartë dertin e tij dhe djersitjen e shpirtit të tij përmes lotëve.

Pas këtij takimi shpeshehrë shkoja në xhaminë e çarshisë së epërme, veçanërisht në namazet që falen me zë, në namazin e akshamit dhe të jacisë, vetëm për t’u kënaqur në mënyrën e qetë se si e falte namazin Hafiz Taxheddini dhe ta përjetoj zërin e tij mahnitës dhe të rëndë. Me hafizin takoheshim shpesh edhe në mexhliset e ndryshme të hatmeve dhe mevludeve të cilat më pare ishin shumë të shpeshta në qytetin e Tetovës. Kohëve të fudnit, jeta dinamike e ka ngulfatur edhe këtë traditë të organizimit të ndejave fetare në shtëpitë e besimtarëve dhe si rrjedhojë sarëku i hoxhës tashmë fare nuk është i pranishëm në shtëpitë e besimtarëve. Edhe ata që bëjnë ndeja fetare në raste të synetive apo pas vdekjes së ndonjë të afërmi tashmë i bëjnë nëpër restorane të mëdha, ku unë, por mendoj se edhe pjesa më e madhe e të pranishmëve, nuk mund ta përjetojnë emocionimin e përgjërimit për hire të dashurisë ndaj Allahut xh.sh. dhe Pejgamberit a.s..

Hafiz Taxhuddini nuk ishte vetëm një individ ai ishte një përmbledhje dhe vatërzim i kulturës fetare në trojet tona. Për mua ishte një “mjeshtër i urtë” që nuk fliste shumë por kishte një gjuhë mahnitëse trupore (body language). Ai ishte imam, mësues, i urtë, i sjellshëm, zemërgjerë për më të rrinjtë, i matur, i buzëqeshur dhe gojëëmbël.

Në rastet kur ne si më të rrinjë, veçanërisht në vitet kur kthehesha për pushime nga studimet, polemizonim me disa persona që si sofistët kishin dëshirë vetëm ta turbullojnë ujin nëpër mexhlise, ai qëndronte i heshtur, dëgjonte me vëmendje dhe atëherë kur do t’i pëlqente diçka nga biseda jonë vetëm buzëqeshte dhe e zbukuronte edhe më fizionominë e tij edhe ashtu të bukur. Unë shpeshherë dija të polemizoj vrrullshëm nëpër mexhlise, ndërsa ai asnjëherë nuk inkuadrohej, por asnjëherë edhe nuk më thoshte që mos shpejto, ki kujdes, mos u konfronto me njerëzit. Të tjerët shpeshherë më këshillonin që të kem kujdes dhe ta kontrolloj temperamentin, ndërsa ai kurrë nuk më thoshte gjë, edhe pse e dinte që shumë e dua dhe e respektoj, sikur më lejonte që të edukohem në trajtë të natyrshme.

Ta them të drejtën, tash kur më kujtohen ndejat ku ka qenë i pranishëm edhe hafizi i nderuar, skuqem dhe turpërohem me çfarë guximi kam folur para tij, edhe pse ai gjithnjë insistonte duke bërë me shenjë që ta marr fjalën dhe ta sqaroj çështjen. Njëherë ishim në një ndejë pas namazit të jacisë në një familje tetovare e cila ishte kthyer prej haxhit dhe aty kishte të pranishëm edhe disa persona të cilët ishin pasuruar vonë dhe përpiqeshin që të shesin aristokraci (agallëk) për shkak të pasurisë.

Mua më pengonte shumë ky qëndrim dhe intervenova duke e sqaruar kuptimin e vërtetë të fisnikërisë, se nuk ka të bëjë me pasurinë, por me dijen, urtësinë, vepërmirësinë, ndihmën të tjerëve e kështu me rradhë. U bë polemikë e bujshme aty, pasi një pjesë e të pranishmëve e morrën mbi vete bisedën, atëherë Hafizi me zërin e rëndë dhe të matur të tij vetëm tha: Hafizi ka të drejtë!. Të pranishmit nuk ishin të mësuar që Hafiz Taxhuddini të folë me atë ton të ashpër, prandaj edhe të gjithë heshtën pa nxjerrur zë.

Ditët e diela pas namazit të iqindisë së bashku me një grup të xhematit të xhamive të Tetovës Hafizi dilte për piknik në një livadh në dalje të Tetovës, në rrugën për në Shkup. Aty përgatitej ushqim dhe hallvë dhe bëheshin shumë biseda të këndshme. Edhe pse të pranishmit në këto ndeja ishin shumë më të moshuar se unë, ai çdoherë më ftonte edhe mua dhe aty e përjetoja edhe më këndshëm afërsinë e tij. Më pëlqente edhe maturia e tij se si hante ushqim, si pinte çaj dhe si e mbante cigaren. Ishte një zotni i vërtetë.

Namazin e xhenazes së tij e kam përjetuar shumë rëndë. Namazin doli për t’ia falur Hafiz Abaz Jahja, i cili vështirë e përfundoi prej lotëve që i rridhnin rrëke. Të gjithë ishim të përlotur. Inshallah Zoti na bashkon me Hafizin dhe shoqërinë e tij në kopshtet e xhenetit.