Shqiptarët tentojnë të ikin ilegalisht drejt Britanisë, duket “thyer sigurinë” e portit Esbjerg të Danimarkës. Media “Dr.dk” ka bërë një shkrim për shqiptarët që tentojnë të hyjnë ilegalisht në port. Madje ka publikuar edhe një video (këtu mund të ndiqni videon) ku shikohen të rinjtë shqiptarë që tentojnë të futen nga ana e pasme e kamionëve, të cilët vendosen në anije dhe destinacion kanë “tokën e premtuar”, Anglinë.
Që nga vera, në portin e Esbjergut është rritur numri i shqiptarëve që fshihen nëpër kamionë dhe tentojnë të shkojnë ilegalisht drejt Britanisë të Madhe.
Në tre muajt e parë të vitit, 54 shqiptarë janë ndaluar në portin e Esbjerg, pasi kanë tentuar të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Angli.
Për transportuesit “Henrik Skov Christensen”, që shpesh eksporton ushqim me kamionë, ka pasoja të mëdha financiare kur njerëzit fshehin në ngarkesë.
“Kur ata fshihen dhe ulen midis ushqimit për tre deri në pesë ditë, ushqimet prishen”, thotë një zyrtar i “Henrik Skov Christensen”.
Udhëtimi nëpër Kanalin Anglez zgjat 18.5 orë. Nëse shqiptarët gjenden në kamion kur zbarkojnë në bregdetin anglez, gjoba të mëdha i vendosen edhe kompanisë së kamionëve ku fshihen shqiptarët.
Për median e Danimarkës ka folur një shqiptar, i cili ka tentuar disa herë të iki drejt Britanisë. Pranë portit ndodhet një shtëpi e braktisur ku shqiptarët gjoja janë duke qëndruar para se të tentojnë të udhëtojnë ilegalisht drejt Anglisë.
Pas dy tre trokitjesh në derën e shtëpisë së braktisur, ajo hapet nga një i ri me flokë të errët dhe mjekër. Shqiptari i cili dëshiron të mbetet anonim flet për tentativat që ka bërë për të kaluar ilegalisht drejt Britanisë.
“Me thënë të drejtën edhe unë kur kam ardhur thjesht e kam provuar dy ose tri herë me ik. Një burrë këtu më ndihmoi. Ai më dha një vend për të fjetur dhe më ofroi punë”, tha i riu shqiptar.
Para se shqiptari të shkonte në Danimarkë, ai kishte ndjekur shkollën e mesme në vendin tonë. Por sipas tij, ai nuk kishte qenë nxënës i mirë në mësime dhe kishte vendosur të emigronte.
“Doja me ik në Angli ngaqë më pëlqen vendi. E kam provuar edhe herë të tjera. Nuk është se e kam pas ëndërr, por mendoj se është një mënyrë jetese më e mirë atje”, tha ai.
Problemi me shqiptarët ka bërë që porti i Esbjerg të rrisë sigurinë me kamera, gardhe më të larta me tela me gjemba dhe më shumë patrulla.Për këtë situatë ka folur edhe Michael Fries, i cili është përgjegjës për sigurinë e portit në Portin e Esbjerg.
“Janë prerë telat dhe janë krijuar vrima ku ata zvarriten poshtë gardhit me gjemba. Pasi hyjnë ata shikojnë situatën dhe presin mbulesën e kamionëve duke u fshehur brenda tyre”, thotë Michael Fries.
Shqiptarët mund të udhëtojnë lirisht në Danimarkë, sepse shtetasit shqiptar mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE. Por shqiptarët nuk kanë të drejtë të hynë në Britani pa u pajisur me viza.