Nga Anxhela Devole
Paraditen e sotme, në Pallatin e Kongreseve është mbajtur konferenca për shtyp e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në prag të çeljes së edicionit të 21 të Panairit të Librit.
Të njëjtat Shtëpi Botuese, duke përfshirë edhe disa të reja nga Maqedonia e Mali i Zi, institucione të angazhuara me botimin e librit, Organizata “Jofitimprurëse” që merren me librin, Ambasada të huaja, libraritë etj., do të jenë pjesë e edicionit të 21 të Panairit të Librit.
Kati i parë dhe i dytë i Pallatit të Kongreseve do të jetë i mbushur me ekspozues, si zakonisht. Gjatë ditëve të Panairit (14-18 nëntor) do të ketë shumë aktivitete të secilës Shtëpi Botuese, por edhe të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, mbi 60 aktivitete, në stendat e shtëpive botuese, takime të autorëve, përkthyesve, botuesve me lexuesit. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë njoftoi se tema e këtij edicioni të 21 të Panairit të Librit është leximi.
“Ndoshta edhe të shtyrë nga diskutimet e shumta që janë bërë pas anketimeve të INSTAT dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë për rënien drastike të leximit.
Ju e dini konkluzionin e Instat se rreth 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër në kuadër të një viti. Edhe për këtë, por edhe për shumë arsye të tjera, sepse ky rezultat i anketimit të INSTAT ka shkuar pak a shumë në të njejtën vijë edhe me rezultatet e anketimeve që kemi bërë ne, leximi ka rënë dhe arsyet janë të shumta, sociale, ekonomike, psikologjike apo arsimore.
Prandaj kemi zgjedhur këtë temë dhe në valën e kësaj teme ka edhe shumë aktivitete që lidhen me leximin. Një prej tyre, më i rëndësishmi, organizohet nga Shoqata e Botuesve, për leximin, prirjet e tij, aktivitet i cili do të zhvillohet më datë 15 nëntor, në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, ku do të ketë studiues, botues, autorë, përkthyes, pedagogë, mësues etj., për të diskutuar problemet e leximit dhe si mund ta përmirësojmë këtë gjendje. Kjo nuk është një situatë që ka ardhur as për disa muaj, as për disa vjet. Kjo është një situatë e krijuar prej më shumë se dy dekada, gati pothuajse tri dekada. Rënia e interesimit të shoqërisë, të institucioneve për leximin, dhe vimë në këtë gjendje”, tha Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Z. Petrit Ymeri.
Sipas Ymerit, për t’u përmisrësuar gjendja dhe për të ardhur aty ku ishim duhen përsëri 15 ose 20 vite të tjera. Por kjo do një angazhim të të gjithëve, të të gjithë operatorëve, por në radhë të parë të institucioneve.
Si zakonisht, edhe këtë vit do të jepen çmimet e Panairit. Ceremonia është ditën e shtunë, në orën 12:00. Do të japim dy çmime për autorë, dy çmime për përkthyes, çmimi inkurajues, ndoshta edhe çmim për letërsinë për fëmijë, por aty jemi pak dobët. Pra, do të kemi një sërë çmimesh.
Kemi edhe çmime të veçanta, çmime speciale, meqë edhe situata këtë vit është speciale pasi është viti Mbarëkombëtar i Skëndërbeut. Numri i ekspozuesve është rreth 100. I njëjti vit si gjtihmonë, duke shtuar edhe pjesëmarrjen nga Shtëpitë Botuese nga Maqedonia e Mali i Zi.
I pyetur nga gazetarët lidhur me institucionet që mbështesin këtë event të rëndësishëm, Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Z.Ymeri u shpreh: “Kemi vetëm mbështejte nga Ministria e Kulturës, një mbështetje modeste, dhe asnjë mbështetje tjetër. Përbën problem, por jemi mësuar tashmë me këtë situatë.
E rëndësishme për ne është mbështetja te njëri-tjetri, gatishmëria për të marrë pjesë, përgatitja serioze e pjesëmarrjes në Panairin e Librit, dhe akoma më i rëndësishëm, besimi i lexuesit. Kjo është mbështetja jonë më e madhe.
Fakti që ne e kemi lexuesin me vete, që pesë vite të panairit ky pallat i Kongreseve është plot me lexues të të gjitha moshave, fëmijë, fëmijë me prindër, të rinj, të reja, të moshuar, punëtorë, intelektualë etj., kjo është mbështetja më e madhe.”