U hap sot Panairi i 21 i Librit “Tirana 2018″. Panairi i Librit “Tirana 2018” (14 – 18 nëntor), është Panairi i 21 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës. Panairi mbahet në Sallën e Kongreseve, në qendër të qytetit.
Sipas organizatorëve, synimi ynë është të përgatisim një aktivitet me një nivel edhe më të lartë.
Panairi i Librit, si zakonisht, do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore për botën shqiptare, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Ai do të ketë si objekt kryesor paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitin e fundit.
Organizatorët garantojnë se ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit, puna e të cilëve ka në epiqendër librin: autorë, botues, përkthyes, përfaqësues të shtypit dhe medias me qëllim zhvillimin e kontakteve midis tyre dhe promovimin e leximit në publikun e gjerë, veçanërisht te të rinjtë. Ky panair do të shndërrohet edhe në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën.
Nesër, Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë konferencën “Sfidat e leximit sot! Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”, në një panel diskutimi me botues, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave, përkthyes etj., për të shkëmbyer mendime rreth promovimit të leximit dhe edukimit të lexuesve, fëmijë dhe të rinj.