Protesta e studentëve vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve prej disa ditësh. Edhe pse arritën të fitonin në një pikë të kërkesës ndaj Ministrisë së Arsimit, ata vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur në kërkesat e tyre të tjera, siç është përgjysmimi i tarifës apo edhe përmirësimi i kushteve në konvikte. Në monologun e kësaj puntate Mustafa Nano kishte pikërisht një thirrje ndaj studentëve. Ai u kërkon që të zgjerojnë kërkesat dhe mos të qëndrojnë vetëm brenda “lagjes” së tyre, për t’i dhënë kështu një leksion të gjithë shoqërisë shqiptare.
Nga Mustafa Nano
“Studentët kanë dalë nëpër rrugë. Janë të gjithë bashkë. Filimisht, mua m’u duk një protestë e mjerë, me kërkesa që ishin në harmoni me ethosin e korruptuar të shoqërisë e të politikës. E tillë ishte kërkesa që i bëhej qeverisë që studentët mbetës të mos paguanin ndonjë taksë për përtacinë e tyre. U shpikën lloj-lloj argumentesh për ta justifikuar këtë kërkesë, por që të gjitha janë një pesë me hiç. Sipas meje, ajo kërkesë e komprometonte çdo pretendim për një protestë të fisme. Edhe kërkesat e tjera nuk të ngrofnin shumë. Ishin ngushtësisht studentore. Do thotë ndonjëri: Po ata studentë janë! Ok, por duke dashur që të bëhen zëri i një dëshire të madhe popullore, unë do doja t’u bëja një apel studentëve.
Hej studentë, hapeni rrethin e kërkesave. Sot e kishit hapur disi, por kishit mbetur sërish brenda lagjes suaj. Ndërkohë që ky vend ka një nevojë dramatike për një shkundje të fortë, një shkundje që të jetë leksion për të gjithë. Dhe këtë shkundje nuk ka se kush ta bëjë. Shoqëria shqiptare është tërësisht e korruptuar. Janë të korruptuara klasa politike, media, bota e biznesit, elita kulturore, ndërsa vetë masa e madhe është e paorganizuar, dhe e papërgatitur të bëjë shkundje të tilla. Masa e madhe është e nënshtruar, gjë që shprehet edhe tek ideja që është përhapur si një flamë se ky vend duhet lënë, nga ky vend duhet ikur. Prandaj të dashur studentë, mos u largoni nga rrugët. Dhe filloni të kërkoni çfarë shumica shqiptare e do, pa mundur ta thotë, pa mundur ta bëjë. Bëhuni interpretë të këtyre dëshirave që kanë mbetur dëshira.
Nxirreni këtë vend nga balta, ku e kemi futur ne të tjerët. Nuk them se duhet të krijoni një parti. Pse jo xhanëm, por nuk është kjo që më shkon në mendje. Dhe nuk është kjo që na duhet në mënyrë urgjente. Thjesht dilini zot këtij vendi. Mos e lini këtë vend në dorë të njerëzve me moral të prishur që po na prishin të gjithëve. Kërkoni gjëra që i kapërcejnë interesat tuaja të momentit, kërkoni që në këtë vend të ketë më shumë meritokraci, kërkoni nga bashkëmoshatarët tuaj në radhë të parë që të largohen prej strukturave rinore partiake, që janë instancat publike më të ndotura në këtë vend, kërkoni nga prindërit tuaj që t’i lënë në baltë partitë e mëdha dhe krerët e tyre, sepse janë ato që janë kanceri i Shqipërisë së sotme. Dhe ndoshta kjo gjë mund t’i bëjë partitë të ndryshojnë, nëse ju nuk i qëroni fare nga faqja e dheut. Mos e lini këtë momentum të lëvizjes suaj të mbetet një hare popullore, dhe kaq. Dhe nëse vijoni me protestën tuaj, nëse këtë protestë e bëni politike, mos pranoni që protestës suaj t’i ngjiten njerëz të tjerë, mos pranoni pjesëtarë të elitës politike kulturore që gjithë këto kohë nuk kanë ditur të bëjnë gjë tjetër, veçse shërbime majtas e djathtas, dhe kështu kanë vënë një vulë të tyren në të gjitha dëmet që i janë bërë vendit gjatë tridhjetë viteve të fundit.
Është e rëndësishme kjo që po them, pasi po shoh shumë vetë që duan t’i hipin karros suaj të fitores, në një kohë që kjo karro nuk është e tyre, dhe nuk është as e fitores, nuk është ende e fitores, sepse asgjë nuk keni arritur. Edhe nëse ju plotësohen të gjithë kërkesat, dhe do t’ju plotësohen, ju përsëri do të mbeteni banorë të një vendi të kapur për fyti prej pjesës më të keqe të Shqipërisë, dhe me pjesë të keqe kam parasysh njerëz, por më së shumti vese, zakone, doke, e sjellje morale, domethënë imorale, që ne si komb i kemi manifestuar shpesh në histori, për të keqen tonë. Sepse nëse jemi këtu ku jemi, jemi për shkak të asaj që ne kemi qenë e kemi bërë në histori. Ne jemi këtu ku jemi, sepse e meritojmë të jemi. E prandaj, na duhet një shkundje, të cilën, nëse nuk e bëni ju, nuk ka se kush ta bëjë.
Ok, kjo është një dëshira e imja. Dhe ndoshta e tillë ka për të mbetur. Që m’u thaftë goja, m’u thaftë”!