Ballina Aktualitet Maqedonia e Veriut Ivanov: Nuk kam asnjë lidhshmëri me 27 prillin

Ivanov: Nuk kam asnjë lidhshmëri me 27 prillin

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, hodhi poshtë informacionet mbi përfshirjen e kabinetit të tij në ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill 2017, apo për siç është thënë “qëllimin e tij për shpalljen e gjendjes së luftës në vend”. Në një paraqitje para opinionit, Ivanov tha se ndaj tij tani një kohë të gjatë po zhvillohet një fushatë për të diskredituar pozitën e tij dhe se e gjithë kjo, siç tha, mund të ketë edhe ndonjë prapavijë për ndonjë proces gjyqësor.

“Gjithçka mund të bëjnë, edhe të më arrestojnë, por në këtë shtet ka institucione”, deklaroi Ivanov, i pyetur nëse mund të arrestohet pas akuzave për përfshirjen e tij në ngjarjet e dhunshme në Kuvend.

Kreu i shtetit tha se ditëve të fundit është “dëshmuar se më shumë u besohet deklarimeve të atyre që po gjykohen për 27 prillin se sa institucioneve”, duke aluduar në kabinetin e tij, shërbimin e zbulimit dhe Shtabin e Përgjithshëm të Armatës, të cilat, siç tha, vazhdimisht kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet se natën e trazirave para Kuvendit ka pasur plan për shpallje të gjendjes së luftës.

“Ata që më akuzojnë dhe që krijojnë lajme të rreme u them se në bazë të Kushtetutës, gjendje lufte mund të shpallet vetëm kur Republika sulmohet nga jashtë apo kur ka ndonjë fatkeqësi natyrore. Diçka të tillë nuk kishte më 27 prill. Gjithë këto presione dhe konstruksione bëhen ndaj meje vetëm e vetëm që të heq dorë nga qëndrimet e mia ndaj politikës që po bën Qeveria aktuale”, tha Ivanov.

Ai theksoi se natën e 27 prillit nuk ka pasur asnjë presion apo konfrontim verbal me përfaqësues ndërkombëtar mbi pozicionin e tij dhe me këtë rast i ka ftuar të gjithë që mund të kenë dëshmi të tjera, t’i paraqesin para opinionit.

Reagim i tij erdhi pas dëshmive të fundit që janë paraqitur në procesin gjyqësor kundër personave të akuzuar për terrorizëm për dhunën në Kuvend, ku disa prej tyre thanë se ngjarja ishte orkestruar nga drejtuesit e pushtetit të kaluar, të VMRO DPMNE-së, të Armatës, të shërbimit të zbulimit që është nën kompetencat e presidentit Ivanov.

Por, kreu ishtetit me këtë rast gishtin e ka drejtuar nga Policia Sekrete apo Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit duke e etiketuar si “vatër kryesore të krizës në vend”.

“Si president i Maqedonisë qysh para dy viteve kam tërhequr vërejtjen se DSK-ja është vatër kryesore e të gjitha krizave në Maqedoni. Nëse ky institucion merr guximin të ndjek aktivitetet e presidentit dhe të më vendosin në listën e ngjarjeve të paqena, e kam të qartë se tentohet të krijohet perceptim i rrejshëm që ka për qëllim ndërtimin e një rasti policor dhe gjyqësor”, theksoi Ivanov.

Për ngjarjet e 27 prillit, dhjetëra persona, përfshirë edhe drejtuesit e Policisë Sekrete, zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë, në mesin e të cilëve janë edhe gjashtë deputetë po gjykohen për veprën penale “rrezikim i terrorit të rendit kushtetues”.