Deri në 75% dënime më të ulëta për personat fizikë, përcaktimi i gjobave për kompanitë mbi bazë të më shumë kritereve, numri i të punësuarve, të ardhurat e realizuara dhe sjellja e mëparshme, janë pjesë e ndryshimeve të përfshira në Ligjin e ri për kundërvajtje. Drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sonja Llukarevska, para afaristëve të Strumicës theksoi se dënimet drakonike shkojnë në histori, kurse baza e ligjit do të jetë parandalimi.
“Në një mënyrë, baza e këtij ligji do të jetë parandalimi, respektivisht paralajmërimi. T’i heqim dënimet represive dhe drakonike, me të cilat firmat shkatërroheshin në një mënyrë. Kjo të bëhet e kaluar, kurse në të ardhmen kompanitë e vogla të paguajnë dënime më të ulëta, kurse për kompanitë më të mëdha, të ketë dënime më të larta. Qëllimi ynë nuk është që ta ulim disiplinën e taksapaguesve, kompanive dhe personave fizikë, por ta japim zgjidhjen optimale”, tha Sonja Llukarevska, drejtoreshë e DAP-it.
Njeriu i parë i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski, thotë se këtë vit ka pasur rritje prej 7% në pjesën e pagesës vullnetare të tatimeve, gjë që sipas tij, është vetëm një pjesë e aktiviteteve të shumta që i kanë ndërmarrë inspektorët për parandalimin dhe edukimin e biznesit.
“Me të gjithë përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, sidomos sipas fushave dhe veprimeve, janë realizuar takime ku janë prezantuar gabimet dhe kundërvajtjet që i kanë bërë, me qëllim që të mos përsëriten. Këtë vit, rritja e të ardhurave prej 7%, për pagesën vullnetare të taksave, sigurisht se është rezultat i punës së Inspektoratit Shtetëror të Tregut”, tha Stojko Paunovski, inspektorati shtetëror i tregut.
Paunovski theksoi se nuk dëshirojnë të shqiptohen dënime, por duhet të sigurohen kushte për konkurrencën e ndershme, kundrejt asaj të pandershme. Takimin në Strumicë, e organizoi kryetari Kosta Janevski, si pjesë e aktiviteteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit në komunën./Tv21