LEONIDHA MUSAJ/ Grabitja e 7.5 milionë lekëve të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Durrës duket se ka qenë një “punë e brendshme”.
Grupi hetimor nuk ka arritur ende të zbulojë se cili është informatori, por, nga ana tjetër, nga analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë, është krijuar një identikit për tre autorët. Burime nga grupi hetimor thanë se identifikimi i autorëve, që grabitën kompaninë private të sigurisë, është tani çështje kohe. Edhe pse janë sekuestruar disa kamera që kishin mundur të fiksonin sekuenca nga sulmi, përsëri hetuesit e kanë pasur të pamundur të bëjnë identifikimin e tyre përmes këtyre imazheve.
Nga ana tjetër, rezulton se makina tip “Benz”, që përdorën, mbante targë që prej kohësh kishte dalë nga qarkullimi. Në zonën ku ndodhi ngjarja, krahas kamerave të bankës së nivelit të dytë ku do të transferoheshin paratë, ka disa kamera të tjera të bizneseve që ndodhen pranë.
“Kemi pamje shumë të mira nga sulmi. Është filmuar nga kënde të ndryshme, pasi kemi sekuestruar disa pamje të fiksuara nga kamera të ndryshme që ndodheshin përbri dhe përballë bankës. Por, edhe pse kemi filmimet, identifikimi i autorëve është pak i vështirë sepse ishin të maskuar. Nga çfarë kemi kuptuar nga analizimi i sekuencave filmike, kemi dalë në përfundimin se kemi të bëjmë me tre djem të rinj. Dy prej të cilëve që sulmuan makinën e transportit të parave kanë një gjatësi mesatare rreth 1.75-1.80 cm.
Ndërsa personi tjetër ka qëndruar në makinë dhe nuk kemi arritur ta shikojmë, thjesht duket që ndodhet brenda makinës në gatishmëri për t’u nisur. Po punojnë në rrugë operative për identifikimin e tyre, por kemi shumë besim se arrestimi do të jetë vetëm çështje kohe”, thanë burime nga grupi hetimor, duke vijuar se hetuesit kanë dyshime se autorët kanë pasur person të brendshëm, i cili ka dhënë informacione.
Hetuesit mendojnë se, grabitësit mund të kenë bashkëpunuar me efektivët e policisë private apo me ndonjë informator nga brenda DRTRR, i cili u ka treguar orën e saktë të transportimit të parave drejt bankës së nivelit të dytë. Sipas informacioneve, bëhet fjalë për 7.5 milionë lekë të rinj, që po transportoheshin nga kompania private ku pjesë e skuadrës së shoqërimit ishin dy efektivë privatë.
Sulmi ndaj tyre ka ndodhur në momentin që kanë ndaluar para filialit të bankës për të bërë dorëzimin e parave. Në këtë moment, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë detyruar rojet që të hedhin armët në tokë dhe të mos lëvizin.