Nga Remzi Aliu
Malësia e Tetovës, ka qenë dhe mbetet rajon ku më tepër është zhvilluar bujqësia dhe blegtoria. Prandaj këngët dhe ritet e motmotit, lidhen ngushtë me katër stinët e vitit, ku fshatari kërkon që stina të jetë e begatëshme, për t’i sjellë shtime dhe pasuri jetës së tij.
Nëpërmjet këngëve dhe riteve, ai kërkon që bagëtia ti shtohet, të lashtat t’i japin më tepër bereqet njerëzit të shtohen dhe të krijojnë një krah pune më tepër në familje etj.
Në të shumtën e rasteve, ritet i organizojnë të rinjtë dhe ato shoqërohen edhe me këngë. Një rit të tillë e hasim te “Ndjellja e shiut” i cili zhvillohet në këte mënyrë:
Nga grupi i fëmijëve, zgjidhet një më i zgjuar i cili do ta udhëheq kolonën e fëmijëve prej dere në derë, duke ndërtuar “dojlie” nga drunjtë e mbështjellur me kashtë dhe të veshur me tesha të vjetra. Ata te dera trokasin dhe këndojnë:
Hojli, dojli, ço zot nji pik shi,
Të na ujten arat,
T’na mbushen hambarët.
Kënga përcillet edhe me rahjen-trakitjen e enëve të vjetra duke formuar kështu një orkestër të thejshtë zërash natyral.
Fëmijët duke shkuar dhe kënduar ritin, shkojnë derë më derë, me ç’rast shpianaket atyre u dhurojnë gjera të ndryshme ushqimore, ose fryte të pemëve. Artikujt e dhuruar në fund të ceremonialit grumbullohen në një vend dhe i hanë bashkërisht. Besohet se ata që nuk u japin fëmijëve gjëra ushqimore, perendia nuk ua shton bereqetin.
Një rit me karakter të tillë zhvillohet edhe gjatë stinës së vjeshtës, kur fshatin e kaplon mjegulla e zezë dhe ngushton shikimin e hapsirës.
Fëmijët atëherë këndojnë:
Hik, meglle zezë,
Se vjenë axha lezë,
Me ni thik të zëzë.
Të banë copa copa,
Të shtij napër gropa.
Këngët dhe ritet e motmotit në malësi, përcillen dhe organizohen gjatë stinëve të vitit, por ato nuk janë të shumta. Dita e luleve të shëngjergjit si dhe ditët tjera të motmotit që lidhen me të korrurat dhe përfundimet e tyre, ato të zbritjes së bagëtive nga bjeshka nëpër kullotat dimërore, pastaj mesin e verës, mesin e dimrit, fillimin e pranverës etj.
Në mënyrë pak më madhështore festohet “Dita e luleve të shëngjergjit”. Por, u këndohet edhe stinëve ku përmenden ditët më të rëndësishme të motmotit. Këtu po cekim disa nga këngët e stinëve që u kushtohen stinëve dhe kremtimit të “Ditës së luleve” p.sh:
Për pranverën:
Fluturoi bilbili, erdh ka dera,
Hajde Blerim aga se erdh pranvera.
Se ka ardhë pranvera ylber,
A më je në besë,
Ta kam ble unazën ylber.
Ta çoj për fejesë
Për verën:
Fluturuan nja dy flutura t’verdha,
Pyete nanën si të duket vera,
Si i duket vera e sivjetshme,
Pa Blerim ylberin shumë e betshme.
-Si i duket vera e verume,
Pa Blerim ylberin e shëmtueme.
Për vjeshtën:
Në bavçen e Blerim agës, kanë çelë lule t’heshta,
Hajde more Blerim aga, se na erdhi vjeshta.
Se na erdhi vjeshta, e po na shkon kot,
Për Blerim ylberin, unë po qajë me lot.
Për dimrin:
Bije bora floçe-floçe, bije mbaj shtëpi,
A të lagën ty, or Blerim zotni.
Mue m‘lagën mori cauco, te dera e shkollës,
Ma ka lagë sahatin e dorës.