Jemi patriotë apo nacionalistë? Kësaj pyetjeje i dha përgjigje Marin Mema në emisionin “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja.
“Për fat të mirë nuk e kemi nacionalizmin ekstrem. Unë jam “non grata” në Greqi që nga viti 2012, por nuk kam kërkuar ndonjëherë që e njëjta gjë të bëhet me gazetarët e huaj. Dhe këtu kanë hyrë shumë persona që çfarë nuk kanë shkruar për Shqipërinë”, deklaroi Marin Mema.
“Unë jam për të dashur më shumë vendin tonë, jo për të urryer të tjerët”, shtoi gazetari.
Mema gjithashtu bëri një deklaratë të forte, kur tha se në planin shtetëror Shqipëria ka një patriotizëm fals.
“Kemi patriotizëm fals në planin shtetëror. Nuk bëjmë asgjë për të ruajtur dhe shfrytëzuar monumentet e kulturës. Sa herë që ka festa, politika jonë citon gjithmonë patriotët, por asnjëherë nuk duan që të kujtojnë modelin e këtyre patriotëve, model që la pushtetin për të ndërtuar Shqipërinë. Shumë prej tyre ngelën të varfër dhe u vranë për vendin e tyre. Politikanët tanë jo vetëm që nuk i lënë postet, por shtrëngohen në karrige. Sot, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë që ta duan më shumë vendin dhe të mos ia lënë fatet e vendit tërësisht politikës”, tha ai.
Gazetari i njohur për trajtimin e çështjeve kombëtare, deklaroi se shqiptarët “për fat të keq nuk e njohin sa duhet të shkuarën e tyre dhe vlerat që ajo sjell”.
“Emisioni “Gjurmë shqiptare” është një mënyrë për të sjellë atë pjesë që është mbuluar dhe që përfaqëson një pjesë shumë të madhe të kombit tonë. Ne për fat të keq nuk e njohim sa duhet të shkuarën tonë dhe vlerat që ajo na sjell”, u shpreh Mema.
Kur u pyet në lidhje me emisionet që do të veçonte për vitin 2018, Marin Mema përmendi dy.
“Ka shumë emisione që më kanë prekur dhe më kanë bërë të ndihem mirë. Emisioni në Sanxhak të Serbisë apo pasuritë e mëdha nëntokësore të Shqipërisë, që nuk i shfrytëzojmë siç duhet. Shqiptarët e Sanxhakut deklarohen si boshnjakë sepse askush nuk i mbështet dhe ky është mesazh për politikën tonë të jashtme”, u shpreh gazetari i njohur.