Edhe pse në moshë të thyer dhe shumë i sëmurë, dukej se plaku Matis (Henri Matisse) nuk donte të hiqte dorë nga piktura dhe peneli i tij. Atje në Nice, ku ishte vendosur prej vitesh dhe ku punonte së fundi në një dhomë hoteli, ai donte ta çonte deri në fund aventurën e tij pikturale, edhe pse i duhej të vinte një korse hekuri në trup për të ndënjur ulur ballë kavaletit. Me të mund të qëndronte ulur veçse një orë dhe kjo ishte një sforco e jashtzakonshme. Por siç dihet, dashuria për artin i mund të gjitha dhimbjet, barrierat, sfidat. Edhe ai, ashtu si dikur piktori Claude Monet, që vitet e fundit në tablotë e mëdha me nenyfarë i hidhte ngjyrat më shumë me ndjesin e mpiksjes së tyre në paletë sesa me optikën natyrale të syve, ashtu dhe Matisse hidhte linjat, ngjyrat në atë mjegull që dhe atë kishte nisur ta rrethonte. Mplakja dhe pafuqishmëria, jo rrallë i kujtonte atë udhëtim të dikurshëm kur Renuar ishte ende gjallë, me gruan e vdekur dhek ur ai ende merrte frymë me pikturën.
Kishte gjithnjë dëshirë ta takonte plakun e mirë dhe gjeniun e pikturës në atelierin e tij. Dhe ai kujtonte fytyrën e thatë të plakut të mirë, që plot dhimbje ulej të pikturonte. «Dhimbja kalon, – i kishte thënë Renuar, – por e bukura që krijohet, mbetet!» Kjo shprehje i kishte mbetur në mëndje. «Nga fundi i Luftës së Parë Botërore, – kujtonte Matisse – ndodhesha në jug të Francës. Renoir ishte shumë i lodhur dhe meqë e adhuroja shumë shkova ta takoja në shtëpinë e tij në Cagnes. Më priti me kënaqësi dhe me këtë rast i tregova disa punime që të dija mendimin e tij.
Ai i vështroi me një pamje jo të kënaqur dhe pastaj më tha: Në të vërtetë nuk më pëlqen ajo që krijoni. Parapëlqej të të them se nuk je një piktor i mirë, madje mund tu them se jeni një piktor i keq. Por një diçka më bën përshtypje: kur ju e vendosni ngjyrën e zezë në tablo ajo është në vendin e vet. Gjithë jetën kam menduar se s’mund ta përdorim atë pa thyer unitetin kromatik të sipërfaqes. Eshtë një ngjyrë që e kam përjashtuar nga paleta ime. Ndërsa ju, duke përdorur një lloj fjalori të shumngjyrshëm, arrini ta fusni të zezën dhe ajo ngjyrë qëndron. Pra pavarësisht asaj çka ndjej, ju me siguri jeni një piktor…»
Kjo thënie i kishte mbetur në mëndje piktorit të ri edhe pse në atë kohë, në fillimin e shekullit, në sajë dhe të publiçitetit të Gertrude Stein e cila nuk gabonte në shijet e saj mbi modernitetin, ai dhe Picasso, u bënë yjet e rinj të pikturës botërore. Shumë kohë do të kalonin. Njihet konkurenca e famshme mes tij dhe Picasso-s… pastaj miqësia e tyre. Dihet gjithashtu karriera e famshme e tij në tregun amerikan, xhelozia e piktorëve të tjerë rreth suksesit të tij kur koleksionistë të shumtë kërkonin tablotë e tij, apo historia dhe lidhja e gjatë me koleksionistin amerikan Barnes apo në veçanti me koleksionistin rus Chtchoukin, («Nymphe et Satyre», «Bonheur de vivre», etj), i cili krijoi një nga koleksionet e bukura të botës, koleksion të cilin revolucionarët e Leninit të ardhur në pushtet ia morën dhe ai përfundoi në një rrënim të plotë bashkë me fabrikat e tij të tekstilit. Matisi kujtonte gjithnjë atë ditë kur kolegu i tij Braque i kishte shuar në atelier për të parë tablotë e Renuar dhe Gogen që Matis kishte blerë. Por mes tablove të tij ai për asnjë çast nuk i hodhi sytë dhe nuk foli asnjë fjalë. Kjo atë e plagosi dhe ai gjithnjë vuante në heshtje, siç ishin dhe sulmet që i bënin partizanët e Pikasos..
Jeta e Matisit është një libër më vete, një roman dramatik, me shumë udhëtime, drama familjare, me dhimbjen e madhe për vajzën e tij të sëmurë Margarita, e cila donte të bëhej piktore e që në kohën e Rezistencës franceze gjatë Luftës së II Botërore e torturuan dhe e shpërfytyruan nazistët. E megjithatë, Matisse, i mbyllur në atelierin e tij vazhdonte pasionin e tij të pikturës, krijonte botën origjinale të krijimit të tij me linjat e tij të njohura, teknikën dhe sipërfaqet e ngjyrosura të tij, kohë kur gjatë periudhës së fovizmit, ai i kishtonte shumë rëndësi sipërfaqeve të mëdha me ngjyrë, dhe kjo nën influencën e Gogen dhe Van Gog.
Që i ri shkonte në Louvre dhe kopjonte mjeshtrit e mëdhenj për të gjetur perfeksionin e pikturës. «Jam përpjekur ta zhvilloj personalitetin tim veçanërisht përmes instinktit që kam. Më kujtohet kur para Pont des Arts, duke parë nga Pont Neuf, mjeshtri im Gustave Moreau, papritur më tha: «Atëherë çfarë kërkon në pikturën tënde? – Kërkoj të jap atë pikturë që mjeshtrit nuk e kanë dhënë, p.sh. kjo pamje para nesh, këtë bukuri që mjeshtrit nuk e kanë fiksuar. – Kush ju tha se atë nuk e kanë parë dhe të mos donin ta pikturonin?… Kështu filloi shkëputja ime nga mënyrat e vjetra të pikturimit që megjithatë nuk i kam harruar. Në vend që të vazhdoja të isha një flutur diletante që bridhte nga Rembrandt tek Corot, nga Veronese tek David, nga Heim tek Chardin, unë e ndjeva veten një puntor modest duke patur si mbështetje veç pavarësinë dhe sinqeritetin tim…»
Luan Rama