Ky refleksion i gjatë i Antonio Gramshit është më shumë se një mendim rreth Vitit të Ri. Është një himn për pasurinë e jetës, rëndësinë fondamentale se çdo ditë përfaqëson në jetë një afat mbi të cilën mund të konfrontohesh.
“Dua që çdo mëngjes të jetë vit i ri për mua. Dua që çdo ditë të merrem me veten dhe të ripërtërihem. S’dua asnjë ditë të lënë mënjanë për pushim. I zgjedh vetë pushimet, atëherë kur dehem nga intensiteti i jetës dhe më shkrep të zhytem në kafshëri për të marrë energji të reja”, shkruan Gramshi.
Lexoni më poshtë shkrimin e plotë
E urrej Vitin e Ri
Nga Antonio Gramshi
Çdo mëngjes, kur zgjohem sërish nën zymtinë e qiellit, ndjej se për mua sot është dita e Vitit të Ri.
Prandaj i urrej këto vite të reja që bien si maturitete fikse, të cilat e shndërrojnë jetën dhe shpirtin njerëzor në shqetësim komercial me bilanc përfundimtar të pastër, me shuma marramendëse dhe buxhetin për menaxhimin e ri. Na bëjnë që të humbasim sensin e vazhdimësisë së jetës dhe shpirtit. Shkojmë e marrim seriozisht pastaj se mes vitit të vjetër dhe atij të ri ka një pushim, që një histori e re është duke filluar; i vendosim qëllime vetes dhe na vjen keq për daljet huq e kështu me radhë. Kjo përgjithësisht tregon atë se ç’të keqe kanë datat.Na thonë se kronologjia është shtylla e historisë. Në rregull. Por na duhet të pranojmë se janë katër a pesë data thelbësore, që çdo njeri i mirë i mban të ngulitura në kokë, të cilat ia kanë marrë mendtë historisë. Edhe ato janë vite të rinj. Viti i Ri i historisë romake, i Mesjetës apo i kohërave moderne.
Këta të fundit janë bërë aq mësymës e të fosilizuar saqë ndonjëherë e zëmë veten duke menduar se jeta në Itali ka filluar në vitin 752 dhe se vitet 1490 apo 1942 janë sikur bjeshkët që njerëzimi i ka lënë pas, duke e gjetur papritur veten në një botë të re e ardhur në një jetë të re. Kështu datat bëhen pengesë, një mur i ulët që na ndalon të shohim se historia vazhdon të shpaloset përgjatë të njëjtës linjë fondamentale të pandryshuar, pa ndonjë ndalesë të papritur si në kinema kur shkëputet filmi dhe ka një interval drite verbuese.
Prandaj e urrej Vitin e Ri. Dua që çdo mëngjes të jetë vit i ri për mua. Dua që çdo ditë të merrem me veten dhe të ripërtërihem. S’dua asnjë ditë të lënë mënjanë për pushim. I zgjedh vetë pushimet, atëherë kur dehem nga intensiteti i jetës dhe më shkrep të zhytem në kafshëri për të marrë energji të reja.
Nuk dua të ketë oportunizëm shpirtëror. Do të dëshiroja që çdo orë e jetës sime të jetë e re, ndonëse e lidhur me ato që kanë kaluar. Asnjë ditë festive, me ritmet e detyrueshme kolektive të saj, s’dua ta ndaj me të huajt që s’më interesojnë. Meqenëse gjyshërit e gjyshërve tanë, e kështu me radhë, kanë festuar, duhet të festojmë edhe ne. Kjo është e neveritshme.
Edhe për këtë arsye pres socializmin. Sepse ai do t’i hedhë në plehra gjithë këto data të cilat nuk kanë jehonë në shpirtin tonë dhe, në krijoftë të tjera, së paku do të jenë tonat dhe jo ato që duhet t’i pranojmë pa rezerva nga paraardhësit tanë të trashë.
Antonio Gramshi, 1 janar 1916, Avanti!, edicioni torinez, rubrika “Sotto la Mole”.