Artur ZHEJI
Bëj habi të madhe me rrjetet sociale, kryesisht opozitare, që janë vërsulur ndaj Ermal Mamaqit, për mëkate të mëdha dhe superpromovim të gënjeshtërt të kryeministrit… Nëse dikush apo shumëkush do të priste nga spektakli i Mamaqit, të bënte për 1 lek, Ed Ramën, nuk paskan kuptuar asgjë nga se çfarë ndodh, ka sa kohë në mediat shqiptare.
Aty ku kryeministri, shkon shpesh e me qejf, tashmë në studio të kontrolluara, nuk ka befasira shqetësuese për të.
Dhe kjo nuk ndodh vetëm te “Xing”-u, ku xing nuk pati vërtet, por audiencë po.
Ermali është promovues, dhe ja ka parë hajrin këtij stili, nuk është gazetar profesionist dhe as nuk reklamohet i tillë, kush do të duket dhe të nxjerrë në pah: “Look, kolltuk, biznese, kompozime, argëtime, stilime, flirtime, e më- the- të -thashë si këto…” zë rradhën të shkojë në Emisionin e tij dhe ja shpreh mirënjohjen në mënyra të ndryshme.
Është një frustrim i kotë që të shënjestrojmë Ermalin, që në thelb është simpatik dhe i ngrohtë, i talentuar dhe shumë i shikuar, dhe ka ecur përpara me forcat e veta, duke nuhatur biznesin e medias “pozitiviste”, sipas parimit : “O fol mirë, ose mos fol fare!”
Dhe këtë skemë fituese, që madje të bën edhe të pasur me bollëk, Ermali që vjen nga humori dhe festat, e ka përsosur më së miri.
Në të gjithë botën, ata që bëjnë mediat rozë dhe soft, janë të ngjashëm dhe janë komercialë, duke kapur pozicionin e tyre në shoqëri dhe në media.
Sepse “media” vjen nga “mediare”, ai që rri në mes të asaj që ndodh dhe të atyre që duan ta shohin dhe Ermali na dha të shohim, atë që Ermali sheh, ai, Ermali, te kryeministri…
E bën këtë se kështu i intereson, edhe Ermalit edhe kryeministrit, kjo është si në reklamat televizive, që shesin mallin e vet, në këtë rast, Ermali na “shiti” një kryeministër, shumë më të mirë se çe pandehin studentët, naftëtarët apo hallexhinjtë që ndjejnë ftohtë në këtë sezon, por këtë Ermali e ka bërë edhe me shumë të tjerë… edhe me opozitarë përshembull, që nuk janë të pashëm, së jashtmi dhe së brendshmi, me biznesmenë gjithashtu, po që dalin bukur fare në studion e tij.
E thënë me dy fjalë: Ja ka lyp Rama, në këtë rast Ermalit, një bojatisje dhe jo anasjelltas!
Shoku kritik, kudo qofsh dhe kushdo qofsh: Rama nuk rrëzohet te Ermali, por te Sheshi!
Ec para Mamaq djali, në një lloj kuptimi je një Robin Hood i vogël, ua merr të pasurve dhe ja shpie familjes tënde dhe zogjve të tu dhe kjo është ngushëllonjëse.
Opozitarizmi është vullnetar dhe nuk i imponohet askujt!