Nga Veton Surroi
Debati rreth ministrit të jashtëm të Shqipërisë po merr kahen e tifozërisë, e në tifozëri nuk ka debat.
Ka ngritje zëri dhe “dëgjomë mua se nuk ta del mire” apo folklorizëm pro e kundër prejardhjes krahinore e moshës.
Nëse hiqet mënjanë gjuha e stadiumit të futbollit, mbeten pyetje themelore: a ka nevojë të ndërrohet ministri i jashtëm i vendit sepse duhet të ndryshojë politika e jashtme?
Apo, i bie pothuajse njëjtë, duhet të vendoset një ministër i ri sepse duhet të ndryshojë politika e jashtme në mënyrë që të përputhet më afër me vizionin e kryeministrit?
Nëse ky është rasti, atëherë kryeministri duhet të japë në konsultime të gjera me grupacionin e tij politik dhe me Presidentin shpjegimin se çka duhet të ndryshojë në politikën e jashtme të Shqipërisë.
Këtu kryeministri mund të ndihmojë në sqarimin se a duhet të përkrahë Shqipëria apo jo ndarjen e Kosovës në vija etnike të propozuar nga presidenti Vuçiq dhe të pranuar nga presidenti Thaçi?
Kjo është një pyetje që nuk i përket as vetëm kryeministrit e as vetëm grupacionit të tij politik, por ka nevojë për një koncensus më të gjerë, përfshirë edhe mendimin e opozitës, zërin e së cilës e ka obligim kushtetues ta dëgjojë presidenti i vendit.