Ballina Aktualitet Lajme PGJU i Tetovës udhërrëfyes për 50 vitet e ardhshme!

PGJU i Tetovës udhërrëfyes për 50 vitet e ardhshme!

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se plani i ri urbanistik do të jetë një udhërrëfyes për 50 vitet e ardhshme. “Filluam në fund të vitit të kaluar edhe iniciativën për hartimin e planit gjeneral urbanistik, që do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit dhe zgjerimit urban të qytetit për 50 vitet e ardhshme”, tha Arifi

Urim HASIPI

Tetovë, 14 janar – Komuna e Tetovës ka formuar ekipin për hartimin e Planit Gjeneral Urbanistik. Plani aktual është i vjetër më shumë se 20 vite dhe nuk korrespondon me realitetin aktual në qytet. Tërë këto vite, është bërë një katrahurë e vërtetë në qytetin e Tetovës në aspektin urbanistik dhe sipas informacioneve – gjatë vitit të kaluar, komuna kishte kërkuar ndihmë nga ekspertë të jashtëm për të gjetur zgjidhje për kaosin në qytet dhe për ti dhënë kahje zhvillimit në të ardhmen, shkruan gazeta KOHA.

Edhe në ekipin e ri që do të hartojë Planin Gjeneral Urbanistik për Tetovës janë ftuar ekspert të jashtëm. Sipas zëdhënësit të Komunës së Tetovës, Armend Fazliu, në muajin shkurt të gjithë do të kenë mundësi të japin sugjerimet e tyre lidhur me këtë plan.

“Komuna e Tetovës ka themeluar Komisionin për hartimin e planit urbanistik dhe fillimisht është duke u hartuar programi. Janë angazhuar ekspertë të jashtëm të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Shkupit dhe normalisht Komuna e Tetovës në bashkëpunim me UNDP-në, ka angazhuar edhe një ekspert nga ana e UNDP-së që do të bëjë mapimin e zonave të rreziqeve do të thotë zonat që u paraqitën nga vërshimet e dy apo tre viteve të kaluara të parashihen si zona rreziku në këtë hartim të planit të ri. Nga mesi i muajt shkurt do të bëhet shpallja për debat publik me qëllim që të jetë një proces inkluziv dhe çdo organizatë joqeveritare dhe sektori civil do të mund të japë mendimin e vet për sa i takon asaj se si duhet të duket Tetova si qytet në dhjetë vitet e ardhshme”, tha zëdhënësi i Komunës, Armend Fazliu.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, shfaqi shpresë se brenda dy vitesh ky plan do të jetë gati për miratim.

“Sa i përket planit gjeneral urbanistik, Komuna e Tetovës ka formuar një komision me të cilin ka filluar edhe puna. Jemi në përgatitje të projekt detyrës për këtë plan. Janë ndarë mjetet nga ana e Këshillit dhe janë angazhuar njerëz ekspertë dhe mendoj se brenda dy vitesh, ky plan do të sillet në Këshill për miratim”, tha Memeti. Ai theksoi se me Planin Gjeneral Urbanistik për Komunën e Tetovës do të parashihen edhe hapje të bulevardeve të reja, rrugëve të reja dhe rregullimi i këtyre që janë aktuale, për të zhvilluar qytetin e së ardhmes, edhe pse në këtë kohë qyteti ka shumë probleme me koncentrimin e jetës në pjesën qendrore të qytetit.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se plani i ri urbanistik do të jetë një udhërrëfyes për 50 vitet e ardhshme. “Filluam në fund të vitit të kaluar edhe iniciativën për hartimin e planit gjeneral urbanistik, që do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit dhe zgjerimit urban të qytetit për 50 vitet e ardhshme”, tha Arifi.

Që nga viti 2003, Tetova ende është me Plan të njëjtë Gjeneral Urbanistik. Prej atëherë e deri më tani, edhe numri i banorëve, veturave dhe ndërtesave është rritur dukshëm dhe nevoja për një Plan të ri Gjeneral Urbanistik është shtruar që moti. Njohës të këtyre rrethanave kanë thënë se iniciativa për sjelljen e planit të ri gjeneral është edhe e vonshme pasi i njëjti është dashur që të sillet që në vitin 2013. (koha.mk)