Policia italiane ka vënë në pranga një 34-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për dhunë ndaj gruas së tij 26-vjeçare. Mediat italiane shkruajnë se burri kishte sulmuar fizikisht gruan, pasi sipas tij gruaja nuk kishte zbatuar rregullat e kanunit.
Shqiptari i arrestuar kishte kërkuar që gruaja të mos ulej në tryezë me anëtarët e familjes së tij dhe t’i jepte pagën që fitonte nga puna.
Gjithashtu ai e kishte kërcënuar se do ta copëtonte dhe e kishte fyer, madje i kishte shkaktuar edhe lëndime. Kur njëra prej vajzave të tyre ishte duke qarë, shqiptari e kishte goditur gruan me një copë druri në fytyrë, duke i thyer dy dhëmbë.
Pas abuzimeve të vazhdueshme gruaja i kishte kërkuar divorcin. Më pas burri i lidhi duart dhe këmbët, i vuri një çorapë në gojë dhe ndërsa gruaja bërtiste ai i preu pëllëmbën e dorës me thikë.
Gruaja, e ndihmuar nga stafi i Qendrës Kundër Dhunës “Giulia dhe Rossella” e Barletta, gjeti forcën për të shkuar në stacionin e policisë për të raportuar sulmet e pësuara dhe pas denoncimit burri u fut në burgun e Tranit.