Nga Viktor Malaj
Para rreth një viti kryeministri Edi Rama nisi t’i quante disa gazetarë “kadrinj”. Epiteti i përdorur prej tij, në mos gaboj, buron nga emri i njërit prej komentuesve me të cilët z. Rama replikoi në rrjetet sociale rreth problemeve të ndryshme dhe, kryesisht, atyre të qeverisjes së tij. Qytetari shqiptar me emrin Kadri, sipas Ramës, ishte një person trushplarë, që nuk kuptonte çfarë ndodhte në realitet dhe vetëm mohonte çdo arritje të vendit dhe të qeverisë së tij sepse kështu e kishte mësuar propaganda opozitare, pas së cilës ai ishte i dhënë pa kushte dhe të cilën nuk e “negocionte” për së gjalli.
Në fillim e kam konsideruar epitetin e Kryeministrit si të panevojshëm dhe të tepërt, ashtu si disa shigjetime dhe qëndrime të tjera të tij. Mirëpo, me kalimin e kohës kam vënë re se vërtetë ekzistojnë një kategori gazetarësh të cilët, megjithëse vetë jetojnë në nivele materiale e financiare më të larta edhe sesa ato perëndimore, jo vetëm nuk shohin asgjë të mirë në Shqipërinë e sotme por, me emisionet e tyre, me pohimet, shtrembërimet dhe njëanshmërinë e tyre po bëjnë çmos ta paraqesin vendin tonë si ferr i vërtetë që bën thirrje për shpëtim, shpëtim me çdo mjet, qoftë edhe me dhunë, përplasje dhe konflikte civile.
Për t’u bërë të besueshëm përballë shikuesve dhe lexuesve ata nuk pushojnë së përsërituri se i përkasin “pushtetit të katërt”, atij mediatik dhe kërkojnë status të veçantë shoqëror, të drejta të pakufizuara, imunitet edhe kur e shkelin ligjin, përpiqen të krijojnë iluzionin se janë një kategori shoqërore shumë e ditur, e pagabueshme, e padjallëzuar, e pakorruptuar dhe e ngarkuar me mision thuajse hyjnor për të hulumtuar, zhbiruar, kontrolluar e ndëshkuar pushtetet e tjerë me synimin përfundimtar shpëtimin e popullit shqiptar.
Por, çfarë është në të vërtetë pushteti mediatik? Si çdo pushtet tjetër ai përbëhet dhe ushtrohet nga njerëz që i përkasin të njëjtës shoqëri nga e cila burojnë dhe ushtrohen edhe pushtetet e tjerë. Si i tillë, “pushteti mediatik” mbart dhe demonstron të njëjtët virtyte dhe vese, vlera dhe antivlera nga të cilat lulëzojnë e lëngojnë edhe pushtetet e tjerë. Ai as krijohet dhe as ushtrohet për qëllime humanitare, bamirësie apo hyjnore, por si mjet jetese dhe mbijetese, si veprimtari shoqërore e nevojshme dhe e vlefshme, por po aq i cenueshëm dhe i korruptueshëm sa pushtetet e tjerë. Ai është dhe do të mbetet i tillë sepse “lëndën e parë” dhe “teknologjinë” i ka të përbashkët me çdo pushtet tjetër. Qeliza bazë e të gjithë këtyre pushteteve mbetet njeriu me vetitë e tij të admirueshme, por edhe të kritikueshme e deri dhe të neveritshme. Cilësia e pushteteve varet nga fakti se cilat nga këto veti dominojnë.
Pavarësisht nga gjinia, mosha, kultura apo prejardhja kadrinjtë kanë tipare të përbashkëta, në të kundërt emërtimi “kadrinj” nuk do të shkonte dhe as do ngjiste në kujtesën e njerëzve. Disa prej tyre kanë qenë shokë apo të njohur të kryeministrit të sotëm, por të gjithë së bashku e urrejnë dhe shohin tek ai vetëm individin e dëmshëm, të korruptuarin, të lidhurin me krimin dhe bëjnë thirrje shumë herë në ditë për largimin e tij nga pushteti me çdo mjet si e vetmja rrugë për shpëtimin e Shqipërisë e cila, sipas kryeopozitarit Basha, “ndodhet në rrezik”.
Rrugëtimi im mendor me kadrinjtë shkon deri atje ku ata pohojnë se qeveria aktuale ka shumë gabime, të meta dhe faje dhe se na nevojitet një qeveri më e efektshme dhe një Kryeministër më i përgjegjshëm. Por ky bashkudhëtim ndahet kur kadrinjtë mohojnë legjitimitetin e qeverisë, kërkojnë rrëzimin e saj “me urdhër të peshkut”, madje edhe me dhunë. Dhe, çfarë është më e keqja, kërkojnë zëvendësimin e Kryeministrit dhe të Qeverisë me njerëz tashmë të stërsprovuar në pushtet si sundimtarë, të dështuar si qeverisës, të shpëlarë si qytetarë e politikanë dhe thellësisht të inkriminuar ligjërisht.
Kadrinjtë drejtojnë emisione televizive opiniondhënës dhe nxitës, redaksi gazetash apo rrjete sociale që synojnë të njëjtën gjë: formësimin e opinionit shoqëror në mënyrën që iu intereson atyre. Për ta e vërteta s’ka shumë rëndësi. Të vërtetën e sajojnë, formësojnë dhe shesin vetë. Ata i gjen në thuajse çdo studio televizive ku, me radhë ftojnë njëri-tjetrin, sipas zakonit të vjetër fshataresk: sonte mblidhemi për pasdarke në shtëpinë time, nesër tek e jotja. Janë të njëjtat fytyra, i njëjti gjykim e mendim për të arritur tek i njëjti përfundim (konkluzion). Kur mungon njëri bëjnë çmos ta intervistojnë prej atje ku ndodhet jashtë Shqipërisë për t’i marrë medimin e tij të vyer, të përsëritur qindra herë dhe që konkludon se “gjendja është shumë e rëndë… kemi një krizë reale… përgjegjëse për krizën është shumica parlamentare… e vetmja zgjidhje është largimi i Ramës…”.
Në studiot e tyre kadrinjtë bëjnë kujdes të thërrasin kryesisht kadrinjtë e tjerë dhe, para fillimit të emisionit hedhin vështrimin rreth e rrotull për të parë se mos gabimisht kanë ftuar ndonjë që iu prish harmoninë e të menduarit, gjykuarit dhe konkluduarit. Nëse ndodh kjo hata atëherë bëjnë çmos ta ndërpresin edhe pse ia japin fjalën, i bëjnë zhurmuesin, i ndërhyjnë duke thënë se “do ta trajtojmë më vonë këtë problem… po japim reklama dhe pastaj kthehemi përsëri në studio…”. Shumica në studiot e kadrinjve janë fodullë, të gjithëditur, mendjemëdhenj dhe arrogantë. Duke qenë të pasur dhe të privilegjuar, duke u ndjerë të gjithëfuqishëm dhe të paprekshëm ata i vërsulen kujtdo, mendimi i të cilit nuk iu pëlqen, e fyejnë, e përçmojnë dhe përpiqen ta vënë në lojë. Të njëjtët kadrinj guxojnë të japin mendim për gjithçka dhe të bëjnë specialistin e blegtorisë dhe të kozmosit, të seksit dhe politikës, të moralit dhe ligjshmërisë, të drogës dhe fesë, prostuticionit dhe historisë. Shkurt, ata janë gjithologë shkencor dhe meteorologë politikë. Bëjnë çmos të krijojnë idenë se Shqipëria do të shpëtonte po të ndiqte mendimet dhe rrugëzgjidhjet e tyre “për ndryshimin e sistemit”. Mirëpo, këtë “ndryshim të sistemit” na ftojnë çdo ditë që t’ua besojmë pikërisht themeluesve dhe ndërtuesve të tij.
Pasi nuk kanë lënë epitet fyes pa përdorur ndaj Kryeministrit dhe kujtdo që s’iu pëlqen atyre, pasi shpifin drejtpërdrejt apo nëpërmjet botimit të çdo gëlbaze të Postierit Dixhital (një gazetare e nderuar e vlerësonte saktë: “lolo plak pa dinjitet”), dhe me gjithë se nuk iu hyn gjemb në këmbë, kadrinjtë japin alarmin se “këtu s’ka liri shtypi… qeveria është arrogante me median… e ka blerë atë” etj. Kaq e madhe është mungesa e dinjitetit dhe kaq i vogël integriteti moral i disa kadrinjve saqë shkojnë në takime “për lirinë e medias” të thirrur nga kryetari i opozitës, i opozitës që dikur ka rrahur, burgosur e sakatuar gazetarë dhe ka djegur redaksi shtypi. Kaq të paskrupullt dhe të padenjë janë disa prej kadrinjve sa njëri prej tyre, të cilit dikur regjimi berishist i pati djegur redaksinë e gazetës dhe rrahur e burgosur gazetarët, më vonë e quante Sali Berishën “burrë shteti”, ndërsa sot bërtet për “shtet diktatorial dhe autoritar” dhe jep si argument faktin se policia s’e kish lënë të kalonte në një rrugë që e kishte bllokuar për arsye sigurie për të gjithë qytetarët.
Kadrinjtë hiqen si parimorë dhe misionarë. Mirëpo e tradhëtojnë shpejt veten, ngaqë jo vetëm kanë qenë dikur avokatë moralë e mediatikë të të gjitha krimeve të regjimeve berishiste, por edhe sot kërkojnë, si shpëtim, rikthimin në pushtet të autorëve të atyre krimeve. Ata hiqen si armiq të oligarkisë megjithëse ose janë vetë oligarkë, ndërtues e biznesmenë të maskuar ose paguhen nga paratë e dyshimta të oligarkëve. Shiten si luftëtarë kundër drogës, por kur kultivohej hapur plantacioni më i madh në Evropë i drogës së Lazaratit kadrinjtë heshtnin ose qeshnin. Disa kadrinj dhe një kadrie kanë punuar disa kohë në një TV të ngritur dhe mbajtur me paratë e drogës dhe krimit. Atëherë ishin të lumtur si pak kush, por kur Qeveria e mbylli kanalin televiziv dhe filloi ndjekjen penale ndaj pronarit mafioz italian që paguante kadrinjtë me rroga marramendëse, menjëherë kadrinjtë u shndërruan në parimorë, u vetëshpallen armiq të drogës dhe korrupsionit dhe i drejtuan shigjetat kundër Qeverisë, duke e shpallur si burimi i vetëm i gjithë të këqijave.
Kadrinjtë pretendojnë se janë edhe atdhetarë të klasit të parë. Megjithëse shesin atdhetarizëm me fjalë, me qendrimet dhe sjelljet e tyre kontribuojnë në të kundërtën e pretendimeve të tyre. Kur shqiptarët e Kosovës organizoheshin në luftë për jetë a vdekje me regjimin serb të Milosheviçit disa nga këta kadrinj botonin çdo javë shkrime në gazetat e tyre në Tiranë ku, në të njëjtën linjë me propagandën serbe, e shpallnin UÇK-në ” organizatë terroriste “. Kur nënshkruhej Marrëveshja famëkeqe e Detit me Greqinë kadrinjt i suleshin cilitdo që e kritikonte atë. Për inat të qeverisë aktuale ata nuk lënë t’iu kalojë java pa pohuar në shtyp apo TV se ” Shqipëria është qendër e tregtimit të drogës në Evropë ” dhe ia faturojnë qeverisë shqiptare edhe trafiqet e drogës nga Amerika Latine në vendet e Evropës Perëndimore, mjafton që në përbërjen e grupeve kriminale të jetë edhe një shqiptar. Ata janë të gatshëm të sakrifikojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit për hir të urrejtjes ndaj qeverisë. Kur diplomacia perëndimore pohon arritjet në stabilitetin e vendit dhe reformat e kryera si dhe dënon qendrimet destabilizuese dhe antidemokratike të opozitës, kadrinjtë shpallin se ” të huajt nuk janë zgjidhja por problemi “. Atëhere mbetet që zgjidhja të jetë kadriizmi dhe kadrinjtë.
Gjithë “misioni” i kadrinjve synon largimin me domosdo dhe me rrugë antidemokratike nga pushteti të Kryeministrit dhe shumicës parlamentare, të bërë të tillë nëpërmjet vullnetit popullor. Por, për kadrinjtë, vullneti popullor nuk ka rëndësi përpara vullnetit, interesave dhe pasioneve të tyre. Ata bombardojnë çdo ditë veshët e shqiptarëve me pretekstet e opozitës së pavotuar se gjoja zgjedhjet e vitit 2017 kanë qenë të blera me paratë e drogës dhe krimit për t’i lënë në heshtje faktet e sondazheve, vendase dhe të huaj, para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve, madje edhe sondazhet e sotme ndërkombëtare, që tregonin dhe e tregojnë shumicën aktuale si një shumicë të ligjshme dhe si shprehje të mendimit dhe vullnetit të shumicës së shqiptarëve. Të jesh mediatikisht në mbështetje të opozitës politike sa herë ajo ka të drejtë është fisnike dhe atdhetare, por të vihesh në shërbim të një grushti politikanësh të korruptuar, të inkriminuar, të papenduar dhe të pandëshkuar praktikisht ke zgjedhur të luash një rol që nuk ka të bëjë me fisnikrinë dhe atdhetarinë. Përpjekja për ta paraqitur braktisjen e Parlamentit dhe dorëzimin e mandateve parlamentare si të imponuar nga pushteti dhe jo siç është në të vërtetë, një artificë politike për të kthyer në pushtet një skotë përplot vjeturina që nuk i do shumica e popullit, si një përpjekje që synon të imponojë dhunshëm zgjedhje të parakohëshme të cilat duket se shihen si mjet për të shkaktuar zhgënjim, mosbesim, dëshpërim dhe tërheqje të elektoratit të majtë, pra si mjet i dhunës psikologjike për të shmangur gjykimin e arsyshëm të zgjedhësve, është shërbim ndaj të pavërtetës. Në një studio televizive, njëri nga këta kadrinj i thoshte znj. Rudina Hajdari, e cila ishte kundër braktisjes së Parlamentit: “Ç’të bënte opozita në Parlament kur vendimet i merrte vetëm shumica?”. Sipas këtij kadriu, vendimet duhet t’i marrë pakica dhe përgjegjësinë ta mbajë shumica. Këtij kadriu nuk i bën fare përshtypje fakti se prej gati dy vjetësh pakica ka shkuar në sallën e Parlamentit dhe është përpjekur të bëjë spektakle dhune verbale dhe fizike duke e dëshmuar veten si një bandë politike pa mendim dhe rrugëzgjidhje, por imponuese ordinere e rendit që dëshiron ajo.
Kadriu mund të ketë qenë edhe prezantues i suksesshëm dhe i respektuar i emisioneve artistike televizive por, tani që drejton emisione mediatiko-politike është shndërruar në kadri, thjesht sepse ka pasur diku dhe dikur një zënkë me Kryeministrin e sotëm. Për inat të tij, ai thërret në studio një individ të proceduar penalisht për korrupsion dhe i kërkon mendime “profesionale” për mënyrat dhe rrugët korruptive të tenderave që bën Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit. Kadriu s’ka gjë me kryetarin e bashkisë, por e ka të pashuar mërinë me kryetarin e kryetarit. Ky kadri, ashtu si disa kadrie, fton në studio ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin dhe, megjithëse e di se ka përballë një individ të cilin shumica e shqiptarëve e konsideron një bandit politik mbi të cilin rëndojnë faje dhe krime pa fund, e trajton atë si “baba të kombit” dhe është gati t’i përgjërohet Perëndisë t’ia shtojë ymrin Padishahut tonë. Kadriu, që deri dje ishte i respektuar nga thuajse të gjithë shqiptarët, nuk e ka problem pse me sjelljen dhe moralin e tij sot fiton përbuzjen e shoqërisë. Përbuzja nuk i prish punë kadriut për aq kohë sa nuk i zvogëlohet rroga.
Kadrinjtë s’pushojnë së pohuari se sot Parlamenti shqiptar është njëpartiak, se deputetët e rinj që zunë vendin e të vetëlarguarve janë ligjërisht në rregull, por nuk janë të tillë nga pikëpamja politike dhe demokratike. Sipas këtij koncepti demokratike është ajo që duan ata dhe jo ajo që përcakton Kushtetuta dhe ligjet që burojnë prej saj. Nuk mund të presësh gjykime të tjera nga njerëz që gjithë jetën e kanë kaluar si avokatë të paligjshmërisë dhe shkeljeve antidemokratike të regjimeve të atyre që sot na premtojnë “rikthimin e legjitimitetit”. Është kjo arësyeja që ata thërrasin në studio dhe, në gjendje thuajse ekstaze, i kërkojnë mendime për të ardhmen demokratike të vendit pikërisht njeriut që ka rrahur, burgosur e vrarë kundërshtarët politikë, ka falsifikuar e dhunuar disa procese zgjedhore, është shpallur armik i lirisë së shtypit nga institucionet ndërkombëtare përkatëse, e ka çuar vendin në konflikte civile, ka tentuar të marrë pushtetin me banda mitingashësh të armatosur, është konsideruar nga Perëndimi: “ordiner i rrezikshëm”, “kryetar i një regjimi gangsterësh” dhe “kryetrukues zgjedhjesh”. Në vend që t’i kërkonin llogari për çfarë ka bërë në të shkuarën, i kërkojnë mendime se çfarë duhet bërë për të ardhmen. Kur banditi politik Sali Berisha bënte thirrje për rrëmbim armësh para 3-4 vitesh dhe kur bën thirrje sot për përplasje civile dhe “luftë për jetë a vdekje”, kadrinjtë e përkëdhelin dhe i ledhatojnë thirrjet e tij antishqiptare dhe antidemokratike në vend që t’i kërkonin të hiqte dorë nga këto qëndrime dhe si “baba i kombit” t’i ftonte shqiptarët për paqe e marrëveshje. Kaq të padinjitet janë kadrinjtë dhe kadriet saqë pranojnë t’iu paraqitet si misionar i luftës për “votën e lirë” dhunuesi më i madh, dhunuesi serial dhe dhunuesi i papenduar i proceseve zgjedhore të Shqipërisë. Teksa i dëgjon kadrinjtë pyet veten: a do gjëllinte ende Saliu në livadhet e shkretuara të politikës sonë po të mos ishin kadrinjtë? Kurrsesi jo. Ne kemi kadrinj prandaj e kemi ende lolon gjëmëzi.
Në vend që ta qortonte opozitën për braktisjen e Parlamentit, njëri nga kadrinjtë i tha në studion televizive deputetit të ri Ralf Gjoni: ” Turp të kesh që ke shkuar në Parlament !”, edhe pse një gjë të tillë e miraton shumica e shqiptarëve dhe e këshillojnë Evropa Perëndimore dhe SHBA. Po të kishte bërë shumica e sotme parlamentare çfarë po bën pakica, kadrinjtë do t’i vërsuleshin dhe etiketonin si ” antiperëndimore ” dhe ” komunistë të pandreqshëm “.
Po të kishin dinjitet dhe mision e jo vetëm interesa, po të kishin ideale e jo vetëm pasione, po të luftonin për Shqipërinë e jo vetëm për të mirën vetjake, kadrinjtë do t’i pyesnin drejtuesit e opozitës politike se si mund t’iu besohej atyre qeverisja dhe lufta kundër korrupsionit kur në të shkuarën janë kapur “mat” disa herë në akte të rënda korrupsioni; si mund t’iu besohet atyre “rivendosja e demokracisë dhe shtetit ligjor” kur ata, në të kaluarën, kanë dëshmuar ushtrimin e paligjshmërisë dhe nënshtrimin e drejtësisë; si mund t’iu zihet besë atyre se po luftojnë për “zgjedhje të lira” kur, në të shkuarën, kanë fituar vetë poste të larta partiake e shtetërore nëpërmjet falsifikimit dhe dhunimit të zgjedhjeve; si mund t’iu besohet atyre “misioni” i dekriminalizimit kur ata vetë, dje dhe sot, kanë bashkëjetuar me kriminelë ordinerë, i kanë liruar nga burgu në fushata zgjedhore dhe me krenari kanë shpallur si filozofi, moral dhe sjellje të tyre berishizmin, një teori dhe praktikë politike arkaike, banale, antidemokratike dhe e dështuar; si mund të besohet se opozita e vetëlarguar nga Parlamenti po lufton “për ta çuar Shqipërinë në BE” kur të gjithë vendimmarrësit evropianë dhe autoritetet amerikane po i thonë kësaj opozite se e ka gabim, se rruga për në Evropë nuk kalon nga drejtimi i zgjedhur prej saj, por nga transeja që i rekomandohet nga të zotët e shtëpisë evropiane, nga ata që kanë çelësat e asaj shtëpie. Kadrinjtë nuk mund t’i bëjnë këto pyetje sepse, pak a shumë, kanë të njëjtin formim dhe moral si të drejtuesve kryesorë opozitarë. Pikërisht për këto arsye tamtamet e opozitës janë në sintoni me tamtamet e kadrinjve.
Po t’ia donin të mirën vendit po aq sa vetes së tyre dhe partisë së zemrës, do e këshillonin opozitën të qëndronte në Parlament dhe të kontribuonte në Reformën Zgjedhore për të cilën ankohen pa pushim dhe japin ultimatume pa fund, do ta këshillonin opozitën të bënte mendimtarin e vlefshëm dhe jo dhunuesin e dëmshëm, do ta këshillonin të përpiqej të dëshmonte epërsi intelektuale e morale ndaj shumicës parlamentare dhe jo ta nxisnin të përdor dhunën fizike si mjet imponues. Po të mendonin vërtetë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, kadrinjtë do ta këshillonin opozitën të ndreqte veten përpara se të merrte përsipër ndreqjen e vendit, të hiqte dorë nga berishizmi i dhunshëm, abuziv dhe i dështuar dhe të shprehte keqardhje e të kërkonte ndjesë për instalimin në Shqipëri të ” Rrumpallës demokratike ” të manifestuar në grabitje pronash, ndërtime pa leje, mospagime taksash, energjie elektrike dhe ujit, rrënimin e pyjeve dhe grabitjen e nëntokës si dhe ngritjen e sistemit më të korruptuar të drejtësisë dhe jo, në vend të kësaj, mezi presin shkrimin e radhës për të shprehur ” respektin për zotin Berisha “.
Po të kishin ideal Shqipërinë dhe të mirën e përbashkët, edhe sikur të gjitha pretendimet opozitare të ishin të vërteta, kadrinjtë do t’i luteshin opozitës politike të bënte një “pushim” deri pas qershorit 2019 kur shqyrtohet vendosja e hapjes së negociatave me BE-në dhe pastaj të hidheshin në sulm, do të dënonin pohimet e L. Bashës dhe E. Alibeajt nëpër parlamentet e vendeve evropiane se “Shqipëria nuk e meriton të pranohet në BE”, pohime dhe veprime të ngjashme me paraardhësit e tyre biologjikë, politikë dhe moralë të Luftës së Dytë Botërore që, për pushtet vetjak i lëpinin çizmen cilitdo vendzaptuesi dhe bashkëpunonin me ta për të masakruar shqiptarët që rreshtoheshin në rezistencën për çlirimin e vendit. Njëlloj si ata atëherë edhe opozita e sotme politike e shpall Shqipërinë “të pushtuar nga komunistët” dhe pretendon se po përpiqet “për çlirimin e Shqipërisë”. Në vend që t’i luteshin Evropës t’i “sillte në binarë” pozitë dhe opozitë për të mirën e Shqipërisë, kadrinjtë i luten asaj “të mos e lejojë Edi Ramën të asgjësojë opozitën”.
Këtu gjendet arësyeja pse kadrinjtë bëjnë thirrje për dhunë, ashtu si berishizmi i djeshëm dhe i sotëm. Sulmet e protestuesve ndaj godinave qeveritare dhe Parlamentit, djegien e makinave dhe gomave, hedhjen e shashkave dhe kapsollave ndaj punonjësve të policisë i shpallin “dhunë simbolike”, ndërsa përdorimin e gazit lotsjellës (që djallëzisht e quajnë helmues), siç veprohet në gjithë botën perëndimore, e shpallin faj dhe dhunë shtetërore, terror dhe diktaturë. Madje, ndonjë prej tyre kërkon llogari pse gazi lotues nuk përdoret individualisht (!) por ndaj turmës dhe pse në vend të gazit nuk përdoren “mjetet e forta” nga policia. Nga njëra anë i shpallin protestuesit e dhunshëm “të burgosur politikë”, nga ana tjetër dëshpërohen pse shteti nuk po vret askënd në mënyrë që të shtohej urrejtja popullore ndaj qeverisë dhe ata të mos mbeteshin pakicë. Kadrinjve iu nevojiten vrasjet e protestuesve që, pastaj, të venë nëpër studiot televizive, të marrin pozat e dhimbsurisë, humanizmit, ligjmbrojtësit, paqësorit, demokratit dhe të pohojnë se “profecitë” e tyre u provuan dhe kështu shtohen shikuesit televizivë, shtohen klikimet, shtohen reklamat televizive, shtohen fitimet e bosëve mediatikë dhe, rrjedhimisht, edhe rrogat e kadrinjve. Nxihen e dëmtohen vendi dhe populli sepse interesat e kadrinjve dhe pagatorëve të tyre janë larg, shumë larg, interesave të Shqipërisë.
Si mbyllje duhet thënë se kadrinjtë nuk i frymëzon interesi i përbashkët, as ndjenja e drejtësisë dhe as parimet morale, por thjesht interesat vetjake dhe pasionet meskine. Ata duhen dëgjuar me durim, por duhen përbuzur për çdo mashtrim, falsifikim e shtrembërim të së vërtetës dhe duhen neveritur për thirrjet e tyre për dhunë.