Nga Fatjon Baze
30 minuta larg… Për vëtem kaq pak, u ndërpre fatkeqsisht ëndrra e Kosovës në rrugën e saj drejt kualifikimit në fazën e grupeve të “Euro 2020”.
Ajo humbje me përmbysje e pësuar në transfertë, në Çeki, i hoqi mundësinë Kosovës të realizonte një ëndërr të jashtëzakonshme nga ndeshjet e fazës së eleminatoreve, edhe pse shanset vijojnë ende – pasi do e tentojnë kualifikimin përmes Nations League.
Disfata e pësuar mbrëmë ndaj Anglisë me rezultatin 0-4, nuk i zbeh aspak ndeshjet fantastike që ata djem të rinj dhe me një talent të madh, me në krye trajnerin Bernard Challandes, kanë bërë gjatë këtyre ndeshjeve eleminatore.
Fati e deshi që “Dardanët” këto eleminatore t’i mbyllnin, as më pak, e as më shumë, me Anglinë.
Një kombëtare që ka shumë tifozë në Kosovë, pasi shumë sportdashës në këtë vend bëjnë tifozllëk kryesisht me ekipet angleze. Por, është gjithashtu, edhe një shtet që e ka përkrahur fuqimisht Kosovën në kohërat më të vështira të saja që ka pasur gjatë luftës me Serbinë.
Ajo përkrahje e jashtëzakonshme e bërë gjatë luftës, nuk ishte harruar nga kosovarët, të cilët dje Prishtinën e kishin kthyer në një Londër të vogël.
Tifozët e “Tre Luanëve” i shihje në çdo cep dhe lokal të qytetit, ndërsa bulevardi kryesor ishte i mbushur plot me falmuj anglezë dhe kosovarë, të vendosur krah njëri tjetrit ku shkruhej: “Welcome & me Respect”.
Mikërpritja para ndeshjes ishte fantastike, ndërsa “qershia mbi tortë” ishte atmosfera dhe organizimi i krijuar në stadium.
Të gjeje një biletë për të parë këtë sfidë ishte thuaje e pamundur. Kërkesat ishin të jashtëzakonshme si nga kosovarët në Kosovë, por edhe nga ata që jetojnë jashtë Kosove, të cilët kërkonin me ngulm për të parë ndeshjen mbyllëse të fazës së grupeve, për t’i përkrahur dhe për t’i falenderuar ata djem, për emocionet e jashtëzakoshme që u kanë dhuruar.
Vetë nuk arrita dot ta siguroja një biletë. Gaz Demi, presideni i Partizanit më ndihmoi duke ma siguruar një të tillë në tribunën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Një stadium që mban emrin e një legjende dhe ajo çka prodhohej nga shkallët e atij imipianti, ishte po aq madhështore sa dhe emri që mban denjësisht stadiumi i kryeqytetit të Kosovës.
Në çdo ulëse organizatorët kishin vendosur një pankartë ku nga njëri krah ishte i vendosur flamuri anglez dhe nga krahu tjetër ai kosovar.
Gjatë vendosjes së himnit kombëtar të Anglisë, tifozët kosovarë në gjithë stadiumin mbajtën lart pankartën me flamurin e Anglisë, aq sa për një moment, për nga keorografia e përgatitur u duk sikur kjo sfidë po luhej në “Wembley” dhe jo në Prishtinë.
Një veprim që mahniti dhe surprizoi lojtarët dhe stafin e Anglisë, duke bërë menjëherë xhrion e mediave botërore.
Rezultati më pas në fushën e lojës foli për Anglinë e drejtuar nga Gareth Southgate, që kishte dukshëm diferenca shumë të mëdha në krahasim me Kosovën, për vetë përbërjen që ata kanë në skuadër ku spikasin emra të cilët janë ndër më të mirët në botë si Harry Kane, Sterling, Alexandër Arnold, Chamberlein etj.
Pas ndeshjes, atmosfera në qytet vijoi të ishte e merkullueshme. Tifozët anglezë pushtuan sërish lokalet duke festuar e kënduar bashkë me kosovarët.
Në lokalin ku u ula për të parë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Francës, pjesa më e madhe e njerzëve ishin anglezë.
Billy një 75-vjeçar kishte udhëtuar posaçarisht nga Liverpuli për në Prishtinë për të parë ndeshjen.
Binte menjëherë në sy, pasi edhe pse në një moshë të madhe, ishte një nga më energjikët në lokal, duke kënduar dhe kërcyer me këngët shqiptare dhe angleze.
“Jemi ndjerë si në shtëpinë tonë këtu në Prishtinë. Kemi kaluar një ditë të mrekullueshme. Mikëpritja ka qenë e jashtëzakonshme. Faleminderit” – tregoi Billy, i cili si kujtim nga Kosova kishte blerë një qeleshe tradicionale dhe çdo personi në lokal u shkonte në tavolina dhe u kërkonte t’ia firmosnin.
Ishte një nga ato ditë që Kosova e meritoi të jetë në qendër të vëmëndjes dhe të vlerësohej.
Edhe pse është një shtet që nuk është se po kalon momente pozitive në fusha të tjera – futbolli është një fushë ku aty bëhen të gjithë bashkë për ta dashur dhe promovuar për mirë vendin e tyre.