Të mbijetuarit e tërmetit të së martës në Shqipëri përballen me një tjetër dramë pas tmerrit që kaluan. Një pjesë e tyre, nuk kanë më se ku të fusin kokën.
Rreth 2500 vetë janë shpërngulur nga tërmeti, thotë radio publike amerikane, NRG; me qindra njerëz janë duke fjtetur nëpër tenda ose makina, ndërsa mjaft të tjerë janë mbledhur brenda stadiumit të futbollit në Durrës.
Ka dhe persona që po i kalojnë netët në hotele kryesisht në Tiranë. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që goditi vendin që nga viti 1979. Në një vend që ka GDP-në më të ulët për kokë në Europë, thotë NRG, duke cituar Fondin Monetar Ndërkombëtar, kjo situatë ka për të qenë mjaft e vështirë për të mbijetuarit.
“Tërmeti na la pa strehë”, tha një prej tyre nga Thumana për Associated Press. “Çdo gjë që kishim u shkatërrua, dhe nuk kemi se ku të shkojmë”. Ky ishte tërmeti i dytë i madh në tre muajt e fundit që goditi Shqipërinë, kujton radioja. Në shtator, një tërmet me madhësi 5.6 goditi rajonin qendror të vendit afër Tiranës, megjithëse askush nuk u vra. Dhjetra u plagosën atëherë e pati dëme materiale.