Unë i lejoj vetes që të shkruaj për temën e shprehur në titull, sepse zyra e komunikimit e Kryeministrisë e ka parë të arsyeshme që publiku shqiptar dhe ai ndërkombëtar të mësojnë se e fejuara e djalit të Kryeministrit Rama, madje nusja e këtij të fundit (sepse në anglisht nusja e djalit quhet daughter-in-law, dhe kështu e quan CNN të ndjerën), vdiq në Durrës nga tërmeti i fundit.
Në këtë rrethanë, unë i lejoj vetes që t’ i bëj me dije publikut shqiptar sesi dhe pse u prodhua një lajm i rremë qeveritar.
Makineria shtetërore e prodhimit të gënjeshtrave u vu në lëvizje pas një statusi në rrjetet shoqërore të Gregor Ramës, djalit 29 vjeçar të Kryeministrit Rama, me këtë përmbajtje:
“Mes viktimave të shumta nga kjo fatkeqësi natyrore, edhe një njeriu im i afërt së bashku me vëllanë e saj, mamin dhe babin janë gjetur në rrënoja.”
Kaq, asnjë e dhënë tjetër se kush ishte “njeriu i afërt”. Do të kishte qenë një cinizëm i skajshëm nëse dikush, pasi ka vendosur ta bëjë publike një fatkeqësi personale, t’ i referohet të fejuarës së tij të vdekur nga tërmeti së bashku me krejt familjen e saj, me një artikulim kaq abstrakt, duke e quajtur thjesht “njeriu im i afërt”
Nuk mund të thuhej megjithatë kjo gjë për Gregor Ramën, pasi bëri këtë njoftim, sepse nuk e dihej çfarë kishte parasysh ai kur tha fjalët e mësipërme, që gjuhësisht mund të shënojnë një shoqe çfarëdo (në këtë rast mënyra e shprehjes tregon korrektësisht largësi etike), ose edhe një vajzë me të cilën ka marrëdhënie dashurore.
Njoftimi i Gregut frymëzoi Endri Fugën, drejtorin e fabrikës së gënjeshtrave zyrtare të Edi Ramës, i cili shpërndau nëpër portalet proqeveritare një zbërthim të njoftimit- gjëagjëzë të Gregut, ku thuhej se bëhej fjalë për të dashurën, madje për të fejuarën e djalit të Kryeministrit, jepej emri i saj, disa fotografi të saj, emrat e familjarëve. Cuditërisht në asnjë fotografi e ndjera nuk shfaqej bashkë me Gregorin.
Por sa më sipër ishte veç pikënisja e lajmit të rremë për të cilin ishte i interesuar Kryeministri. Lajmi i rremë që duhej fabrikuar ishte se tërmeti solli zi edhe në familjen kryeministrore. Ky lajm i rremë duhej infiltruar pikësëpari në mediat shqiptare Dhe kështu ndodhi. Zyra e gënjeshtrave qeveritare zgjodhi për këtë qëllim Sokol Ballën, i cili gjatë një intervista me Kryeministrin pranë rrënojave të tërmetit e pyeti dhe për ngjarjen e thënë më lart. Kështu iu dha mundësi Kryeministrit të bënte live rolin e atit familjar mjekërbardhë, që mallëngjehet, përlotet dhe nuk mundet që të vazhdojë të flasë, kur i kujtojnë nusen e vdekur nga tërmeti.
Efekti i kërkuar është arritur. Kryeministri na tha: E shikoni, edhe familja ime është pjestare me gjak në këtë fatkeqësi, thotë Kryeministri me qëndrimin e tij. Unë, Edi Rama, personalisht i përkas bashkësisë më të dëmtuar nga tërmeti, asaj të njerëzve që kanë humbur të afërm nga tërmeti.
Makineria e gënjeshtrave qeveritare përdori një degëzim të CNN në Shqipëri, në pronësi të një oligarku me lidhje të posacme me Kryeministrin Rama, për të infiltruar në këtë media të madhe ndërkombëtare lajmin e zisë kryeministrore. CNN dhe media të tjera të mëdha ndërkombëtare ndoqën procedurën korrekte duke bërë verifikimin e lajmit pranë zyrës kryeministrore të komunikimit (CNN madje e thotw këtë në lajm), nga ku morën përgjigjen se bëhej fjalë për të fejuarën e djalit të kryeministrit, madje nusen e ardhshme të kryeministrit (daughter-in-law), si e quan CNN.
Dhe pastaj lajmi i rremë mori dhenë.
Si shpjegohet që nuk ka asnjë foto të kryeministrit me daughter-in-law, ose të familjes kryeministrore me të? Epo normale, kur nuk ka një foto të përbashkët të djalit të kryeministrit me të ndjerën.
Ju që keni kritika për mënyrën sesi Kryeministri po e kryen detyrën e tij në rrethanat e krijuara nga tërmeti. A nuk e shikoni se Kryeministri po bën të pamundurën duke mposhtur edhe dhimbjen drejtpërdrejt familjare që i solli tërmeti?
Lajmi i rremë kurorëzohet me një Amarcord, pas një viti në faqen zyrtare të Kryeministrit në Facebook.
E gjitha kjo është para të këqijave të tjera një perversion me zinë e familjeve shqiptare që kanë humbur të afërm nga tërmeti.
Sa për ata që mund të pyesin “E përse nuk mund të jetë e vërtetë që të ketë qenë vërtet e fejuara e Gregorit, siç ka thënë zyra qeveritare e komunikimit?”, përgjigjia ime është:
Mjafton të thuhet që mediat shqiptare të cilat bashkëpunuan në prodhimin e lajmit të rremë, do të kishin qenë të parat që do ta kishin dhënë lajmin e fejesës nëse kjo do të kishte ndodhur. Do ta kishin marrë këtë përparësi si shpërblim për shërbimet e tyre. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur./Kastriot Myftaraj