“Marrëveshja mes Lëvizjes BESA dhe LSDM është një hap jo thjeshtë politik. Ajo është një ndërmarrje kurajoze kulturore, emancipuese, civilizuese, integruese dhe çliruese. Është rrjedhojë e shumë zhvillimeve të ditëve, javëve, muajve dhe viteve të fundit në Maqedoni. Është prova se të tjera zhvillime të rëndësishme do të ndodhin pashmangshmërisht në jetën politiko-shoqërore të Maqedonisë së re post-Gruevski”, kështu vlerëson në një prononcim për gazetën KOHA, analisti nga Tirana, Alfred Peza
Destan JONUZI
Shkup, 27 shkurt – Analisti Alfred Peza, në një prononcim ekskluziv për gazetën KOHA, ka folur për marrëveshjen parazgjedhore mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Lëvizjes BESA. Sipas tij, firmosja e marrëveshjes për krijimin e një koalicioni parazgjedhor mes Lëvizjes BESA të Bilall Kasamit dhe LSDM të Zoran Zaevit është një lajm i mirë.
“Kjo marrëveshje paralajmëron ardhjen e stinës së re të shkrirjes së akujve mes popujve tanë, duke përshpejtuar tejkalimin e mentaliteteve të vjetra. Nuk ka integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, pa integrimin më parë të të gjithë qytetarëve, të të gjitha komuniteteve, të të gjitha grupeve shoqërore, realiteteve etnike dhe për rrjedhojë të të gjitha partive politike, brenda sistemit demokratik të vendit. Është iluzion ta mendosh se do të ketë integrim të popujve dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, pa lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve mes njëri tjetrit. E të gjitha këto, nuk mund të arrihen pa thyer e rrëzuar më parë të gjitha barrierat, gardhet, muret, paragjykimet dhe ndasitë që na kanë mbajtur jashtë rrjedhave të zhvillimeve të djeshme historike dhe të sotme globale, në një botë të re mundësish pa kufij. Shqiptarët nuk mund të bëhen pjesë e Maqedonisë Evropiane, duke jetuar të izoluar brenda ‘ishujve’ të tyre politikë dhe ‘arqipelagut’ etnik” deklaroi Peza për gazetën KOHA.
Ai thekson se Marrëveshja mes Lëvizjes BESA dhe LSDM është një hap jo thjeshtë politik. “Ajo është një ndërmarrje kurajoze kulturore, emancipuese, civilizuese, integruese dhe çliruese. Është rrjedhojë e shumë zhvillimeve të ditëve, javëve, muajve dhe viteve të fundit në Maqedoni. Është prova se të tjera zhvillime të rëndësishme, do të ndodhin pashmangshmërisht, në jetën politiko- shoqërore të Maqedonisë së re post-Gruevski. Ky hap i vogël për Kasamin dhe Zaevin, është një hap i madh për rrugëtimin e vështirë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, drejt familjes së madhe Evropiane. Arritja tek kjo lartësi, i ka rrënjët tek lufta e shqiptarëve e vitit 2001. Tek Marrëveshja e Ohrit dhe më pas, tek implementimi i saj, deri tani vonë. Të drejtat që gëzojnë shqiptarët sot në Maqedoni, në çdo fushë të jetës, deri dje ishin thjeshtë të paimagjinueshme. Megjithatë, jemi ende shumë realizimit të projektit tonë kombëtar dhe atij evropian”, nënvizon Peza.
Nëse do të ishim evropianë, shprehet më tej ai, marrëveshja BESA- LSDM, nuk do të ishte fare lajm sot. Ajo duhej të ishte thjeshtë një lëvizje rutinë politike, e diktuar nga nevojat dhe llogaritë elektorale, në funksion të zgjedhjeve të radhës. “Për aq kohë sa ende selitë qendrore të partive shqiptare qëndrojnë në Tetovë dhe jo atje ku u takon në Shkup, sigurisht që lajme të tilla, do vijojnë të përbëjnë çudi edhe në të ardhmen. Për aq kohë sa një shqiptar nuk voton për Programin e një partie maqedone dhe një qytetar maqedon, për programin e Ali Ahmetit apo Menduh Thaçit, sigurisht që marrëveshje të tilla do të vazhdojnë të përbëjnë lajm. Kjo situatë nuk është vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E keni lexuar besoj këto ditë lajmin se një djalosh 17 vjeçar i quajtur Ilia Iviç që banon në Graçanicë, është thirrur për të veshur fanellën e përfaqësueses U-19 të futbollit në Kosovë. E sapo e pranoi ftesën, prindërit e tij u pushuan nga puna në administratën lokale, nga autoritetet serbe. E si të mos mjaftonte kjo, vendimi për Ilian dhe nga Ilia, nuk u prit mirë as nga një pjesë e shqiptarëve në Kosovë. Integrimi ynë evropian, fillon pikësëpari nga integrimi i të gjithë qytetarëve tanë pa dallime etnike, feje e kombësie, në shtetet respektive të Ballkanit Perëndimor”, potencon Peza.
Sipas Pezës, Marrëveshja parazgjedhore e Lëvizjes BESA me LSDM është një hap emancipues për Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Marrëveshja do të ndikojë në rënien e bipolaritetit politik, të krijuar prej gati dy dekadash, mes BDI dhe PDSH në skenën shqiptare dhe në relaksimin e klimës politike në vend. Rritja e konkurrencës mes partive shqiptare, do të sjellë rifreskimin dhe diversifikimin e ofertave të tyre politike, në të mirë të qytetarëve. Për rrjedhojë, rritjen e balancës gjinore dhe shtimin e cilësisë së përfaqësimit, i cili sot ka marrë pamjen e ‘logut të burrave’ me mandate të përjetshme”, nënvizon ai. (koha.mk)