Një 39-vjeçar shqiptar, i dënuar për trafik droge është arrestuar në Itali dhe është ekstraduar drejt vendit tonë. Policia ben me dije se nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano e Italisë, i shtetasit shqiptar, Bashkim Demrozi, 39 vjeç, lindur në Kavajë.
“Bashkim Demrozi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e ka dënuar me 8 vjet burg, për veprën penale “Trafik i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. Pas apelimit, Gjykata e Apelit Durrës, në vitin 2018, e ka dënuar përfundimisht me 6 vjet e 8 muaj burg”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vitin 2014, në qytetin e Durrësit, gjatë kontrollit të kryer nga shërbimet e Policisë, në automjetin që drejtohej nga shtetasi F. D., i cili do udhëtonte nga Durrësi në Bari, u gjetën dhe u sekuestruan 332 kg kanabis sativa.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi Bashkim Demrozi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka kryer veprime për gjetjen dhe trafikimin e lëndës narkotike.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.