Ndjekin atë që për të tjerët është “e keqja”, që dëmton kolektivitetin, që sjell vuajtje dhe shkatërrim. Përse? Protagonistë filmash dhe romanesh, janë analizuar edhe nga shkenca. E cila ka zbuluar se ligësia shpesh herë varet nga konteksti, por edhe nga karakteristikat individuale, si mungesa e kurajës dhe ndjeshmëria
“Kur jam e mirë, jam shumë e mirë, por kur jam e keqe, jam edhe më mirë”, është një batutë e famshme e Mae West. Po përse ushtron kaq shumë joshje ana e errët e mendjes? Edhe shkenca është përpjekur t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. “Një person është i keq sepse prodhon ligësi, dhe e ligë konsiderohet ajo që lidhet me vuajtjen”, komenton Gian Vittorio Caprara, docent në Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin La Sapienza të Romës. Dhe shton: “Në realitet nuk ekziston në kuptimin shkencor, një definicion i qartë për të keqen dhe të keqin, sepse janë terma me konotacion të fortë moral dhe kulturor. Pra, domethënia e tyre varet nga kulturat”. Veç kësaj, koncepti i të keqes dhe të mirës ndryshon sipas kohës dhe vendit.
Banaliteti i të keqes
Vëmendja e komunitetit shkencor ndërkombëtar erdhi e u përqëndrua tek “e keqja” në fillimin e viteve gjashtëdhjetë, gjatë proceseve të mëdhenj kundër hierarkëve nazistë. Një tronditje të madhe shkaktoi sidomos figura e Adolf Eichmanit: krimineli brutal kishte në fakt një pamje të butë dhe një imazh prej burokrati gri. Si ishte e mundur që një person kaq i rregullt të ishte përgjegjës për disa prej krimeve më të tmerrshëm të historisë? Pikërisht në atë kohë, Hannah Arendt, një filozofe e pranishme gjatë procesit artikuloi shprehjen “banaliteti i të keqes”: për të kryer veprime të ligë, thoshtë ajo, nuk është e nevojshme të jesh individ i jashtëzakonshëm.
Në po të njëjtën periudhë, Stanley Milgram, psikolog social në Universitetin e Harvardit, publikoi disa eksperimente mbi bindjen e verbër. Milgram studionte kushtet në të cilat një person “normal” mund të bëjë keq duke iu bindur urdhërave të një eprori. Më i famshmi i këtyre eksperimenteve njihet si Milgram Nr 18: vullnetarët që merrnin pjesë arrinin t’u vinin rrymën elektrike personave të tjerë duke i çuar deri pranë vdekjes. Viktimat ishin në të vërtetë bashkëpunëtorë të eksperimentuesve, që bënin sikur ndienin dhimbje dhe shkarkesa elektrike ishte e simuluar, por sjellja e të ligëve nuk ishte e diskutueshme. Eksperimenti u bë i famshëm dhe ai demonstroi se si pjesëmarrja në një grup dhe bindja ndaj shefit mund të kushtëzonin sjelljet e individëve, të parrezikshëm deri në ato momente.
Të burgosur
Disa vjet më vonë, Philip Zimbardo, psikolog shumë i njohur në Shtetet e Bashkuara kreu Eksperimentin e Burgut të Stanfordit, një studim eksperimental që shkaktoi shumë polemika, por që u bë i famshëm: në gusht të vitit 1971, 18 studentë u përzgjodhën nga studiuesi dhe atyre iu dha në mënyrë rastësore ose roli i gardianit, ose roli i të burgosurit. Të rinjtë, për gjashtë ditë interpretuan rolin e tyre sikur të ishte vërtetë në një burg të sajuar në brendësi të universitetit. Eksperimenti duhej të zgjaste dy javë por në ditën e gjashtë u ndërpre për të ndalur acarimin e agresivitetit të disa gardianëve dhe vuajtjen e të burgosurve.
Gjithë faji i situatës?
“Sjellje të qortueshme kryhen nganjëherë edhe nga njerëz që nuk duken të qortueshëm”, nënvizon Caprara, i cili ka punuar me Zimbardon. “Milgram dhe Zimbardo pranonin se situatat ishin përgjegjëset kryesore për sjelljet negative. Mendoj se në shumë raste kanë të drejtë: është evërtetë që nëse krijohen disa situata, njerëzit mund të bëjnë gjëra që në raste të tjerë do i dënonin edhe vetë”. Zimbardo ka qenë edhe konsulent i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA për rastin e “Abu Ghraib”. Bëhet fjalë për abuzimet e kryer nga ushtarët amerikanë në dëm të të burgosurve irakenë. “Zimbardo në atë rast kontestoi tezën e ambientit fajtor, duke thënë se nuk është e vërtetë që gjëra si kjo ndodhin për shkak se ka individë të qortueshëm që ndotin me personalitetin e tyre kontekstin, duke tërhequr të tjerët. Jo, sepse abuzimet ndodhin për arsye se ambienti është i tillë që të favorizojë sjelljet e këqia”, thotë Caprara. “Por ndoshta disa persona janë më të prekshëm nga disa influenca se sa të tjerët”.
Megjithatë, kohët e fundit edhe Zimbardo ka nisur të marrë në konsideratë rëndësinë e dallimeve të individëve dhe ka dhënë një definicion të tijin për heroizmin: janë heronj ata që nuk përulen para forcës së situatave dhe arrijnë t’i ndryshojnë, pra që arrijnë të afirmojnë vlerat e tyre edhe atëherë kur rrethanat e bëjnë shumë të vështirë dëshminë e këtyre vlerave, apo madje edhe të rrezikshme.
Negativ por i dobishëm
Megjithatë, ndonjëherë, siç e tregon një studim i revistës shkencore “The Leadership Quarterly”, të jesh pak i keq mund të jetë e dobishme, sidomos kur je shef.
Peter Harms, psikolog në Universitetin e Nebraskës dhe autor i studimit, ka vërejtur se pothuajse gjithmonë studimet për lidershipin përqëndrohen në aspektet pozitivë (vendosmëria, qetësia, pragmatizmi…). Por shumë pak ose asgjë nuk thuhet për anën e errët të shefave. Studiuesi ka nxjerrë kështu 12 tipare negativë të personalitetit, si përshembull të qënit shumë kritikë ndaj të tjerëve, dramatikë me tepri, pedantë në ndjekjen e rregullave, hezitues, arrogantë, dhe u paraqiti 900 kadetëve në akademinë e West Point pyetësorë mbi personalitetin, duke vlerësuar më pas sjelljen e tyre në komandë.
Harms zbuloi se marrë veç e veç, çdo tipar negativ kishte një lidhje të dobët me suksesin si shef, por nëse aspekte të ndryshëm të personalitetit analizoheshin të gjithë bashkë, shfaqej pra një lidhje e fortë.
Megjithatë, çfarë mund të thuash për funksionimin e mendjeve të personave që kryejnë akte brutalë apo perversë? Në këtë rast, “faji” nuk mund t’i vihet vetëm situatës. Shumë studiues e vënë veçanërisht theksin në një faktor: mungesa e dhimbsurisë, apo e aftësisë për t’u vënë në vendin e tjetrit, duke kuptuar ndjenjat e tij. Në fakt, shkalla e empatisë ndryshon nga një individ tek tjetri: bëhet fjalë për një aspekt të personalitetit, si prirja ndaj optimizmit apo droja.
Emocionet negative, si urrejtja apo dëshira për mbrojtje mund të anulojnë për pak kohë aftësinë për ndjeshmëri, duke shtyrë drejt kryerjes së akteve mizorë si vrasja. Sipas Simon Baron-Cohen, psikolog britanik që studion mizorinë njerëzore, në këtë rast nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për persona “të këqinj”, por vetëm për një humbje të përkohshme të ndjeshmërisë, e provokuar kjo nga një emocion i fortë.
Megjithatë, ka raste kur aftësia për të provuar ndjeshmëri është praktikisht zero. Personat me këtë karakteristikë nuk arrijnë të hyjnë në marrëdhënie në mënyrë korrekte me të tjerët, ndihen të “mashtruar” prej marrëdhënieve ndërpersonale dhe zhvillojnë një egocentrizëm të fortë. Janë të ashtuquajturit personalitete “borderline”, apo në rastet më ekstremë, bëhet fjalë për individë të prekur prej turbullirës antisociale të personalitetit, një çrregullim i madh psikiatrik. Në situata limit, këta persona janë të aftë të bëjnë gjëra të pashpjegueshme, si përshembull të therësh një person vetëm se ai të ka parë me një vështrim që të duket kanosës.
Shumë studime tregojnë se disa prej këtyre personave (sidomos ata që kanë pësuar keqtrajtime gjatë fëmijërisë) kanë hipokampusin (një strukturë që ndodhet në thellësi të trurit) me dimensione të reduktuar krahasuar me mesataren, dhe disa studiues thonë se mungesa e ndjeshmërisë lidhet edhe me këtë.
V rasës apo të sëmurë
Më shumë se të këqinj, bëhet fjalë pra për njerëz “të sëmurë”, ose më saktë viktima të një anomalie të trurit apo një funksionimi të keq të mekanizmave fiziologjikë cerebralë. Atëherë është e drejtë të ndëshkohen? Një pyetje kjo që e bëjnë gjithnjë e më shpesh edhe magjistratët. Në Itali, në nëntor 2009, Gjykata e Apelit në Trieste dënoi një nënshtetas algjerian me 8 vjet burg për shkak se kish therur një tjetër person. Një dënim përkëdhelës. Dënimi u reduktua edhe për shkak të ekspertizave gjenetike dhe neurologjike (të kryera me rezonancë manjetike) të kryera mbi të akuzuarin. Në mënyrë të vecantë, ekspertiza zbuloi që i akuzuari për shkak të një deformimi gjenetik është i prirur të manifestojë agresivitet nëse provokohet apo përjashtohet shoqërisht. Ishte hera e parë që në një gjykatë italiane u përdorën ekspertiza të këtij lloji për të përcaktuar gjendjen mendore të të akuzuarit, por përdorimi i këtij kriteri po përhapet.
Tumor “malinj”
Sipas neuroshkencëtarit amerikan David Eagleman, nuk është e lehtë të vendosësh një ndarje të saktë mes arbitrit të lirë dhe shkaqeve fiziologjikë. Eagleman jep shembullin e Charles Whitman, një burrë që në vitin 1966 vrau 16 vetë (bashkë me prindërit dhe bashkëshorten) dhe plagosi 39, dhe që u vra nga policia. Whitman ankohej prej kohësh për një ndryshim “në kokën e tij”. Ishte pushtuar nga mendime të dhunshëm, ndonëse deri atëherë kish qenë një person i zakonshëm dhe i qetë. Mjekët kishin nënvlerësuar ankimet e tij, por autopsia zbuloi praninë e një tumori të vogël në tru i cili shtypte amigdalën. Kjo bërthamë cerebrale lidhet me rregullimin e emocioneve, vecanërisht frikën dhe agresivitetin. Atëherë i kujt ishte faji, i Whitman apo i tumorit të tij?
Eagleman është një mbështetës i futjes së teknikave shkencore në fushën juridike dhe këmbëngul që në të ardhmen do të jetë e mundur dhënia e sentencave më të sakta (duke garantuar edhe kurat e përshtatshme për ata që rezultojnë të prekur nga shqetësime mendorë dhe jo thjeshtë ndëshkime)./bota.al