Nga dita e shpalljes së thirrjes për para-kualifikime për përzgjedhjen e ofertuesit më të mirë për projektimin dhe ndërtimin e Impiantit për trajtim të ujërave të zeza në Shkup, rreth 50 ndërmarrje kanë shprehur interes, përkatësisht kanë paralajmëruar se do të marrin dokumentet e aplikimit për përzgjedhje të kontraktuesit për impiantin, vlera e së cilës vlerësohet në 136 milion euro, ka informuar NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup. Thirrja është publikuar në fund të qershorit të këtij viti, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Për shkak të interesit të madh, në vend që deri më 17 gusht të këtij viti, afati i para-kualifikimeve është zgjatur deri, në mesditë, më 1 shtator të këtij viti. Ndërmarrja publike sqaron se zgjatja e afatit është për të mundësuar që të gjithë të interesuarit të mund të marrin formularët e aplikimit e më pas të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm me kohë.
Shpallja zyrtare e Ftesës për para-kualifikim për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për projektimin dhe ndërtimin e impiantit për trajtim të ujërave të zeza në Shkup, mund të gjendet në platformën zyrtare të Bankës Evropiane për Investime.
Në periudhën e kaluar, Meta e ka ndjekur rregullisht temën e ujërave të zeza në vend, me theks të veçantë për situatën në Shkup. Meta.mk gjithashtu bisedoi me Dr. Ljupço Kostadinovski, specialist për higjienë dhe ekologji shëndetësore nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup, për problemin e ndotjes së Vardarit me derdhjen e ujërave të zeza.
Impianti i ardhshëm për trajtim të ujërave të zeza në Shkup duhet të ndërtohet deri në fund të vitit 2026, nëse ndiqet dinamika e parashikuar për realizim për pesë vjet. Ky objekt duhet të mundësojë përmirësim të cilësisë së ujit të lumenjve të Vardarit në rajonin e Shkupit, të cilat aktualisht janë në klasat më të ulëta kimike dhe bakteriologjike për cilësinë e ujit. Një nga arsyet kryesore për cilësinë e dobët të këtyre ujërave është shkarkimi i drejtpërdrejt i fekaleve nga familjet dhe ndërmarrjet e Shkupit të pa trajtuara në Vardar.