Pyetja që shpesh ia bëjmë vetes: A i ndihmon hilja njerëzit që të shkojnë në majë? Tani, pas një studimi që zgjati më shumë se një dekadë, studiuesit besojnë se më në fund e kanë përgjigjen. Kolegët e këqij nuk kanë më shumë gjasa të arrijnë pozicione më të mira në punë sesa ata që janë të mirë.
“Njerëzit që duan të fitojnë diçka në mënyrë të padrejtë, egoistë, ngacmues, nuk arrijnë më shumë sesa njerëzit e këndshëm, bujarë dhe të kujdesshëm”, tha Cameron Anderson, pedagog në Universitetin e Kalifornisë.
Anderson dhe kolegët e tij menduan të hulumtojnë për këtë çështje pasi mbaruan një studim për njerëzit agresivë, egoistë dhe manipulues që krijojnë mjedis toksik pune dhe dëmtojnë bizneset.
Për të zbuluar nëse njerëzit e këqij kishin më shumë sukses në punë, studiuesit ftuan 671 studentë amerikanë për të bërë teste të personalitetit midis viteve 1999 dhe 2008.
Anderson më pas u kthye te vullnetarët, mesatarisht rreth 14 vjet më vonë, kur shumica ishin në karrierë. Ai i’u bëri teste në vendin e tyre të punës për pozicionin që ata kishin dhe sa kishin arritur. Ç’është më e rëndësishmja, Anderson gjithashtu u kërkoi qindra bashkëpunëtorëve të ndanin mendimet e tyre mbi vullnetarët.
Anderson nuk e priste një përfundim të tillë por studimi tregoi se njerëzit e mirë arritën pozicione po aq sa njerëzit e këqinj, pavarësisht nga organizata në të cilën punonin.
“Do të kishte kuptim nëse njerëzit që mundohen të bëjnë hile të kishin avantazh në organizata që janë konkuruese por ne nuk e gjetëm këtë gjë” tha Anderson.
Ai tha se në fakt, të qenit njeri i keq nuk dukej se ndihmonte askënd në asnjë mjedis. Studimi zbuloi se ndërsa njerëzit e këqij shfaqnin sjellje më agresive, të cilat mund t’i ndihmonin ata të ngjisnin shkallët e suksesit, marrëdhëniet e këqija me kolegët e tyre duket se anulonin çdo përfitim. Të gjitha këto e kanë lumturuar Andersonin.
“Unë u lehtësova kur dola në këto përfundime. Veçanërisht sepse studentët e mi vazhdimisht sjellin shembuj të njerëzve të fuqishëm që shihen si njerëz jo të mirë, për shembull të ndjerin Steve Jobs dhe argumentojnë se bullizmi dhe egoizmi janë të domosdoshme për të qenë të fuqishëm. Ky studim do të më ndihmojë të argumentoj kundër këtij miti.” tha Anderson.(TheGuardian, gazeta “Si”)