Nezir Mehmetaj u arrestua nga Policia e Serbisë në pikën kufitare në Merdare një vit më parë, derisa ishte duke e dërguar nënën e tij për shërim.
Mehmetaj i cili kishte ardhur nga Zvicra, ishte arrestuar nën dyshimet për krime të luftës.
Fillimisht gjykata i kishte caktuar atij paraburgimin.
Por, tash e njѱ vit nuk është mbajtur as edhe një seancë gjyqësore.
Kështu për Klan Kosova tha Valon Mehmetaj, vëllau i Nezir Mehmetajt.
“Kemi pasur premtime, por seanca gjyqësore nuk po caktohet. Nuk ka asgjë konkrete. Si familje ne nuk jemi ndalë për asnjë moment, jemi duke shqyrtuar variante të ndryshme për me përshpejtu procedurën, pasi nuk po i caktohet seancë gjyqësore. Avokati veçse e ka përgatitë lëndën komplet por çështja është tek prokurori”.
Ai thekson se nuk i lejohet kontakti me vëllaun e tij.
“Ne jemi në atë pozitë që asgjë nuk na duket mirë, ne s’kemi as festë derisa ai është aty brenda. As nuk na lejohet kontakt. Ne nuk kemi mundësi për të shkuar në vizitë pasi që mundet e njëjta të na ndodhë neve, të na arrestojnë”.
Valoni shpjegoi për Klan Kosova se kanë paguar një shumë si kaucion për ta liruar Nezirin, por se kjo ka qenë e pamundur.
“Ne kemi paguar edhe një shumë kaucioni, kemi hyrë në borxh por lirimi i tij ka qenë e pamundur pasi që kjo nuk iu mundësohet të akuzuarve për krime lufte”.
“Avokatët Sead Spahoviç dhe Ahmet Delimanjac, na janë propozuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd. Ata i kanë marrë 40 mijë euro për ta mbrojtur vëllaun tim Nezirin. Kemi pasur premtime edhe nga ata që seanca do të caktohet, por akoma nuk ka ndodhur kjo”.
“Tani kemi marrë avokat tjetër. Kemi shpresa, së paku ashtu na është thënë se seanca mund të caktohet në fund të muajit. Gjendja e tij nuk është bash e mirë. Neziri e ka edhe sëmundjen e diabetit. Ne ia përcjellim terapinë nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse”.