Ballina Aktualitet Kultura LIBERALIZMI QË NGA XHON LOKU DERI NË DITËT TONA 

LIBERALIZMI QË NGA XHON LOKU DERI NË DITËT TONA 

Nga Xhelal Zejneli

Liberalizmi (frëngj. libéralisme, nga libéral – lat. liberalis: liridashës) liridashje – është doktrinë politike dhe ideologji sipas së cilës liria e individit është bazënisje dhe kriter themelor i vlerësimit të të gjitha institucioneve shoqërore. U paraqit në shekullin XVII në Angli dhe në Holandë si program i qëndresës ndaj pushtetit arbitrar dhe absolutist të monarkut. Që në fillim u paraqit me kërkesat për lirinë e ndërgjegjes, për tolerancën fetare dhe për garancitë kushtetuese të të drejtave individuale. Ky liberalizëm bazohej në idenë e lirisë. Kjo nënkupton se askush nga jashtë nuk mund ta parandalojë veprimtarinë e individit dhe mundësitë e tij që t’i ketë në dispozicion plotësisht dhe në mënyrë të pakufizuar aftësitë e veta. 

Sipas filozofit anglez i cili studio në Oksford (Oxford), Xhon Lokut (Jojn Locke, 1632-1704), liria e individit është e mundur vetëm duke nënkuptuar pronësinë, ndërsa ai që nuk ka pronë, duhet të punojë për tjetrin, duke u bërë kësisoj i varur nga vullneti i tij. Si i tillë, ai nuk mund të bëjë një jetë të arsyeshme dhe është i privuar nga të drejtat politike. 

Liberalizmi i shekullit XVIII ishte i preokupuar me kufizimin e rolit të shtetit në jetën ekonomike. Duke u bazuar në parimin laisser-faire ( lëre të bëjë), këta liberalë e zhvilluan teorinë e shtetit noktambul (somnambul). Liberalizmi barazohej me liberalizmin ekonomik që merrej me pronën private, me konkurrencën e tregut dhe me rolin e kufizuar të shtetit. Rritja e funksioneve të shtetit e kufizon hapësirën e lirisë së individit dhe e rrezikon mirëqenien e shoqërisë, ndaj për këtë arsye funksionet e shtetit duhet të kufizohen në mënyrë rigoroze.

Ekonomisti anglez, profesor i logjikës dhe i etikës në Glasgov (Glasgow), Adam Smit (Adam Smith, 1727-1790) ia ka përshkruar sovranit tri detyra të mëdha: mbrojtjen e shoqërisë nga armiku i jashtëm, mbrojtjen e çdo individi nga sulmet e ndonjë individi tjetër si dhe zbatimin punimeve publike të caktuara që nuk do të mundë të realizoheshin sikur t’i besoheshin ndërmarrësit privat.           

Në liberalizmin e shekullit XVIII u zhvillua teoria e shtetit të së drejtës, sipas së cilës, në ushtrimin e funksioneve të veta, shteti mund të ndërhyjë në lëmin e shoqërisë së tregut, vetëm në bazë të ligjit. Ligjet e shprehin interesin e përgjithshëm dhe nxirren në kuvendin e përfaqësuesve (në parlament). Prandaj parlamenti, si institucion qendror i shtetit liberal, të cilit i është deleguar pushteti i popullit, nuk përfaqëson interesa dhe dëshira të veçanta, por interesin e përgjithshëm.                   

Nga gjysma e shekullit XIX, liberalizmi u ndërlidh me demokracinë. Në veprat e filozofit francez të së drejtës dhe të politikës Aleksis dë Tokëvil (Alexis Clerel de Tocqueville, 1805-1859) dhe të filozofit dhe ekonomistit anglez Xhon Stjuart Mill (John Stuart Mill, 1806-1873), liberalizmit i jepet një domethënie e re. Me fjalë të tjera, barazinë politike liberalizmi e bashkon me lirinë individuale

Shumë liberalë u bënë proklamues të së drejtës së përgjithshme për votim, të votimit të fshehtë, të pagimit të anëtarëve të parlamentit dhe të kërkesave të tjera demokratike. Partia Liberale në Britani të Madhe, deri në themelimin e Partisë Laburiste në shekullin XIX, i përfaqësonte edhe interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë. Liberalizmi u bë sinonim i liberalizmit politik, që i proklamonte të drejtat e njeriut, tolerancën, mbrojtjen e pakicave, shtetin e së drejtës apo shtetin ligjor si dhe pushtetin demokratik përfaqësues

Kah fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në Angli u krijua liberalizmi social i ri, sidomos në veprat e filozofit anglez, profesor në Oxford, Tomas Hill Grin (Thomas Hill Green, 1836-1882) dhe të filozofit e sociologut anglez, teoricien politik i liberalizmit, Leonard T. Hobhaus (Leonard Trelawny Hobhouse, 1864-1929), autor i veprës “Liberalizmi i ri” (The New liberalism, 1911). Në vitin 1930 e më pas vjen ekonomia politike e re e ekonomistit anglez Xhon Mejnard Kejns (John Maynard Keynes, 1883-1946). Këta mendimtarë hoqën dorë nga doktrina tradicionale laisser-faire (lëre të bëjë). Këta u përpoqën që lirinë individuale ta bashkojnë me nevojën që për mirëqenien e njerëzve, e sidomos për nevojat materiale dhe arsimore të të varfërve, përgjegjës të bëhet  shteti. Shteti mori një rol shumë më aktiv, ndaj u pranua si një levë pozitive e zhvillimit shoqëror dhe e krijimit të kushteve minimale për përparim individual. Problemet sociale të kapitalizmit, në radhë të parë papunësia, sipas liberalëve të Kejnsit, nuk mund të zgjidhen me veprimin e tregut të lirë, por me ndërhyrjen e shtetit në jetën ekonomike

Edhe mendimtarët liberalë në ShBA, si p. sh filozofi dhe pedagogu amerikan, profesor në universitetin e Miçigenit (Michigan), të Minesotës (Minnesota), të Çikagos (Chicago) dhe të Nju-Jorkut (New York), Xhon Djui (John Dewey), liberalizmin e orientuan kah objektivat socialë. Por metodat dhe objektiva e reja u pranuan atje në kontekstin e krizës së madhe të viti 1929. Pas kësaj, liberalët socialë e ruajtën emërtimin si liberalë, ndërsa liberalët konservatorë tradicionalë, prej atëherë filluan të quhen konservatorë. Liberalizmi social, që në traditën amerikane shpesh quhet liberalizëm reformist, newdeal apo welfare, arriti kulmin në vitin 1960 e këndej, në programin “Kufiri i ri” të presidentit amerikan Xhon Fixherald Kenedi (John Fitzgerald Kennedy, 1917-1963 dhe në programin “Shoqëria e madhe” të presidentit amerikan Lindon Xhonson (Lyndon Baines Johnson, 1908-1973).          

Gjatë Luftës II Botërore dhe pas saj, liberalizmi konservator e riktheu një pjesë të popullaritetit të vet, sidomos kur diktaturat komuniste nisën të konsiderohen si kanosje më e madhe dhe e përhershme ndaj sistemeve liberale-demokratike, se tiranitë djathtiste. Kthesë bëri libri i ekonomistit austriak, laureat i çmimit “Nobel” për ekonomi (1974), Fridrih August Hajek (Friedrich August Hayek, 1899-1992) “Rruga në robëri” (Road to Serfdom, 1944), në të cilin autori mbronte tezën mbi burimet socialiste të nazizmit. Sipas tij, çdo politikë socialiste është potencialisht totalitare. Për këtë arsye duhet kthyer liberalizmit klasik – tregut të lirë, sundimit të ligjit dhe pushtetit të kufizuar. Hajek ishte edhe teoricien i drejtësisë dhe filozof, i njohur si mbrojtës i liberalizmit klasik.

Por, deri në vitin 1970 e më pas, liberalizmi konservator klasik, nuk pati ndikim shoqëror aq të madh. Krizat dhe politikat ekonomike social-liberale të pasuksesshme dhe bumi në çerekun e fundit të shekullit XX, ndikuan në ngritjen e liberalizmit konservator, me emërtimin neoliberalizëm, në të cilin u ripërtërinë idetë e liberalizmit klasik (individualizmi pronësor, tregu i lirë, shteti minimal). 

Në vitin 1970 e këndej dhe 1980 e këndej, neoliberalizmi u bë pikëmbështetje e politikave konservatore moderne (kryeministrja britanike, e para grua kryeministre e vendit, Margaret Theçer (Margaret Hilda Thatcher, Baronesha Thatcher e Kestevenit, 1925-2013) dhe presidenti amerikan Ronald Regan (Ronald Wilson Reagan, 1911-2004) u orientuan kah derregullacioni, reprivatizimi dhe zvogëlimi i fondeve sociale.

Kah mesi i viti 1980 e këndej, liberalizmi konservator u bë rrymë kryesore e mendimit oponent në shtetet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore. Për këtë arsye, rënia e rendit komunist në vitet 1989-1990 u konsiderua si fitore historike e liberalizmit ndaj komunizmit dhe si kthim i këtyre vendeve “në rrugën e tyre natyrore të zhvillimit” që ua kishte ndërprerë komunizmi. 

Mirëpo, transformimi ideologjik i liberalizmit, prej një mendimi kritik dhe përmbysës në themel të shoqërive postkomuniste, i nxiti kritikuesit dhe kundërshtarët e tij që t’ia ngjeshin të gjitha problemet sociale në transformimin e këtyre shoqërive (pasiguria sociale, papunësia dhe varfëria), duke e quajtur ideologji të kapitalizmit antisocial të egër

Edhe në planin botëror, modeli neoliberal i globalizimit është etiketuar si shkak kryesor i problemeve dramatike botërore – që nga shkatërrimi i mjedisit deri te varfëria në rritje

Që nga mesi i viti 190 e këndej, modelet neoliberale dhe politika neoliberale, gjithkund i janë nënshtruar kritikës së ashpër dhe rishqyrtimit. Njëherazi, është ngjallur interesimi për tipa të tjerë të liberalizmit, kështu që kah fundi i viti 1990, gjithnjë më tepër është folur për liberalizmin komunitar, një formë e re e liberalizmit social që e simbolizojnë politikat “e rrugës së tretë” – të presidentit amerikan Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946-) – “demokratët e ri” dhe të kryeministrit britanik Toni Bler (Anthony Charles Lynton Blair, 1953-) – “laburistët e ri”, në të cilën nisma individuale ndërlidhet me një ndjeshmëri sociale më të madhe

Çdo lloj liberalizmi ka ndonjë ide dhe vlerë themelore të përbashkët: liria që nënkupton mosekzistimin e pengesave të jashtme që individi të veprojë sipas vullnetit, dëshirave dhe prirjeve  të veta, me kusht që të mos e rrezikojë të drejtën e të tjerëve dhe t’i plotësojë detyrimet që i ka marrë përsipër vullnetarisht vetë ai; barazia e njerëzve pa dallim feje, ideologjie, race, kombësie, klase sociale, gjinie, shtrese shoqërore, profesioni dhe bindjesh politike; toleranca e bindjeve, e mendimeve dhe e veprimeve ndryshe, me kusht që ta njohin lirinë dhe barazinë, si një e drejtë e të gjithë anëtarëve të bashkësisë dhe të mos tentojnë heqjen e dhunshme të tyre; individualizmi, si parim i rregullimit të shoqërisë, që bazohet në idenë për individë të pavarur të cilët, duke krijuar lidhje të ndërsjella, krijojnë shoqëri, por edhe në shoqëri mbeten të tillë siç janë – individë; shteti juridikisht, organizativisht dhe me funksione të kufizuara dhe të lira që kujdeset për sigurinë anëtarëve të vet dhe për krijimin e kushteve të përgjithshme, të njëjta  për të gjithë; demokracia përfaqësuese në të cilën vendimet politike nuk i merr drejtpërsëdrejti populli, por përfaqësuesit e tij që i zgjedh populli në zgjedhjet e lira garuese, në bazë të të drejtës së barabartë për votim, në të cilin mbartësit e autorizimeve publike veprojnë brenda suazave konstitucionale të përcaktuara të cilat çdo personi ia garantojnë shfrytëzimin e papenguar të të drejtave individuale dhe kolektive. Në rast shkeljeje të këtyre të drejtave, është parashikuar një mbrojtje efektive. Është përcaktuar autonomia e shoqërisë civile dhe mendimi publik i pavarur.  

Idetë dhe vlerat liberale janë qëndisur në themelet e qytetërimit perëndimor. Sot atyre u referohen shumë lëvizje dhe parti që i interpretojnë në përputhje me sistemet e veta të vlerave. Për këtë arsye, sistemet politike të Perëndimit rëndom quhen demokraci liberale.