Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e futbollit, pasi lojtari 28-vjeçar Sergio Alberto Jauregui është vrarë gjatë një ndeshje që po luante në ligën amatore.
Mediat meksikane raportojnë se 28-vjeçari është qëlluar 6 herë ndërsa ndodhej në fushën e lojës.
Ai është afruar në anë të fushës për të pirë ujë, dhe në këtë moment një person i panjohur i është afruar dhe e ka qëlluar me 6 plumba.
Më vonë, vrasësi u largua nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë që e priste para arenës. Futbollistit iu dha ndihma e parë në fushë pasi mjekët në ambulanca ndërhynë menjëherë, por fatkeqësisht nuk arritën t’i shpëtonin jetën Sergio Alberto Jaureguit.
Për momentin nuk dihen informacione për sulmuesin. Në nivel profesional, Jauregui luajti nga viti 2010 deri në vitin 2021 te Arroceros de Cuautla, një ekip që luan në nivelin e tretë të Meksikës.