Rie Kudan, fituesja 33vjeçare e çmimit më të lartë të Japonisë për letërsinë, rrëfeu të mërkurën se kishte përdorur programin ChatGPT për të shkruar një pjesë të librit.
Kudan fitoi këtë javë çmimin prestigjioz Akutagawa për romanin e saj fantastiko-shkencor me titull “Tokyo-to Dojo-to”, i cili përqendrohet në një kullë të lartë burgu dhe përmban tematika që lidhen me Inteligjencën Artificiale. Juria e quajti romanin e Kudan-it “pothuajse të përsosur”.
Çmimi “Akutagawa” është më i larti në Japoni për letërsinë dhe u jepet dy herë në vit shkrimtarëve që po dalin në skenë. Ndërsa Naoki, një çmim i ngjashëm, u jepet shkrimtarëve të njohur tashmë. Janë çmime prestigjioze me rëndësi të madhe, dhe fituesit e tyre marrin vëmendje mediatike të jashtëzakonshme.
Në fjalimin e saj, Kudan zbuloi se një pjesë e librit ishte shkruar nga programi ChatGPT. “Ky është një roman i cili është shkruar duke shfrytëzuar plotësisht Inteligjencën Artificiale ChatGPT, dhe rreth 5 përqind e të gjithë tekstit vjen drejtpërdrejt prej tij”, ka thënë Kudan sipas gazetës japoneze The Japan Times. “Më pëlqen të punoj me këto programe në mënyrë që të shpreh kreativitetin tim”.
Fitoi çmimin prestigjioz në letërsi, por përdori ChatGPT.
“The Japan Times” raportoi të premten se reagimi në rrjete sociale ishte i shpejtë dhe i ashpër, me shumë komentues që shprehnin shqetësim për të ardhmen e letërsisë nëse Inteligjenca Artificiale lejohet në çmimet e larta. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale gjenerative në fusha ku kërkohet kreativiteti, është ende diçka kontroverse, pjesërisht sepse sisteme të tilla marrin informacione nga një korpus i madh i veprave të autorëve të tjerë. Sistemet e Inteligjencës Artificiale njihen se ripërpunojnë pa dallim tekstet për të cilat janë trajnuar, duke përfshirë informacionet personale të njerëzve realë, të marra nga interneti.
Disa vëzhgues dalluan në librin e Kudan-it pjesë të cilat supozohet të jenë përgjigje të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, dhe argumentuan se nëse ChatGPT është përgjegjëse për këto pjesë të librit, do të justifikohej më lehtë. Botuesi i Kudan-it nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga gazeta The Japan Times.