Ballina Kronika Vrau dhëndrin e tij një vit më parë, prokruroria ngre dhe tre...

Vrau dhëndrin e tij një vit më parë, prokruroria ngre dhe tre akuza të reja ndaj Tush Frrokut

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur dhe tre akuza të reja për Tush Frrokun, i cili vrau më 7 gusht të vitit të kaluar dhëndrin e tij A.P si dhe plagosi një tjetër.

Mediat në Kosovë raportojnë se ndaj tij janë ngritur edhe akuzat për “armëmbajtje pa leje”, “shtrëngim” dhe “marrje në posedim të pasurisë së luajtshme”.

Seanca fillestare në këtë rast pritet të mbahet në fund të muajit mars të këtij viti pranë Gjykatës Themelore në Pejë.

Gjithashtu Prokuroria akuzon Tush Frrokun se ka shtënë shtatë herë me revole në drejtim të A.P, duke e lënë në vend të vdekur.

Me këtë thuhet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173 par.1 nën par. 1.5 të KPRK-së.

Pos për vrasje të rëndë, Frroku ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje pasi i janë gjetur një revole me dhjetë fishekë, një brez të pajisjeve të armës me pranga, këllëf të pistoletës, një shufër metalike, trembëdhjetë fishek të gjallë, dy fishek të pushkës së gjuetisë, pajisje për pastrim të armës, dhe një thikë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, pas kryerjes së veprës penale, i akuzuari Frroku në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë”, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur. Me këtë thuhet se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”, nga neni 192 par.2 nën par.2.1 dhe 2.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.