Filozofi dhe opinionisti Blerim Latifi ka treguar arsyen kryesore që sipas tij, PDK ka vendosur Bedri Hamzën përballë Kurtit për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Në paraqitjen e tij të radhës televizive, Latifi shtoi se mbase PDK dëshiron që të preket segmenti ekonomik në garë dhe jo ai i temave të mëdha.
“Më duhet ta theksoj se PDK-ja duke e vendosur Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, mbase është duke menduar që ta prek këtë segment, sepse Bedri Hamza nuk njihet si politikan i temave të mëdha, nuk njihet si politikan për ballafaqim e as me profil historik, nuk është figurë historike.
Është një politikan që qytetari i Kosovës i asocon me ekonomi, me problemet ekonomike. Mbase PDK-ja po mendon që profilit të Albin Kurtit si lider me bagazh historik me ia kundërvy një lider që qëndron me këmbë në tokë dhe merret me problemet ekonomike”, ka thënë Latifi në Pressing.