Fundi i qershorit shënjoi një fillim të ri për fluturimet Kosovë – Zvicër, me një avio-kompani bullgare që u emërua nga shteti për realizimin e tyre me një premtim të veçantë: çmime më të lira e më të volitshme.
Avio-kompania, GP Aviation ka filluar operimin në linjat e zakonshme në mes të Kosovës dhe Zvicrës, ato nga Baseli dhe Cyrihu, si dhe në fillim të këtij muaji prezantoi një linjë të re fluturimi nga Gjeneva.
Kompania ajrore bullgare e fitoi të drejtën për të operuar nga Kosova për në Zvicër, pas një procedure tenderuese të dyshimtë të udhëhequr nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) që rrezikonte të vendoste monopol të ri në tregun e fluturimeve.
Por Ministria e Infrastrukturës, e cila ka përgjegjësi direkte mbi AAC-në, nuk i ka kontestuar asnjëherë procedurat për emërimin e operatorit të ri për fluturimet nga Kosova në Zvicër dhe anasjelltas.
Përkundrazi, ministri Liburn Aliu e ka cilësuar emërimin e GP Aviation si një fitore të shtetit dhe të publikut. Ka premtuar rregullim të orarit të fluturimeve dhe çmime të lira dhe më të volitshme.
“Për herë të parë do të fillojë realizimi i fluturimeve në mes të Kosovës dhe Zvicrës me kriteret dhe kushtet e vëna nga shteti në interes të publikut dhe qytetarëve të të dyja vendeve, duke ofruar kështu orar të rregullt të fluturimeve, e në veçanti çmime të lira e më të volitshme”, ka thënë ministri Aliu në një shkrim në Facebook në qershor të këtij viti.
Aliu, në këtë adresim, është shprehur i bindur se fluturimet e reja për në Zvicër do ta përmirësojnë përfundimisht problemin e çmimit të lartë të biletave.
Por, kjo nuk ka ndodhur. Biletat e fluturimeve nga Zvicra në Kosovë, në mesin e muajit korrik, variojnë nga 200 deri në 340 franga zvicerane, raporton Paparaci.
Me një kërkim të thjeshtë në uebfaqen e shitjes së biletave të Prishtina Ticket, partnerit më të madh të GP Aviation në Kosovë, del se çmimet e biletave të aeroplanit për fluturimet Zvicër-Kosovë nuk kanë ndryshuar nga vitet e fundit.
Për një biletë nga Gjeneva në Prishtinë të mërkurën e 10 korrikut, një udhëtar duhet të paguajë 200 franga zvicerane, ndërkaq 260 franga kushton një biletë për të premten e 12 korrikut.