Pjesëtari i Grupit të Kumanovës, Valdet Zekaj ka thënë se Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, të vrarët në luftimet e Kumanovës në maj të vitit 2015, nuk ishin udhëheqësit kryesorë të ngjarjes.
Në një intervistë për Paparacin të publikuar të mërkurën, Zekaj ka rrëfyer nisjen e grupit prej rreth 40 ish-ushtarëve të UÇK-së nga Kosova për në Kumanovë, ku do të luftonin për çlirimin e Maqedonisë. Nisja ishte bërë më 2 maj të vitit 2015.
“Një javë përpara ne e bëmë problemin në Gushincë, e kur shkuam rrugës në kufi, asnjë polic nuk ke. Askush nuk na ndali. As Policia e Kosovës nuk na ndali”, rrëfen ai.
Në rrëfimin e jashtëzakonshëm të tij për Paparacin, Zekaj ka thënë për herë të parë se Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj nuk ishin udhëheqësit kryesorë të grupit, por krejt dikush tjetër. Ka thënë se kishte njerëz që merrnin urdhra nga policë shqiptarë të Maqedonisë.
“I kemi pasur edhe dy djem për logjistikë që këta dy dinë shumë për këtë rast. Jo shumë, por më shumë se krejt. Janë Faruk Imeri dhe Elhami, nuk ia di mbiemrin këtij. Këta djemtë i kemi marrë për të këqij, por më vonë më është ndryshuar mendja. Këta djemtë kur i kam marrë në telefon më vonë, më ka rezultuar se as Begu as Mirsadi s’kanë qenë kryesorë këtu. Po del që këtu krejt tjetër kush ka qenë. Ka qenë një polic i Maqedonisë, i cili u ka thënë këtyre shkoni dhe bisedoni me Begun e me Mirsadin”, shpjegon Zekaj.
Ai ka treguar pjesën tjetër të udhëtimit që ndalesën e fundit e kishte Kumanovën me plan për të marrë nën kontroll kazermën e ushtrisë maqedonase.
“Kalum aty, shkuam prapë në shtëpi të Feriz Dervishit. Helikopteri na vijke kah ishim ne, na përcillte gjatë rrugës tonë. Pastaj, në mbrëmje më 3 maj kemi shkuar në Stupçan te varrezat e dëshmorëve në mal. Para se me hy aty, e kemi takuar aty një djalë me emrin Zaim Ademi. Ky ka ardhur me një Mercedes, jemi takuar me të. Tha puna është mirë se ky punon te helikopterët dhe helikopterët i kemi në krah me neve. Edhe aty kemi qenë më të gëzuarit në botë”, tregon ai.
“Aty kemi ndejtë një natë dhe të nesërmen deri në mesnatë. Aty na ka ardhur, e kam me foto, Sevdo Bellanoca, ky ishte shoku i Rizah Januzit. Ky Rizah Januzi është gjithkushi. Ky ka qenë me neve deri në ditën e fundit. Ka ardhur na ka taku në Prizren, ky ka shkuar nëpër Zvicër, Gjermani me i bë organizimet – kështu kam dëgjuar”, ka vazhduar rrëfimin ai.
“Rizah Januzi ka ardhur aty dhe na organizoi shkuarjen nga varrezat e Stupçanit deri në Kumanovë. Task-forcën për të realizuar këtë udhëtim na kanë bërë me ambullancë, me ndihmë të parë. Këtu me mëndu ka qenë edhe ky Sevdo i Bellanocës. Hyra përpara se Mirsadi më tha ruju se po na qesin në tradhti gjatë rrugës. Unë rrugës kisha edhe kallash në dorë. Por, jo ata nuk tentuan asgjë. Na çuan mirë dhe na kanë bindë edhe më shumë”.