Ballina Aktualitet Berisha tregon këshillën për Baba Mondin: “Shteti bektashi” i Ramës erdhi nga...

Berisha tregon këshillën për Baba Mondin: “Shteti bektashi” i Ramës erdhi nga Beogradi

Kreu i PD-së Sali Berisha bëri akuza të forta ndaj kryeministrit Edi RamaNë tubimin e mbrëmjes së të martës për mbështetësit e mbledhur poshtë banesës së tij Berisha foli edhe për propozimin e Ramës për krijimin e një shteti bektashi duke u shprehur se ajo bie ndesh me Kushtetutën.

“Ai shpalosi këto ditë propozimin e një shteti të Islamit të moderuar, kryekëput një thikë e tmerrshme pas shpine për besimtarët myslimanë shqiptarë, për të gjithë besimtarët e Zotit. Një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit shqiptar. Një thikë e madhe pas shpine ndaj Kushtetutës dhe rendit të saj.

Nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot, ka pasur një parim, një shtyllë kryesore mbi të cilën është ndërtuar: feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëri-tjetri. Fetë e shqiptarëve janë ushqimi shpirtëror i tyre. Janë frymëzimi hyjnor dhe shpirtëror i tyre që nuk është e vërtetë që i ka ndarë, por me harmoninë që kanë treguar me njëri-tjetrin, janë bërë shembull i ndritshëm në të gjithë botën” – thotë Berisha që thotë se ky propozim ka burimin në Beograd.

“Ky akt, i cili ka synimet më të liga, më antishqiptare, shkelmon pra parimin e sekularizmit, e unitarizmit të shtetit shqiptar. Ky skenar erdhi nga Beogradi, erdhi nga Vuçiçi. Ky skenar ka vetëm një qëllim, thikë pas shpine, përçarje fetare” – tha Berisha që shtoi se për të gjitha këto ka njoftuar edhe Baba Mondin.

“Tre ditë më parë, në mënyrën më miqësore, e njoftova të respektuarin Baba Mondi, kujdes se e ka për veten e tij. Se përbën një thikë pas shpine, në radhë të parë kundër bektashinjve, që janë frymëzim për atdhetarinë e tyre që kanë aq kontribute në identitetin tonë kombëtar, që kanë aq kontribute në tolerancën dhe mirëkuptimin.

Ndaj le t’i themi Edi Ramës se asnjë projekt, ngado që ta marrësh, nga Beogradi apo tjetër kush, kurrë nuk të shpëton ty. Shqipëria dhe ka qenë dhe do mbetet shteti, vendi i harmonisë së shkëlqyer fetare. Do mbetet shteti laik që respekton besimin e tjetrit. 

Fetë e shqiptarëve, myslimanët, të krishterët, janë gurra të pashtershme hyjnore që ushqejnë dhe pasurojnë shpirtrat e shqiptarëve, por jo shpirtrat e katranove si Edi Rama, që përdor edhe fetë për qëllime mafioze, për qëllime antishqiptare” – tha Berisha. ©LAPSI.al