Një 62-vjeçar ra në pranga në fshatin Psar të Kolonjës, pasi u fut nga dritarja e shtëpisë dhe tentoi të abuzonte seksualisht me të moshuarën. 75-vjeçarja mësohet të ketë rrëfyer detaje nga ngjarja, zhurma e cila e zgjoi në 2:30 të natës dhe përpjekjet që ajo ka bërë për t’i rikujtuar 62-vjeçarit se ishte nip i bashkëshortit të saj.
“Ai u fut nga dritarja në orën 2:30 të natës, kur unë isha në gjumë. Më theu dritaren e dhomës së gjumit. Kishte tentuar të futej nga dritarja tjetër e shtëpisë, por nuk ia doli dot që aty dhe hyri nga dhoma e gjumit.
Unë isha në gjumë, u tmerrova se bëri zhurmë të madhe kur u thye xhami. Unë u ngrita dhe ç’të shihja një njeri që rri përpara meje në 2:30 të natës. Kur e shoh ai ishte djali i kunatit, e kemi nipin e shtëpisë. Nuk u besoja syve.
Ai thërriste, më thoshte fjalë të pista, tentoi të më kapë por unë gjeta fuqinë, e kam kundërshtuar, kam luftuar e vetme. I thosha të kemi djalin e shtëpisë, por ai nuk dëgjonte. E sulmova me sa fuqi kisha ta ndaloja. E nxora jashtë dhe në atë moment marr motrën në telefon, më pas motra lajmëron vëllanë dhe ky i fundit vjen në shtëpi. Ia shpjegoj situatën dhe më pas lajmëruam policinë. Unë jetoj vetëm, nuk kam njeri në shtëpi, vajzat i kam të martuara. Përjetova tmerrin.”
Ali Pinjolli u arrestua pas veprimit të rëndë ndaj H. Pinjolli.