Aktorja e njohur amerikane Michelle Trachtenberg, e cila u bë e famshme me rolin e saj në serialin hit “Gossip Girl”, ka ndërruar jetë për shkak të komplikacioneve të lidhura me diabetin. Ajo u gjet pa ndjenja në shtëpinë e saj në Manhattan në fund të muajit shkurt dhe ndërroi jetë pak më pas, në moshën 39-vjeçare.
Sipas burimeve të mediave amerikane analizat laboratorike konfirmuan se shkaku i vdekjes ishte natyrale, i lidhur me gjendjen e saj shëndetësore, duke shmangur kështu nevojën për autopsi. Familja e saj kishte kërkuar që mos të kryhej autopsia për arsye besimi, dhe Zyra e Mjekësisë Ligjore pranoi kërkesën pasi nuk kishte dyshime për rrethana të pazakonta.
Trachtenberg, e cila kishte kaluar një transplant të mëlçisë pak kohë para vdekjes, kishte kohë që përballej me probleme shëndetësore. Mediat e huaja raportuan se ajo ishte parë në gjendje të dobët fizike ditët para vdekjes, gjatë një darke me miq në një restorant në Nju Jork, ku sipas dëshmitarëve “mezi ecte dhe zbriste shkallët”.
Në muajin janar, ndjekësit e saj në rrjetet sociale shprehën shqetësimin për pamjen e saj në disa foto të postuara, por aktorja iu përgjigj komenteve duke deklaruar se ishte “e lumtur dhe e shëndetshme”.
Michelle Trachtenberg ishte e dashur për publikun që nga fëmijëria, duke filluar me rolet e saj në “Harriet the Spy”, “Buffy the Vampire Slayer” dhe më pas duke fituar vëmendje më të gjerë me rolin e Georgina Sparks në “Gossip Girl”. Humbja e saj ka prekur thellë fansat dhe industrinë e filmit, ndërsa shumë figura të njohura të Hollywood-it kanë shprehur ngushëllimet e tyre në rrjete sociale.
@tetovanews
@tn.lajmelokale